Pas denoncimeve të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, ish-ambasadori Nesho ka pikturuar një tablo të zymtë dhe revoltuese të situatës në vend, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si një "regjim kriminal" që ka "plaçkitur shqiptarët deri në kockë". Sipas tij, Shqipëria e sotme nuk është ajo demokratike, por një pronë e ndarë mes kryeministrit Edi Rama dhe një grupi oligarkësh që "po e mielin" vendin.
I ftuar në edicionin informativ të lajmeve, ish-ambasadori Agim Nesho theksoi se Shqipëria e sotme nuk është më një shtet demokratik, por një pronë e ndarë mes kryeministrit Edi Rama dhe oligarkëve, të cilët “po e mielin” vendin, duke plaçkitur qytetarët deri në kockë.
Ai e përshkroi qeverisjen aktuale si një “regjim kriminal”, ku miliarda dollarë janë zhdukur dhe investime strategjike si Porti i Durrësit dhe projekti “Smart City” përdoren për interesa personale, duke e kthyer vendin në një shtet policor. Nesho nuk nguroi ta quajë kryeministrin një “hajdut me çizme”, duke theksuar se ky regjim po shkatërron strukturat e shtetit dhe besimin publik.
Ai bëri thirrje për një revolucion institucional, duke kërkuar që SPAK të hetojë deri tek “koka e regjimit kriminal”, dhe opozitën të veprojë e bashkuar dhe pa kompromis me qeverinë, duke vendosur interesin e Shqipërisë mbi çdo interes partiak apo personal. Nesho paralajmëroi qytetarët të dalin nga mpirja dhe të protestojnë masivisht, siç ka ndodhur në Rumani dhe Hungari, për të rrëzuar regjimin e kalbur hajdutësh që po shkatërron vendin.
Pjesë nga deklarata:
Në fakt e dëgjova me vëmendje që nga fillimi deri në fund intervistën e zotit Peka me ish-zëvendëskryeministrin Ahmetaj dhe ndjenja e parë që më pushtoi ishte trishtimi. E dyta, një ndjenjë revolte. Si është e mundur që ne të gjithë të jemi kaq pa nerv, njerëz të cilët kontratën me shtetin e shikojmë sikur është diçka e huaj? Njerëz që reagojmë në rrugë edhe për një gërvishtje të makinës, por nuk ngrihemi për të drejtat tona.
Kjo tregoi me fakte dhe afera, duke patur parasysh se të gjithë shqiptarëve regjimi i Ramës i është futur në shtëpi. I ka plaçkitur deri në kockë, i ka vjedhur, i masakruar dhe ajo që është kryefjala e gjithë bisedës së Pekës me Ahmetajn është kjo gjë: kjo Shqipëri që ne po përjetojmë, që jetojmë nga dita në ditë, nuk ka të bëjë me Shqipërinë demokratike, por me Shqipërinë e Edi Ramës dhe e disa oligarkëve të cilët e kanë ndarë në pjesë dhe po e mielin Shqipërinë. Prandaj kjo është shumë revoltuese.
Ky ishte reagimi i parë nga kjo intervistë, që unë e kam pasur që në fillim. Shumë nga këto gjëra janë diskutuar edhe në studiot e televizionit tuaj të nderuar, me analistë, gazetarë dhe individë të shoqërisë civile. Këtu nuk funksionon shteti; funksionon vetëm një regjim i kriminalizuar. Kemi një kryetar të bandës kriminale e cila drejton Shqipërinë, dhe kjo është tepër revoltuese.
Ahmetaj, sidomos në rastet e denoncimit që i bëri Portit të Durrësit dhe aseteve strategjike të Shqipërisë, ngriti kambanën e alarmit: ka kompromentim të investimeve ruse, gjë tepër e rrezikshme për orientimin perëndimor të vendit. Nuk dihet ku po e çon ky regjim vendin për interesat e tij personale.
Së treti, çështja e Smart City-t nuk është thjesht futja e teknologjisë moderne, por një regjimi kontrolli. Kjo teknologji përdoret për të mbajtur nën kontroll shoqërinë dhe për të vazhduar këtë regjim të kalbur drejt një shteti policor. Pa përmendur çmimet e shtatëfishta të aparaturave dhe mënyrën se si çipat dhe pajisjet kineze mund të kontrollohen indirekt. Ka pasur një luftë të madhe për të mos marrë sistemet e telefonisë nga Kina, për arsye sigurie dhe dominimi informacioni.
Nga një skandal në tjetrin, intervista tregoi shpalljen e skandaleve të njëpasnjëshme me kosto të jashtëzakonshme: miliarda dollarë të vjedhura, që mund të kishin rilindur pensionet, shpërndarjen e ilaçeve dhe shërbime sociale si në vendet më të avancuara të Europës Veriore. Këtu janë vjedhur në mënyrë të jashtëzakonshme. Këta janë hajdutë me çizme, fenomen që historia e Shqipërisë nuk e ka parë kurrë.
Sigurisht, kjo situatë prek gjithë komunitetin perëndimor, sepse Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe ka detyrime ndaj aleatëve, ashtu si ka detyrime ndaj popullit. Lidhja e regjimit të Ramës me krimin e organizuar, me Sinaloan dhe korrupsionin e brendshëm kërkon një sensibilizim më të madh. Kjo deklaratë duhet të krijojë një revolucion: fillimisht në veprimin e institucioneve që mbrojnë ligjin dhe rendin. Nuk ka më justifikim për SPAK-un kur aferat janë denoncuar; duhet të veprojë ndaj kreut të regjimit kriminal që është Edi Rama.
Opozita duhet të vazhdojë këtë punë pa asnjë kompromis me regjimin. Aktet e fundit të Partisë Demokratike janë pozitive, por Rama ka punuar shumë për të ndarë opozitën shqiptare, duke krijuar një opozitë të re sipas interesave të tij. Nuk mund të bëjmë opozitën e opozitës. Duhet unitet dhe pranimi i të gjithëve për një qëllim të përbashkët: Shqipërinë. Nuk është çështje pushteti personal.
Opozita duhet të jetë më e shkathët dhe qytetarët më aktivë. Nuk ka pengesë që qytetarë të dalin para ambasadës amerikane dhe të thonë: “Na ndihmoni, mos lejoni investime ruse.” Apo të shkojnë te misioni i BE-së për të ndalur korrupsionin dhe abuzimet. Ky regjimi e përdor Europën vetëm si kalë beteje për të shtyrë mandatin dhe për të vjedhur më shumë.
Unë do doja që sheshet përpara Kryeministrisë të mbusheshin dhe të mos largoheshin derisa ky regjim i kalbur të rrëzohej. Historia tregon se qytetarët mund të shpërthejnë në revoltë në çdo çast.
Sot nuk ka më opozitë klasike. Ka njerëz të qëndrueshëm që janë goditur më keq nga ky regjim. Objektivi kryesor i Ramës ka qenë gjithmonë Partia Demokratike, sepse ajo mbetet forca më frymëzuese që solli revolucionin demokratik. Kontributi i partive të tjera nuk mohohet, por kur vjen puna te alternativa e Shqipërisë, duhet të bashkohemi të gjithë.
Ky është një moment jashtëzakonisht i vështirë: gjendja është skandaloze, opozita e fragmentuar, qytetarët të mpirë dhe SPAK-u përballë një sistemi ku e gjithë Republika duket e kapur. Kjo nuk është më çështje individësh, por krizë e plotë e shtetit shqiptar.
© SYRI.net