Anëtarja e kryesisë së Partisë Demokratike Mimoza Hajdarmataj, e ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, u shpreh se Shqipëria nuk drejtohet më nga parimet demokratike, por nga një grup i strukturuar që ajo e quajti “një bandë”. Ajo argumentoi se parlamenti është kthyer në një mjet për miratimin e ligjeve të personalizuara “me emër”, të cilat u shërbejnë interesave të ngushta dhe jo qytetarëve.
“Këtu çdo pushtet është i kapur dhe nuk po e themi më vetëm ne. Po e thonë edhe ndërkombëtarët,” deklaroi ajo, duke theksuar se kapja e shtetit është një realitet i pranuar gjerësisht.
Një tjetër pikë kritike e ngritur ishte normalizimi i korrupsionit masiv në sytë e publikut. “Ne na janë bërë si normale ato milionat e eurove,” tha Hajdarmataj, duke vënë në kontrast pasurinë e paligjshme të zyrtarëve me vështirësitë ekonomike të familjeve të zakonshme.
Ajo shtoi se madje edhe bizneset private jetojnë me frikën e presionit nga organet shtetërore. Duke bërë një paralele me lëvizjen studentore të viteve '90, Hajdarmataj theksoi se reagimi qytetar mungon dhe se shpresa e vetme mbetet te rinia.
“Ne në '90-ën duart bosh i kishim, por kishim zemrën plot,” u shpreh ajo, duke i bërë thirrje brezit të ri të mos e pranojë këtë realitet dhe të ngrihet. Sipas saj, ashtu si në vitin 1990, ndryshimi mund të vijë vetëm nga poshtë-lart, i nxitur nga energjia dhe guximi i të rinjve.
“Rinia që do ndërtojë të ardhmen në këtë vend, duhet të jetë ajo që duhet të reagojë. Historia e ka treguar, ne e nisëm,” përfundoi ajo, duke lënë një thirrje të hapur për rebelim qytetar si e vetmja mënyrë për të shpëtuar demokracinë në vend.
Hajdarmataj:
Ne e kemi në ADN, mjafton të na zgjohet ajo ndjesi se dhe ne në '90-ën duart bosh i kishim. Por nekishim zemrën plot. Është propaganda sepse ata zhvendosin menjëherë vëmendjen. Sapo del, gjithë opinioni manipulohet në tërësi, sa ne na janë bërë si normale ato milionat e eurove. Pra, kur ti në familjen tënde nuk i numëron dot në fund të ditës as 10.000 lekëshet, milionat e tyre të korrupsionit, të abuzimit po na kthehen si normale.
Domethënë, në qoftë se këtu është parlamenti i kapur, sepse çdo lloj ligji kalon me votat e mazhorancës, çdo lloj ligji i personalizuar tashmë, me emër, është ligji i filanit, është ligji i fistekut, është PPP-ja e këtij, është konçesioni i atij. Domethënë, këtu çdo pushtet është i kapur dhe nuk po e themi më vetëm ne. Se okay, e thotë opozita, e thotë Partia Demokratike. Po e thonë edhe ndërkombëtarët. Më vjen shumë keq ta them, por faleminderit që ekziston Syri dhe është një media që mund ta themi, një pjesë e pakapur edhe e ndërkombëtarëve, sepse po na dalin edhe disa europianë që po vijnë për të ndihmuar Shqipërinë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Europian edhe po kthehen mbrapsht të korruptuar nga kjo qeveri e korruptuar, nga kryeministri.
Kështu që ajo pjesë, ajo e djathtë, e pastër që është aleat i Partisë Demokratike po e avancon artikulimin që demokracia në Shqipëri është në rrezik. Nuk mund të ketë më pluralizëm në një vend kur kryeministri vendos, firmos, vulos, të gjithë enturazhi i tij po dalin dy zëvendëskryeministra rresht të akuzuar për korrupsion masiv. Dhe vetëm ata njëri-tjetrit arrijnë t'ia nxjerrin korrupsionin kur ju prishet piramida, kur ju shfryhet flluska. Sepse edhe mediat që duhet të ishin pushteti i katërt, ai 'watchdog'-u, ai që ju shkon nga mbrapa, gjë që e bën vetëm emisionet e Syri-t duke ju shkuar ju... A e shikoni arrogancën e pushtetarëve vendorë, e të gjithë institucioneve kur ju shkohet për t'ju kërkuar një informacion, kur janë kapur në korrupsion, se si reagojnë deri me përplasje mikrofoni gazetarëve?
Sepse këtu nuk duhet të flasi askush, nuk duhet të përmendi askush çfarë ndodh brenda dyerve të çdo institucioni. Gjykatat i ka, policinë e ka, atëherë... 180.000, më duket janë administratë. Të gjithë janë të varur nga rroga. Edhe madje edhe bizneset sot kanë frikë, kushdo, edhe në qoftë se s'ke marrë fonde publike, ti ke frikë se të vijnë tatimorët te dera.
Askush s'e dyshon më që është autokraci. Nuk dyshohet më që këtu një grusht njerëzish, dhe ata nuk mjafton të jenë vetëm krahu i majtë, se themi socialistë ose e majta në pushtet. Jo s'është e majta në pushtet. Është një bandë, është një grup i strukturuar që mbahet edhe nga krimi i organizuar dhe shqiptarët do vazhdojnë, disa në kafe, disa duke i mbajtur të afërmit e tyre nga emigracioni dhe duke, duke iu shembur edhe ajo dëshira për t'u ngritur, për të rebeluar.
Ore në familje fëmijët të rebelojnë kur nuk sillesh barabartë ndaj tyre. Ndërsa në shoqëri të gjithë fillojnë tani, na ka zënë kjo, 35 vjet në fakt janë shumë dhe unë nuk dua që 8 Dhjetori apo Dhjetori i '90-ës të ngelet vetëm në histori si një ngjarje që ndryshoi epokat. Ajo duhet të na kthejë çdo 8 Dhjetor të na revokojë që ne mundemi.
Duhet të ngrihesh se po nuk u ngrite, këta i ke në kurriz. I ke derisa, jo drejtësia shqiptare, po sa të ndërhyjnë vendet e tjera, drejtësitë e vendeve të tjera, për të cilat ti je kthyer në rrezik. Se ne jemi kthyer në rrezik për vendet e tjera. Kur thuhet është rrugë tranziti droga, është korrupsioni, po dalin zyrtarë i FBI-së i korruptuar, zyrtarët e Bashkimit Europian të korruptuar nga Edi Rama, çfarë pritet më që të reagohet dhe të reagohet masivisht?
Unë them shpesh që ne e bëmë misionin tonë. Ne jemi këtu për t'ju dhënë, për t'ju qenë në krah, për t'ju dhënë mësim, për t'ju dhënë kurajo, por rinia që do ndërtojë të ardhmen në këtë vend duhet të jetë ajo që duhet të reagojë. Avash-avash, duhet ta kuptojë se pse nga ne nisi, është shembulli, pra historia e ka treguar. Ne e nisëm. Ne ishim më të patremburit sepse rinia e ka vetë në gjak rebelimin, ngritjen.
Pra duke e kuptuar që nuk bën më kështu, nga poshtë lart fillon ndryshimi. Asnjë qeveri nuk do që të ndryshojë. Kush tha që i duan demokracitë qeveritë? Çfarëdo lloj qeverie do që kur ta marri pushtetin të bëjë çfarë të dojë, të mos e trazojë askush, po të vazhdojë atë punën e vet e qetë. Duhet nga poshtë-lart dhe nga poshtë-lart e para që që e jep dritë, shpresë, vendit, është rinia.
© SYRI.net