PD: Eco-Parku afera e thjeshtrës së Ramës - ja kush hyri ortak para se të merrej tenderi 10-milionë euro

12:00, 30/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, në një deklaratë për mediat ka ngritur akuza dhe pikëpyetje lidhur me projektin e “Dyrrah City Football Academy” në Durrës, duke e lidhur atë me investimin në Portin e Durrësit dhe me zonën e Eco Park në Spitallë.

Sipas Vangjelit, më 26 prill 2023 është lidhur një marrëveshje bashkëpunimi mes Manchester City Football Club Ltd (MCFC), Eagle Hills Properties LLC, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Durrësit për krijimin e një partneriteti futbolli dhe një akademie elitare në qytet. Në qershor 2023 është përgatitur projekt-ideja arkitekturore e kampusit nga studio “Marco Casamonti and Partners”, ndërsa më 28 korrik 2023 është miratuar urdhri i MAS nr. 422 për krijimin e fondacionit “Dyrrah City Football Academy”.

Më 11 tetor 2023, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 580, është vendosur që prona shtetërore me sipërfaqe mbi 200 mijë m² në zonën kadastrale 8517, në Spitallë, të përdoret për ndërtimin e kompleksit të akademisë së futbollit.

Vangjeli theksoi se e njëjta zonë kadastrale përfshin edhe Eco Park-un, projekt për të cilin,  janë shpenzuar 19 milionë euro për mbylljen e venddepozitimit të mbetjeve, çështje që ajo e cilësoi si ende nën hetim.

Sipas deklaratës, më 29 tetor 2023 janë nënshkruar marrëveshje konsulence për infrastrukturën dhe menaxhimin me afat deri në qershor 2028, ndërsa më 2 shkurt 2024 fondacioni ka shpallur ftesë për propozim për ndërtimin e kompleksit me vlerë 10 milionë euro dhe afat 24 muaj. Në këmbim, klubi fitues do të përfitonte të drejta mbi lojtarët e akademisë për 120 muaj.

Më 24 prill 2024 është shpallur fitues propozimi i vetëm i paraqitur, nga “Futboll Club Dinamo City” sh.a. Vangjeli deklaroi se më 31 mars 2024, pak javë para shpalljes së fituesit, biznesmeni Ergys Agasi ka blerë 30% të aksioneve të klubit për 220 mijë euro.

Duke renditur kronologjinë e ngjarjeve, përfaqësuesja e PD ngriti dyshime për përputhjen e afateve dhe kërkoi hetim të plotë nga organet kompetente. Ajo parashtroi disa pyetje publike për SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë lidhur me procedurat për Portin e Durrësit, Eco Park-un dhe çështje të tjera që lidhen me Kryeministrin Edi Rama.

“Qytetarët kërkojnë veprime konkrete, jo heshtje dhe zvarritje. Drejtësia nuk mund të jetë selektive,” u shpreh Vangjeli në përfundim të deklaratës.

Deklarata e Genta Vangjelit:

Të nderuar qytetarë, sot do t’ju prezantojmë një tjetër projekt ku lidhet emri i Edi Ramës, Ergys Agasit, investitorëve arab të portit të Durrësit, dhe Spitallës, zona e Eco Parkut të famshëm.

Në datën 26 prill 2023 është lidhur marrëveshja e bashkëpunimit midis Manchester City Football Club ltd (MCFC), Eagle Hills Properties LLC, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Bashkisë së Durrësit, nëpërmjet së cilës do të krijohej një partneritet futbolli, një shkollë futbolli për lojtarët dhe një Akademi Elitë.

Madje në qershor të vitit 2023 është përgatitur edhe projekt-ideja arkitekturore e kampusit të akademisë së fondacionit ‘Dyrrah City Football Academy’ nga studio ‘Marco Casamonti and Partners’.

Një muaj më vonë më 28 korrik 2023 është miratuar urdhri i MAS nr. 422, për krijimin e fondacionit me emërtimin ‘Dyrrah City Football Academy’, me qëllimin kryesor çeljen dhe menaxhimin e një akademie elitare të futbollit në qytetin e Durrësit.

Me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 580, datë 11 tetor 2023, Edi Rama vendos që pronat shtetërore me sipërfaqe totale mbi 200 mijë m2 në zonën kadastrale nr. 8517, Bashkia Durrës, në Spitallë, të përdoren për ndërtimin dhe zhvillimin e kompleksit të Akademisë së Futbollit Durrës.

Shkarko dokumentin

KUJDES!

Kjo është pikërisht e njëjta zonë kadastrale 8517, ku ndodhet edhe Eco Park-u famëkeq, aty ku u shpenzuan 19 milionë euro për mbylljen e vend-depozitimit të mbetjeve – një çështje nën hetim por pa asnjë vendimmarrje konkrete.

Më 29 tetor 2023, janë nënshkruar edhe dy marrëveshje konsulence për infrastrukturën, menaxhimin dhe programet futbollistike, me afat deri më 30 Qershor 2028, ndërmjet fondacionit, Durrës Marina, City Football Services Limited dhe Manchester City Football Club Limited.

Më 2 shkurt 2024, fondacioni shpall ftesën për propozim për zgjedhjen e klubit që do të financojë ndërtimin e kompleksit, me vlerë 10 milionë euro, me afat ndërtimi 24 muaj. Në këmbim, klubi fitues do të përfitonte të drejta mbi lojtarët e akademisë për 120 muaj.

Dy muaj më pas, më 24 prill 2024, fondacioni shpall fitues propozimin e vetëm të paraqitur, nga ‘Futboll Club Dinamo City’ sh.a., një klub i krijuar në vitin 2021.

Çuditërisht, pak ditë para shpalljes së fituesit, në dokumente shfaqet Ergys Agasi i cili bëhet pjesë e pronësisë së këtij klubi.

Ekzakt më 31 mars 2024, Agasi blen 30% të aksioneve kundrejt vlerës 220 mijë euro.

Pra:

Më 2 shkurt shpallet ftesa për propozim.

Më 31 mars, Agasi bëhet ortak zyrtar në pronësi.

Më 24 prill, klubi ku pronar u bë edhe Agasi, shpallet fitues.

Një përputhje që tregon shumë.

Në përfundim, mbi 200 mijë m2 tokë që ndodhet në Spitallë, aty ku ndodhet dhe Eco Park, Edi Rama ia lë në dorë fondacionit, që ky t’ia lërë në dorë Ergys Agasit ndoshta për të kamufluar aferën e Eco Parkut atje ku u shpenzuan 19 milionë euro për mbylljen e venddepozitimit.

Pyetjet për organet e hetimit janë të qarta dhe publike:

Pse nuk hetohet procedura për investimin strategjik të Portit të Durrësit?

Ku jemi me kallëzimin për Eco Park-un, ku përfshihet vetë Edi Rama?

Ku jemi me aferat e AKSHI-t që lidhen sërish me Kryeministrin?

Pse po zvarriten hetimet për kaq shumë kohë?

Pse Edi Rama ende nuk është thirrur në SPAK?

Qytetarët kërkojnë veprime konkrete, jo heshtje dhe zvarritje.

Mjaft me pritje.

Drejtësia nuk mund të jetë selektive.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco