Sistemi i drejtësisë në Shqipëri duket se po përballet me një krizë të thellë besueshmërie, teksa akuzat për standarde të dyfishta dhe ndikim politik bëhen gjithnjë e më të zëshme. Dy raste të profilit të lartë, ai i ish-presidentit Ilir Meta dhe i zëvendëskryeministres Belinda Balluku, kanë vënë në pah një kontrast flagrant në mënyrën se si trajtohen figurat politike nga organet e drejtësisë, duke ngritur pikëpyetje serioze për pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre.
E ftuar në edicionin e mesditës, nënkryetarja e PL, Erisa Xhixho, e cilëson këtë një drejtësi me dy standarde, teksa hoqi paralele mes kreut të PL, Ilir Meta dhe zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila ndonëse është nën hetim nga SPAK për afera të shumta korruptive, vazhdon të ushtrojë detyrën e saj pa asnjë pengesë. SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit të saj për t'i hapur rrugë arrestimit, duke argumentuar se ajo po intimidon dëshmitarët dhe po prish provat.
Xhixho u ndal edhe te vendimmarrja e fundit e KLGJ, e cila ia kaloi çështjen e gjyqtares Irena Gjoka, që po gjykon çështjet e opozitës, Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë (ILD), të drejtuar nga ish-drejtori juridik i kryeministrit Rama, duke shtuar dyshimet për konflikt interesi dhe mungesë vullneti për të vepruar.
Kjo situatë vjen në një kohë kur kontrollet dhe balancat e pushtetit duken të cenuara rëndë, me një parlament që nuk ushtron dot funksionin e tij kontrollues dhe një reformë në drejtësi që, sipas zërave kritikë, nuk po jep rezultatet e pritura, duke lënë qytetarët pa drejtësinë e shumëpritur
Xhixho:
Tani këtu nuk ka më asnjë surprizë. Është një, padjetër një proces jo vetëm politik, po në kufijtë e absurdit ligjor. Për sa kohë kujtojmë faktin që shkeljet kanë filluar që në krye të herës, që në momentin e rrëmbimit kriminal të presidentit të Partisë së Lirisë, i cili jo vetëm që ka qenë gjithmonë bashkëpunues me drejtësinë, duke u paraqitur sa herë është thirrur, por është rrëmbyer dhe sipas edhe vendimit të gjykatës tashmë, mbi tre orë ai nuk ka pasur jo vetëm asnjë vendim gjykate, ndërkohë që është detyrim që vendimi të paraqitet që në momentin e paraqitjes së arrestit apo kërkesës për arrest.
Mos flasim për mënyrën se si u arrestua, me persona të paidentifikuar, nuk i është lejuar komunikimi me avokatin, nuk janë komunikuar asnjë nga të drejtat e tij dhe këto tashmë janë të faktuara në dy raportet e Avokatit të Popullit, i cili ka në gjetjet e tij ka relatuar të gjitha shkeljet procedurale në momentin e arrestimit apo të rrëmbimit kriminal të presidentit të zotit Meta dhe vazhdojmë me një proces që absolutisht nuk ka lidhje me shtetin ligjor. Absolutisht që rrëmbimi i tij, jemi tashmë të gjithë qartë që ka qenë nën urdhrin e Edi Ramës, sepse aty nuk ishin punë as forcat operacionale dhe asnjë zyrtar i BKH-së. Vazhdojmë me një proces ku janë mbyllur, siç e thatë dhe ju, të gjitha hetimet sot që flasim për zotin Meta.
Janë për vepra penale këtu e 15 vite, për çështje të gjykuara, të rigjykuara si ajo e ÇEZ-Dias e tjerë me radhë, që dolën në një bllof nga gjithë procesi. Dhe nga ana tjetër, jo vetëm që nuk mund të intimidojë dëshmitarë, jo vetëm që nuk mund të prishi prova, por jemi në një seancë paraprake ku praktikisht është absolutisht një pyetje që çdo qytetar do të bënte që në krye të herës, po sidomos tani në këtë moment, që për çfarë arsye mbahet Ilir Meta në një izolim politik, në një izolim ekstrem, sepse takimet janë vetëm katër që i mundësohen zotit Meta me familjarët, nuk i mundësohen takime me deputetë, me eurodeputetë. Gjithashtu, nuk i mundësohet komunikimi me mediat.
Padyshim që ky është një urdhër politik. Ky është një represion, sepse që nga shou që u bë me arrestimin, mesazhi ishte shumë i qartë para fushatës.
Është një urdhër që jepet, sepse në qoftë se mua si deputete bëj kërkesë për takim, unë edhe zoti Vasili dhe deputetë të tjerë që kemi bërë në atë kohë kërkesë për takim dhe nga SPAK-u më vjen njoftimi që nuk ka asnjë pengesë, sepse duke zotëruar statusin e deputetit ne mund të aksesojmë këto ambiente, Drejtoria e Burgjeve nuk lejon që zoti Meta të takohet me ne dhe me asnjë drejtues.
SPAK-u thotë që nuk kemi asnjë kompetencë sepse është e përcaktuar në ligj që deputeti në bazë të ligjit për statusin e deputetit mund të aksesojë çdo lloj institucioni dhe në Komitetin e Helsinkit ku unë kam çuar kërkesë, më është sqaruar mjaft qartë që vizita në paraburgim parasheh dhe faktin e takimit me të paraburgosurin. Dhe kemi parasysh që në paraburgim është prezumimi i pafajësisë, i cili do të duhet të predominojë. Pra dhe avokati i popullit në arsyetimet e tij thotë fare qartë që minimumi i takimeve është katër, sepse absolutisht duhet të ketë një liri shumë më të madhe personat që janë në paraburgim. Dhe vijmë me një vendim sot të gjykatës, absurd në këndvështrimin tim.
© SYRI.net