Kreu i PD, Sali Berisha, ka komentuar deklaratat e raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, duke theksuar se shqiptarët prisnin nga përfaqësuesit europianë një qëndrim më të fortë në mbrojtje të standardeve europiane të shtetit të së drejtës.
Në një prononcim për mediat, Berisha u shpreh se Brukseli duhej të kërkonte qartë heqjen dorë nga imuniteti dhe dorëheqjen nga detyra të zyrtarëve të lartë, përfshirë ministrat dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku, në rastet kur drejtësia kërkon ndjekje penale.
Sipas liderit të opozitës, ky është jo vetëm një standard kushtetues i aplikuar në vendet e Bashkimit Europian, por edhe një detyrim etik dhe moral që nuk po respektohet në Shqipëri.
Deklarata e plotë:
Andon Kello, AbcNews: Z. Berisha, ndërsa ju paralajmëroni protestën e radhës dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me mazhorancën, sot nga Tirana raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, ka deklaruar se:
“Ne mendojmë se ka ardhur koha që kultura politike në Shqipëri të bëjë një hap përpara, të mos dramatizohet gjithçka dhe të mos niset me kokteje molotov, por të luftohet fort me argumente të forta në skenën politike, aty ku duhet. Kjo vlen si për opozitën, ashtu edhe për qeverinë.”
Sali Berisha: Zoti Schider është një parlamentar europian, raporter për Shqipërinë i Parlamentit Europian dhe në këtë kontekst është një zotëri i nderuar dhe i respektuar.
Mendoj se, shqiptarët prisnin prej tij dhe presin jo vetëm prej tij, por presin nga Brukseli, kërkesën për të mbrojtur standardin Europian, i cili standard edhe 12-13 vite më parë në këtë vend, detyronte ministrat për koincidentë dhe zv/kryeministrin që kërkohej nga prokuroria imuniteti, të dorëzonin imunitetin, para se të votonte parlamentin.
Zoti Schider, për fat të keq as edhe përfaqësuesi i BE-së, ambasadori Gonzato, madje Gonzato pak më thellë se zoti Schider, nuk e kërkuan këtë.
Heqja dorë nga imuniteti dhe dorëheqja nga detyra, kur drejtësia kërkon ndjekje penale dhe heqje imuniteti, është në radhë të parë jo vetëm një standard kushtetues si në Austri, edhe në Shqipëri, edhe në Itali dhe kudo. Por është para së gjithash një standard, etik dhe moral shumë i rëndësishëm.
Kjo është përndryshe, thashë edhe njëherë se, ai është një reporter që ka tagrin e paraqitjes së realitetit siç është në Bruksel, ndonëse theksoj se grupi popullor ka edhe ai reporterin në hije për Shqipërinë dhe pritet që dhe ai të vijë në Shqipëri.
Por mirë është që tek shteti ligjor dhe kushtetuta të mos kemi dallime, popullorë dhe socialistë, por të jemi njëlloj.
© SYRI.net