Sekreti që e dinim të gjithë, dëmet e futjes së parasë kriminale në ekonomi

Sekreti që e dinim të gjithë, dëmet e futjes së parasë kriminale në ekonomi

10:19, 21/06/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Dëmi më i madh është ai që nuk mund të rikuperohet. Është zhvillimi pa plan. Është betonizimi i qyteteve. Janë kullat që kanë zëvendësuar hapësirat publike. Janë kodrat e mbushura me beton. Është bregdeti që po humbet karakterin e tij natyror.

Editorial - Revista Monitor / Që në fillim të viteve ’90, ndërtimi u kthye në një sektor të rëndësishëm për Shqipërinë.

Zhvendosja e popullsisë nga zonat rurale drejt atyre urbane dhe nevoja për përmirësimin e kushteve dhe hapësirave të banimit, nxiti kërkesën për banesa dhe tregu i pasurive të paluajtshme u shndërrua në një nga motorët e rritjes ekonomike.

Në vitin 2008, ndërtimi arriti kulmin, duke zënë gati 23% të vlerës së shtuar bruto në vend.

Më pas, si çdo sektor ciklik, ishte e pritshme që të hynte në një fazë maturimi. Popullsia po plakej, emigracioni po zbrazte vendin dhe kërkesa natyrore për strehim nuk mund të rritej pafundësisht.

Por pas vitit 2016 ndodhi e kundërta.

Fillimisht në Tiranë e më pas në të gjithë vendin, nisi një valë e re ndërtimesh, me ritme që ekonomia reale e kishte të vështirë t’i justifikonte dhe me çmim të shumëfishuar shitjeje në treg.

Pagat nuk po rriteshin aq shpejt. Popullsia nuk po shtohej, përkundrazi po tkurrej. Kreditimi bankar për ndërtimin ishte ende i kufizuar. 

Megjithatë, kullat shumëfishoheshin, çmimet rriteshin dhe sipërfaqet e ndërtimit arrinin rekorde pas rekordi.

Përveç Tiranës që priste migrimin e brendshëm, ritmi i ndërtimeve preku zonat bregdetare, por edhe qytetet e tjera të vendit. Kushdo që shikonte shifrat e kuptonte se diçka nuk përputhej.

Kjo ishte arsyeja pse prej vitesh “Monitor” ngrinte të njëjtat pyetje: nga vinin paratë? Si mund të financonin projekte shumëkatëshe kompani që në bilancet e tyre deklaronin kapital dhe të ardhura minimale?

Si shpjegohej rënia e Euros në periudhën 2016-2022, kur turizmi ende nuk kishte marrë përmasat e sotme, që mund të justifikojë disi nënçmimin më të thellë në 2023-2026? Si justifikohej trefishimi i çmimeve të apartamenteve, në një vend ku të ardhurat mbeteshin ndër më të ulëtat në Europë?

Sot po bëhet gjithnjë e më e qartë ajo që në fakt të gjithë e dinim. Të ashtuquajturat “fondamente” nuk arrinin të shpjegonin as forcimin e Lekut dhe as përmasat e bumit të ndërtimit. Sekreti nuk ishte sekret. Ishte thjesht një e vërtetë që shumëkush bënte sikur nuk e shikonte.

Vetëm nga dy goditjet e ditëve të fundit, SPAK ka sekuestruar pasuri të paluajtshme e cash me vlerë rreth 300 milionë euro. Për krahasim, kjo shumë është sa 12% e vlerës totale të investimeve në ndërtesa në një vit (sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT për formimin bruto të kapitalit fiks për ndërtesat).

Skema, e zbuluar dhe nga SPAK, ishte më e thjeshta e mundshme: paratë e fituara nga trafiqet e paligjshme futeshin në Shqipëri me kamionë, apo mjete të tjera transporti, dhe investoheshin në vend.

Një pjesë e investimeve të dyshuara lidhen me prona dhe projekte ndërtimi në Tiranë, Palasë, Himarë dhe zona të tjera bregdetare, si dhe me shoqëri tregtare të përdorura për qarkullimin dhe investimin e fondeve që dyshohet se burojnë nga aktiviteti kriminal, sipas deklarimeve zyrtare të SPAK.

Kjo para kriminale krijoi iluzionin e rritjes ekonomike për shkak të rritjes së qarkullimit të parasë në vend, duke futur në vetëkënaqësi qeverinë, por realiteti është shumë më ndryshe. 

Pasojat janë të shumta:

-Në vend është rritur pabarazia, me çmimet e apartamenteve që janë bërë të papërballueshme për ata që kanë të ardhura të ndershme. Tirana sot renditet ndër kryeqytetet më të shtrenjta të Europës në raport me fuqinë blerëse, ndërsa vijojmë të jemi ndër të fundit për të ardhurat për frymë e fuqinë blerëse, madje dhe çmimet e ushqimeve janë më të shtrenjta se mesatarja europiane, sipas Eurostat.

-Ekonomia po rritet në letra, por të dhënat tregojnë se mbi 70% e kontributit në vitin 2025 erdhi nga taksat dhe administrata publike dhe ekonomia reale është zgjeruar vetëm me 1.1%, më e ulëta që nga pandemia.

-Kapitali i lirë dhe jo vetëm ai informali, u orientua në ndërtim, pasi ky ishte sektori i vetëm që sillte kthim të shpejtë dhe u nxit nga qeveria përmes dhënies së lejeve pa asnjë kriter.

-Paraja informale sot është përzier me atë formale dhe do të jetë e vështirë që ato të ndahen, në mos ato të favorizohen përmes amnistive të vazhdueshme.

-Eksportuesit sot po falimentojnë për shkak të zhvlerësimit të induktuar të euros nga hyrjet e parave informale.

-Qytetarët rrezikohen, pasi blejnë apartamente në kompani që nuk u dihet origjina e parave dhe sot rrezikojnë të humbasin paratë që mund të kenë dhënë paradhënie.

-Një korrigjim i fortë i tregut do të godiste jo vetëm blerësit e banesave, por edhe bankat që kanë marrë këto prona si kolateral.

Megjithatë, dëmi më i madh nuk matet me euro. Dëmi më i madh është ai që nuk mund të rikuperohet. Është zhvillimi pa plan. Është betonizimi i qyteteve. Janë kullat që kanë zëvendësuar hapësirat publike. Janë kodrat e mbushura me beton. Është bregdeti që po humbet karakterin e tij natyror. Ky është një borxh që po ua lëmë brezave që do të vijnë.

Sekreti që e dinim të gjithë nuk duhet të shërbejë vetëm për të kuptuar se çfarë ndodhi. Duhet të shërbejë për të mos e përsëritur.

Sepse çdo herë që mbyllen sytë, faturën e paguan vendi dhe e ardhmja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco