Zgjedhja e Klodian Brahos në krye të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) është shoqëruar me pikëpyetje, jo vetëm për mungesën e një procesi transparent dhe me kritere të qarta vlerësimi, por edhe për të kaluarën e tij profesionale.
I ftuar në emisionin Task Force në Syri Tv, juristi Marash Logu ka dhënë detaje lidhur me figurën e re të drejtuesit të SPAK, Klodian Braho, që sipas tij ka udhëtuar me një person me rekorde kriminale.
Duke u ndalur në biografinë e tij si Prokurori, Logu tha se në hetimin e disa prej çështjeve më të bujshme në vend, të hetuara nga Braho, ngrihen shqetësime për mënyrën se si janë menaxhuar, duke lënë pas dyshime për hetime të cunguara.
Çështja e parë është ajo e inceneratorëve, një hetim i cili, sipas kritikëve, ka lënë shumë për të dëshiruar. Argumentohet se hetimi nuk arriti të zbardhte plotësisht të vërtetën, duke u cunguar dhe duke dështuar të identifikojë të gjithë personat përgjegjës të përfshirë. Vetë Braho u tërhoq së fundmi nga kjo çështje pas aludimeve dhe akuzave për mënyrën se si ishte hetuar.
Një tjetër dosje problematike, sipas Logut, është ajo e njohur si “5D”, e cila lidhet me ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës. Edhe në këtë rast, si gjykata e shkallës së parë, ashtu edhe ajo e Apelit, kanë pasur vërejtje për mënyrën se si ishte bërë kualifikimi ligjor i veprës penale dhe për shtrirjen e hetimeve të kryera nga prokurori Braho.
Ndoshta dosja më flagrante është ajo “Toyota Yaris”, e cila sipas zërave kritikë e la publikun me “një çerek të së vërtetës”. Kjo çështje ngre një sërë pyetjesh të rëndësishme pa përgjigje: ‘Përse dy prokurorë të SPAK, Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi, emrat e të cilëve dolën në dosje, nuk u hetuan kurrë?’ Përse nuk u hetua roli i politikanit Taulant Balla, pavarësisht se përgjimet e SKY ECC sugjeronin qartësisht përfshirjen e tij?’ Përse emra të shumtë prokurorësh dhe gjyqtarësh të Tiranës, të përmendur në dosje si persona me përgjegjësi, nuk janë vënë kurrë përballë drejtësisë penale?
Këto tre raste, theksoi juristi Logu, krijojnë një model shqetësues hetimesh që përshkruhen si të mangëta, sipërfaqësore dhe të cunguara, ku jo të gjithë personat e përfshirë identifikohen dhe, edhe kur identifikohen, nuk merren nën përgjegjësi penale.
Zgjedhja e Brahos ngre alarmin se ky “standard” hetimi mund të bëhet norma në SPAK, ku “fraksionimi i dosjeve” mund të përdoret si një metodë për të amnistuar zyrtarë të lartë apo eksponentë të krimit të organizuar. Këto hije dyshimi mbi të kaluarën e tij profesionale vënë në pikëpyetje të ardhmen e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.
I njëjti shqetësim në fakt. Domethënë unë mendoj që po të shikoj edhe cilësia e prezantimeve dhe cilësia pastaj e pyetjeve apo interesave që kishin anëtarët e KLP-së, linte shumë për të dëshiruar dhe ajo që ky proces nuk të tregon ose nuk të dëshmon është fakti se përse u përzgjodh Klodian Braho dhe jo ndonjëri prej atyre tre të tjerëve. Nuk ka një arsye racionale apo një zgjedhje racionale të anëtarëve të KLP-së, pse për shembull vlerësohet më shumë prokurori X sesa prokurori Y dhe cilat janë kriteret që kanë pasur parasysh.
Po ata kanë bërë një rregullore sipas së cilës kanë disa kritere, po kur vjen puna për të bërë atë zgjedhjen finale se kush do jetë drejtuesi i ri i SPAK-ut, ne nuk i shohim në fakt se si pastaj këto kriteret kanë shërbyer për të zgjedhur X-in ose Y-in dhe kjo u duk edhe nga mënyra se si u shpërndanë pikët.
Kështu që unë besoj që opinioni publik, qoftë opinioni publik i gjerë, por dhe opinioni publik i kualifikuar, pra gazetarë që ndjekin, juristë e të tjerë e të tjerë, nuk ka kuptuar sot se cila ishte arsyeja që u zgjodh Klodian Braho, pra cilat ishin meritat e tija të veçanta, cilat ishin hetimet e rëndësishme që ai ka kryer apo çfarë ka bërë ai si prokuror me qëllim që të zgjidhej.
Klodian Braho është prokurori që ka hetuar tre çështje të rëndësishme. Disa, po mendoj unë këto kanë bërë më shumë zhurmë. E para është çështja e inceneratorëve. Ku unë mendoj që hetimi i inceneratorëve, po themi, ka lënë shumë për të dëshiruar, në kuptimin e zbardhjes së plotë të së vërtetës, cungimit të hetimeve, moszbulimit të të përgjegjësve të vërtetë e kështu me radhë e të tjerë e të tjerë. U tërhoq tani së fundmi për shkak se pati po themi shumë aludime dhe shumë akuza për mënyrën se si kishte, ishte hetuar ajo çështje, por ai ka qenë për një kohë të gjatë dhe domethënëse prokurori që ka hetuar çështjen e inceneratorëve.
Klodian Braho ka qenë prokurori ose është prokurori që ka hetuar dosjen 5D të drejtorëve të Bashkisë Tiranë, dosje për të cilën vetë gjykata në fakt, qoftë gjykata e shkallës së parë, ose edhe gjykata e Apelit kanë pasur disa vërejtje për mënyrën se si është bërë kualifikimi i veprës penale, si janë shtrirë hetimet e kështu me radhë. Apo edhe dosje po aq e rëndësishme, është dosja Toyota Yaris. E cila, po themi na la me një as gjysmë të vërtetë, me një çerek të vërtetë. Për shembull Klodian Braho duhet të dalë t'u shpjegojë shqiptarëve se pse në dosjen e Toyota Yarisit dalin të përfshirë dy kolegë të tij, prokurorë të SPAK-ut dhe nuk janë hetuar. Ose nuk thuhet, po themi, a qëndrojnë apo jo ato përgjime që kanë dalë nga ajo dosje. Dhe bëhet fjalë për prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi.
Do të duhet që prokurori Klodian Braho t'u shpjegojë shqiptarëve në fakt se pse nuk është hetuar roli që ka pasur Taulant Balla në këtë dosje. Në dosjen e Toyota Yarisit, pasi nga përgjimet e SKY ECC, del qartë që Taulant Balla ka pasur një rol në këtë çështje. Do të duhet t'ju thotë shqiptarëve se cila është arsyeja që emra prokurorësh dhe gjyqtarësh të Gjykatës së Tiranës apo të Prokurorisë së Tiranës nuk janë sot nën përgjegjësi penale, megjithëse nga dosja del shumë qartë që ata kanë përgjegjësi dhe efektivisht kanë shkelur ligjin në mënyrë të përsëritur për të përfituar persona të caktuar në atë dosje. Kështu që këto tre dosje po t'i marrësh, shohim në fakt që kanë shumë problematika. Hetimi i tyre ka qenë i mangët, hetimi ka qenë i cunguar, ka qenë sipërfaqësor dhe nuk janë identifikuar të gjithë personat e përfshirë, por edhe kur janë identifikuar personat, ata nuk janë marrë nën përgjegjësi penale.
Dhe unë besoj që Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të duhej që t'i kishte në vëmendje këto tre dosje për të kuptuar personin apo prokurorin që kishte përballë vetes. Sepse në qoftë se modeli që ka ndjekur Klodian Braho si prokuror i SPAK-ut gjatë këtyre viteve, do të vendoset si standard, se sot foli që do vendosim standard. Pra në qoftë se vendoset ky standard në Prokurorinë e Posaçme, ne do përfundojmë duke i pasur të gjitha hetimet të mangëta, sipërfaqësore, të cunguara, emra personash të cilët pavarësisht se dalin në mënyrë shumë të qartë që kanë kryer veprimtari të paligjshme, nuk hetohen, dhe nuk merren në hetim... se nuk merren në përgjegjësi penale, duke iu referuar vetë dosjeve që ky prokuror ka pasur në kohën, po themi, gjatë kësaj periudhe që ka qenë nga 2019 deri më sot prokurori i posaçëm me dosje shumë të rëndësishme.
Edhe nga arkiva që pata mundësi ta shoh, që e di që ka qenë prokurori i çështjes dhe sigurisht kanë qenë çështje shumë të rëndësishme dhe me interes shumë të madh publik. Kështu që në këtë kuptim, qoftë procedura që u ndoq për të ardhur tek emri i Klodian Brahos si drejtues i ri i Prokurorisë së Posaçme, ashtu edhe vetë puna që Klodian Braho si prokuror ka kryer, veçanërisht në drejtim të hetimit të këtyre dosjeve që kanë pasur element qoftë të korrupsionit të nivelit të lartë apo edhe të krimit të organizuar, vlerësoj unë që ka pasur disa mangësi që lënë për të dëshiruar dhe unë mendoj që ky nuk duhet të jetë standardi që duhet të promovojë SPAK-u.
Standardi i prokurorëve të cilët kryejnë hetime të mangëta, të cunguara, sipërfaqësore. Nuk po hyj fare në vlerësim subjektiv, sepse këto tre dosje janë fakte të njohura botërisht dhe njerëzit e dinë, po themi, si janë hetuar, kush është marrë përgjegjës, a janë identifikuar të gjithë përgjegjësit, kush është çuar, po themi, në ndjekje penale e kështu me radhë. Në qoftë se modeli që SPAK-u do na promovojë me drejtuesin e ri është fraksionimi i dosjeve si metodë, se kanë shpjeguar këtë fraksionojmë, fraksionimi si metodë amnistimi të zyrtarëve të lartë apo eksponentëve të caktuar të krimit të organizuar, unë nuk besoj që jemi në rrugën e duhur. Ka qenë dëshmia e Klodian Zotos, i cili ka deklaruar se prokurori që e hetonte, Klodian Braho ka udhëtuar me një person me rekorde kriminale. Kjo është një akuzë publike dhe të paktën Braho duhet të kishte dalë me një qëndrim...
© SYRI.net