Teksa Durrësi u përmbyt nga reshjet e shiut, shkaku kryesor i kësaj situate nuk është natyra por tenderat abuziv të Emirjana Sakos. Në vitin 2021, Emirjana Sako do t`i jepte 19 milionë euro tender babait të drejtorit të ujësjellësit në Durrës, Spartak Kovaçi, për pastrimin e kanaleve të ujërave të larta dhe ndërtimin e një hidrovori që do të shmangte përmbytjet. Sot, pasi janë shpenzuar 19 milionë euro, në Durrës jo vetëm që nuk u shmangën përmbytjet, por ato janë shtuar duke sjellë pasoja të rënda për qytetarët.
Syri TV
Këto pamje tregojnë Durrësin këtë të martë, i cili në të paktën 9 lagje të qytetit ishte i përmbytur. Qindra banesa, biznese dhe automjete, janë dëmtuar nga përmbytjet, ku faji më shumë se i natyrës, duket se është i njeriut. Pesë vjet më parë, për të shmangur përmbytjet në qytetin e Durrësit, Emirjana Sako tenderoi 19 milionë euro, për rindërtimin e Hidrovorit të ri në Porto Romano, i cili supozohet se do të bënte të mundur tërheqjen e ujit nga lagjet e Durrësit duke e shkarkuar në det.
Tenderi prej 19 milionë eurosh, u fitua nga kompania “Adriatik shpk”, në pronësi të familjarëve të Spartak Kovaçit, që në atë kohë mbante detyrën e Drejtorit të Ujësjellës Kanalizimeve në Durrës. Ky projekt, i denoncuar edhe nga emisioni investigativ Plug, parashikonte ndërtimin e një hidrovori të ri, shumë larg atij të vjetrit, çka duket se e ka bërë atë jo funksional dhe ende vijojnë testimet me të në kurriz të qytetarëve, që përmbyten çdo dimër, apo periudhe me reshje. Investimi që duhet të kryente babai i drejtorit të ujësjellësit të Durrësit, i njohur si një nga njerëzit e Besuar të Belinda Ballukut, jo vetëm që nuk e zgjidhi problemin e përmbytjeve, por duket se e ka shtuar edhe më shumë.
E ndodhur përballë akuzave të mediave, kryebashkiakja e Durrësi Emirjona Sako është përpjekur ta justifikojë dështimin e projektit 19 milionë euro me problemet e shpronësimeve. Edhe sot e kësaj dite, mos funksionimi i hidrovorit në Porto Romano, si dhe mungesa e pastrimit të kanaleve të ujërave të larta, të denoncuar vazhdimisht nga Syri Televizion, ka sjellë katastrofën e kësaj të marte, duke bërë që shumë qytetarë të humbin pronat e tyre. Tenderët e Spartak Kovaçit, dhënë për kompaninë e babait të tij, dyshohet se janë marrë nën hetim nga SPAK, në kuadër të proceseve hetimore për skemat “5B” të krijuara nga drejtorët e Belinda Ballukut.
© SYRI.net