Çështja "McGonigal", e cila ka tronditur politikën shqiptare, duket se po zhvillohet në dy fronte paralele: në Shqipëri, ku beteja politike është zhvendosur në Gjykatën Kushtetuese, dhe në Shtetet e Bashkuara, ku dosja e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së është përzgjedhur për rishqyrtim. Këto zhvillime mbartin pasoja të rëndësishme si për ekuilibrat e brendshëm politikë, ashtu edhe për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së.
Në Tiranë, Partia Demokratike ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për këtë çështje, pasi ajo u refuzua nga mazhoranca socialiste në Kuvend. Gjatë një interviste në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv, Enri Çeno, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, theksoi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të jetë vendimtar. Sipas analizës, një refuzim i kërkesës së opozitës do të krijonte një precedent të rrezikshëm, ku çdo mazhorancë në të ardhmen do të mund të bllokonte çdo nismë hetimore të opozitës, duke cenuar kështu rëndë kontrollin parlamentar dhe vetë demokracinë.
Ndërkohë, përtej Atlantikut, situata ka marrë një kthesë të re. Pavarësisht se Charles McGonigal pranoi fajësinë dhe u dënua, çështja e tij është një nga dosjet sensitive që ekipi i drejtorit të ri të FBI-së ka përzgjedhur për rishqyrtim. Ky proces raportohet të jetë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për reformimin dhe ristrukturimin e agjencisë. Rishqyrtimi i dosjes, tha eksperti gjatë bisedës me moderatorin e emisionit Flavio Qarri, mund të nxjerrë në dritë detaje të reja mbi përfshirjen e zyrtarëve të huaj në korruptimin e ish-shefit të kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork.
Implikimet e këtyre zhvillimeve janë të mëdha, veçanërisht për kryeministrin Edi Rama, i përmendur në aktakuzat amerikane. Një hetim i thelluar në SHBA mund të krijojë një situatë të vështirë diplomatike dhe një "ngërç" në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Fakti që kryeministri i një vendi anëtar të NATO-s dyshohet se ka korruptuar një zyrtar të lartë amerikan është një çështje me ndjeshmëri të jashtëzakonshme për Uashingtonin.
Fati i komisionit hetimor në Shqipëri mbetet në duart e gjyqtarëve kushtetues, ndërsa në SHBA, rishqyrtimi i dosjes "McGonigal" mbetet një zhvillim i paparashikueshëm me pasoja potenciale ndërkombëtare.
Flavio Qarri: Tani, duket se ka një lloj ngërçi në një në perceptimin publik, ishte lënë pak mënjanë McGonigal, me sa duket PD-ja nuk e paska lënë, por në rrafshin e marrëdhënieve ndërkombëtare, ishte pak, le të themi, javë e sikletshme për PD-në, ftesa për bordin e paqes dhe mënyra se si e spinoi mazhoranca dhe vizita në Izrael.
Enri Çeno: Le të nisim me çështjen e McGonigal. Sigurisht që opozita i ka ndjekur të gjitha çështjet, të gjitha hapësirat ligjore që ka mundësi për për të ndjekur. Ka tentuar për ngritjen e një komisioni hetimor në parlamentin shqiptar, e cila nga mazhoranca është refuzuar. Fuqia e numrave bën të vetën. Më pas janë ndjekur hapësira të tjera ligjore dhe në këtë rast në Gjykatën Kushtetuese. Dhe Gjykata Kushtetuese kërkesën e Partisë Demokratike e ka kaluar nga dhoma e këshillimit, në gjyq të hapur. Pra, i gjithë trupa gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese duhet të vendosë për këtë çështje. Kjo ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për aspektin politik. Pra përfshirja e McGonigal, kryeministrit dhe aktorëve të tjerë politikë shqiptarë. Ndikimi i Charles McGonigal, pra po të kthehemi tek aktakuza e prokurorisë amerikane dhe aty flitet që Charles McGonigal ka pasur drejtpërdrejtë ndikim edhe në çështjen që është ngritur opozitës shqiptare dhe asaj kohe kryetarit Lulzim Basha. Po, kjo është çështje tjetër. Kurse në aspektin ligjor kjo ka një rëndësi të veçantë sepse krijohet një precedent ligjor, ëh, ku Gjykata Kushtetuese vendos, sot është mazhorancë e majta, nesër mund të jemi ne në pushtet dhe në fuqinë e numrave ne mund të vendosim në të njëjtën mënyrë. Pra, në të mirën e demokracisë së vendit është e nevojshme që të ketë një lloj balance politike.
