SYRI TV/ Drejtuesit e forumit për dialog politik takime në PD, Hasimja: Gjetëm gatishmëri pa kushte në PD

17:23, 30/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Partia Demokratike ka mirëpritur pa kushte propozimin e Forumit për Dialog Politik për një dialog të gjerë opozitar dhe krijimin e një fronti të përbashkët opozitar në përballje me mazhorancën. Këtë e konfirmoi edhe përfaqësuesi i këtij forumi, Ermal Hasimja. Nga ana tjetër, Tedi Blushi, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, i cili ishte pjesë e takimit, u shpreh se nuk është koha për të bërë opozitën e opozitës, por për një koalicion anti-narkoshtet.

Selia e Partisë Demokratike ka qenë ndalesa e radhës për drejtuesit e Forumit për Dialog Politik, të cilët kanë nisur një tur takimesh me qëllim bashkimin e faktorit opozitar në përballje me mazhorancën.

Në përfundim të takimit në selinë blu, Ermal Hasimja, një nga themeluesit e Forumit për Dialog Politik, u shpreh se Partia Demokratike ka shprehur gatishmërinë e plotë dhe pa kushte për një dialog të përgjithshëm opozitar.

Pas mbledhjes mes Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj me Forumin për Dialog Politik, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, bëri një thirrje të fortë për bashkimin e opozitës dhe tejkalimin e përçarjeve të brendshme. Sipas Blushit, nuk është koha për të bërë opozitën e opozitës, por për një koalicion anti-narkoshtet.

Ndërkohë, sa i përket partive të spektrit opozitar, deri tani Partia Mundësia dhe Lëvizja Bashkë kanë refuzuar ftesën e Forumit për Dialog Politik për një angazhim të përbashkët kundër qeverisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco