Në një zhvillim dramatik që trondit themelet e sistemit të ri të drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme ka konfirmuar zyrtarisht vërtetësinë e dokumenteve që provojnë dënimin e gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, nga Gjykata e Janinës. Pas një loje të gjatë "ping-pongu" institucional që zgjati plot 20 muaj, organi i akuzës më në fund ka "hedhur gurin dhe fshehur dorën", duke e pasuar përgjegjësinë te Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Edhe pse njoftimi fillestar u cilësua si i zbehtë dhe i paqartë, Gazetari Fatjon Gjinaj i ftuar në edicionin e mesditës në Syri tv shpjegoi se burimet konfirmojnë se materiali i dërguar KLGJ-së vërteton se vendimi i publikuar më herët nga ish-kryeministri Sali Berisha është autentik. Bëhet fjalë për një vendim dënimi dhe arkivimi të dosjes nga drejtësia greke, fakte të cilat bien në kundërshtim flagrant me deklaratat zyrtare të vetë gjyqtares.
Thelbi i skandalit qëndron te Formulari i Dekriminalizimit, një dokument kyç për integritetin e zyrtarëve. Në pyetjen specifike nëse është dënuar ndonjëherë me burgim apo me vendim jopërfundimtar nga një autoritet i huaj, Gjoka është përgjigjur me "JO". Për më tepër, në kulmin e debateve publike, ajo kishte mohuar kategorikisht për rrjetin BIRN ekzistencën e ndonjë vendimi dënimi ndaj saj në Greqi.
Tashmë që Prokuroria e Përgjithshme ka certifikuar se dokumenti i dënimit është origjinal dhe i vërtetë, gazetari Gjinaj tha në bisedën në studio me moderatorin Arnold Kariqi, se pozita e gjyqtares rëndohet ndjeshëm, duke hapur rrugën jo vetëm për shkarkim, por edhe për ndjekje penale për falsifikim formulari. Mbetet për t'u parë nëse KLGJ do të veprojë mbi këto prova të pakontestueshme apo nëse do të tentohen strategji për të zbehur këtë situatë të paprecedentë në majat e drejtësisë.
Arnold Kariqi: Ka një sërë çështjesh që lidhen edhe me të tjerë siç është zoti Mediu, por pa harruar edhe Fredi Belerin, por ndalemi tek njoftimi i prokurorisë së ditës së sotme. Çfarë do të thotë ky njoftim për këtë gjyqtare që rezulton tashmë zyrtarisht e dënuar?
Fatjon Gjinaj: Prokuroria e Përgjithshme hodhi gurin dhe fshehu dorën sot. E shtyu atë që kishte mbi kurriz atë barrën e hoqi. Ishte një njoftim...
Arnola Kariqi: Pse hodhi gurin, fshehu dorën?
Fatjon Gjinaj: Po. Ka ndodhur një ping-pong, po tashmë kemi hyrë në rrugë institucionale. Që do të thotë nëse Prokuroria, KLGJ-ja dhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë muaj me radhë, për 20 muaj me radhë, e hidhnin topin sa nga njëra portë tek tjetra, tashmë jemi në afate proceduriale, jemi në veprime deri diku konkrete që nuk mbante më ujë pilafi dhe diçka duhej bërë. E prokuroria duhet të jepte një përgjigje mbi letërporositë dhe dokumentacionet e veprimtarinë e saj në raport me këtë çështje.
Njoftimi zyrtar ishte shumë i zbehtë, ishte shumë polemik, ishte deri diku i paqartë. Ishte i paqartë ndoshta edhe për ne, jo më për opinionin publik. Një institucion duhet të jetë së pari i kuptueshëm në artikulimin e saj, sidomos në raport me publikun, sepse ato njoftime që hidhen në grupet e ËhatsApp-it të gazetarëve, nuk hidhen për gazetarët, por hidhen, duhet të jenë të vetëdijshme institucioni, të hidhen për opinionin publik. Dhe opinioni publik në atë mënyrë si e kishin hedhur, nëse nuk do të ndërhynim në rrugë të tjera për të marrë informacione shtesë, nuk do të ishte e pastër dhe e qartë panorama. Ajo çfarë ndodhi sot me Prokurorinë e Përgjithshme është që zyrtarizoi atë që i kishte përgjigjur Adriana Kalasë, si një nga personat më konsistentë dhe aktivë për ndjekjen e kësaj situate ligjore dhe deri diku është edhe penale. Në shtator ishte përgjigjur që vendimi i publikuar nga zoti Berisha ishte autentik, ishte origjinal. Sot ia bashkëngjiti një materiali që ia dërgoi Këshillit të Lartë Gjyqësor me përmbajtje të të cilit kishte edhe elementë të autenticitetit, origjinalitetit të këtij vendimi të Gjykatës së Janinës, por jo vetëm kaq, edhe vendimin e arkivimit të kësaj dosje në të njëjtën gjykatë nga organi që e hetoi dhe e gjykoi për shkak të mosparaqitjes së zonjës Gjoka.
Këtu duhet të ndalëm, Arnold, sepse në të ardhmen mund të lindin diskutime nëse Irena Gjoka ka qenë në dijeni të këtij vendimi. Përderisa nuk është i formës së prerë, pra që të jetë një vendim i Apelit të Gjykatës së Janinës dhe të marrë formë përfundimtare, dhe mund të përdoret si argument në Këshillin e Lartë Gjyqësor nga zonja Gjoka dhe përfaqësuesit e saj ligjorë që mund të ndjekin çështjen. Së pari, ka një formular dekriminalizimi që është një formular zyrtar ligjor i shtetit shqiptar dhe i Republikës së Shqipërisë, për të cilën Irena Gjoka është pyetur: A jeni dënuar ndonjëherë me vendim gjyqësor të formës së prerë nga një autoritet gjyqësor i huaj apo shqiptar? Irena Gjoka thotë jo. Pyetja pasardhëse është: A jeni dënuar me burgim me vendim gjyqësor jopërfundimtar, pra siç ishte dënimi dhe vendimi i Gjykatës së Janinës, nga një autoritet gjyqësor shqiptar ose i huaj, për një çështje penale të pazgjidhur me vendim gjyqësor të formës së prerë? Përgjigja e Irena Gjokës ishte përsëri jo. Këtu ngrihet edhe, mund të ngrihet akuzë ndaj Irena Gjokës. Dhe unë nuk e kuptoj pse duhen 20 muaj. Kur ka një përgjigje të zonjës Gjoka që thotë jo me vendimin e gjykatës së shkallës së parë nëse është dënuar apo jo. Ndërkohë që ka edhe një deklaratë publike të Irena Gjokës në momentin kur lindi kjo polemikë publike tashmë, që i përgjigj rrjetit dhe agjencisë së informacioneve të lajmeve BIRN. Kur i thoshte zonja Gjoka: A jeni e dënuar ju në shtetin grek? Dhe ajo do t'i përgjigjej: Në mënyrë absolute nuk ka asnjë vendim dënimi ndaj meje.
Vetëm kjo deklaratë e zonjës Gjoka, me përgjigjen që ka vënë këtu dhe me vendimin që është publikuar nga zoti Berisha dhe sot merr formë zyrtare sepse sot Prokuroria e Përgjithshme thotë ky dokument është i vërtetë, ky vendim është i vërtetë, ky vendim është autentik, është origjinal. Nuk di se çfarë i duhet më shumë një organi hetues dhe një organi shqyrtues dhe vendimmarrës si Këshilli i Lartë Gjyqësor për të dalë me një vendimmarrje. Nuk e di çfarë i duhet më tepër. Unë e di që në vijim do të përdoren metoda dhe strategji të ndryshme për ta zhbërë ose zbehur këtë situatë. Nuk është një lajm i mirë që një gjyqtare speciale, e posaçme...
© SYRI.net