Flavio Qarri: Pra ti po thua që është e pamundur që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim kundër jush.
Enri Çeno: Nëse Gjykata Kushtetuese merr vendim kundër kërkesës së Partisë Demokratike, atëherë krijohet precedenti i rrezikshëm që çdo mazhorancë në të ardhmen të rrëzojë çdo kërkesë të opozitës për krijimin e komisioneve hetimore. Ne kemi parë që shumë komisione hetimore kanë qenë thjesht procedura dhe nuk mbahen mend, por ka patur edhe komisione hetimore të cilat kanë dhënë rezultat edhe ligjor, edhe politik, siç mund të jetë rasti i inceneratorëve apo edhe komisione të tjera.
Flavio Qarrri: Megjithatë, a ka një mbështetje le të themi, a ka një reagim amerikan për këtë çështje se i kemi parë edhe ambasadën e re amerikane të jetë shumë e zëshme veçanërisht për marrëdhëniet me drejtësinë.
Enri Çeno: Shiko, ambasada amerikane këtu nuk është e re, është e vjetër, pra është e njëjta strukturë që ka qenë edhe para 20 janarit të vitit të kaluar. Por ajo që ka ndryshuar është fokusi. Është e njëjta strukturë, të njëjtët njerëz, ka ndryshuar vetëm diplomacia amerikane, pra politika, politikëbërja e Uashingtonit. Fokusi dhe mënyra se si ato qasen në aspektin diplomatik, gjeopolitik me të gjitha vendet dhe me të cilat bashkëpunojnë që një ndër to është edhe Shqipëria në rastin konkret. Pra, administrata amerikane e ndryshuar vitin e kaluar, ka bërë të mundur që edhe ambasada amerikane këtu të ndryshojë qasje dhe fokus në lidhje me çështjet që prekin Shqipërinë.
Të shtoj dhe diçka tjetër, meqë pyetet për çështjen e Amerikës. Charles McGonigal sot që flasim është ende në burg. Charles McGonigal u dënua për të dyja çështjet, pra ai pati një marrëveshje ndërmjet prokurorisë dhe ekipit mbrojtës ligjor të Charles McGonigal, ku arritën nga një sërë akuzash që prokuroria kishte ngritur, ata arritën në një marrëveshje për të marrë minimumin e dënimit, por për ta dënuar në rastin konkret. Me ndryshimin e administratës vitin e kaluar dhe aq më tepër me nominimin dhe emërimin e Kash Patelit si drejtor i FBI-së, rreth nëntë muaj më parë, ekipi i drejtorit të ri të FBI-së ka përzgjedhur një sërë dosjesh të cilat ka hapësirë ligjore për t'i rishqyrtuar dhe një ndër to është edhe çështja McGonigal.
Flavio Qarri: E kanë përzgjedhur për ta rishqyrtuar?
Enri Çeno: Po, është një nga dosjet e përzgjedhura. Sigurisht nuk kemi informacion të qartë deri në çfarë pike hetimore ndodhet, pra rishqyrtimi i çështjes së McGonigal, për të parë, sepse Kash Pateli përballë presidentit amerikan Donald Trump ka marrë dhe një lloj qasjeje për për të bërë një lloj reformimi të FBI-së.
Flavio Qarri: Pastrimi?
Enri Çeno: Po, për të bërë një lloj reformimi të FBI-së, të ristrukturimit të vetë agjencisë, dhe sigurisht për të kuptuar, për të arritur në në këtë lloj produkti, duhet të shqyrtohen çështje sensitive dhe një ndër to është edhe Charles McGonigal, zyrtar shumë i lartë i FBI-së, i cili u korruptua nga kryeministri i Shqipërisë.
Flavio Qarri: Një kuriozitet këtu. Sa vlerëson ti Henri se mund të jetë një ngërç në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, Rama, administratë Trump, problemi me McGonigal, faktori McGonigal?
Enri Çeno: Shiko, kjo, është një çështje shumë sensitive. Amerikanët po tregohen shumë të kujdesshëm për mos të mos nxjerrë publikisht informacione, se rihetimi, rishqyrtimi i çështjes nga strukturat e brendshme të agjencisë, të FBI-së, mund të nxjerrë, mund të krijojë probleme sepse kemi kryeministrin e një vendi anëtar i NATO-s, i cili rekruton në një farë mënyre, apo korrupton një zyrtar të lartë amerikan...
© SYRI.net