Në prag të 8 Dhjetorit, Ditës së Rinisë, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka bërë një thirrje të qartë për qytetarët që të dalin në shesh dhe ti bashkohen ‘Foltores-Kuvendi qytetarëve-deputetëve’ në orën 18:00 tek kryeministria.
Në një periudhë ku sfidat politike, ekonomike dhe shoqërore rëndojnë mbi të ardhmen e vendit, Këlliçi nënvizon rolin vendimtar të rinisë si forca më dinamike dhe më e ndjeshme ndaj realitetit.
Në reagimin e tij, ai rikthehet te simbolika historike e Lëvizjes Studentore të Dhjetorit ’90, duke e lidhur atë me sfidat aktuale dhe me nevojën për një përballje demokratike e qytetare.
Reagimi i deputetit të PD-së, Belind Këlliçi:
Të hënën më 8 Dhjetor, në orën 18:00, të gjithë në shesh në Ditën e Rinisë.
8 Dhjetori, si Dita e Rinisë dhe simboli i Lëvizjes Studentore, është mishërimi i një gjysëmshekulli uri të rinisë dhe popullit shqiptar për liri, për dije, për dinjitet.
Pavarësisht se simbolikat ndryshojnë me kohën, kauza e madhe vijon të jetë aktuale edhe në kontekstin ku jetojmë.
Shqiptarët ende aspirojnë të jetojnë në një shtet të lirë, demokratik, të begatë dhe të modernizuar.
Rinia shqiptare i ka të gjitha potencialet për ta aktualizuar këtë liri.
Askush më mirë se të rinjtë nuk e ndjen pengimin e aftësive, stanjacionin ekonomik, frustrimin e potencialit të tyre të jashtëzakonshëm. Pavarësisht propagandës, të rinjtë nuk janë apatikë apo indiferentë.
Ata shohin dhe kuptojnë gjithçka, përfshirë dhe faktin se janë lënë qëllimshëm larg vendimmarrjes, barazisë në meritë me qëllimin e vetëm patronazhimin e shoqërisë në çdo qelizë.
Në të njëjtën kohë, është në dorën e të rinjve të vetëdijësohen për situatën kritike që vendi po kalon.
Të keqes mos t’i përgjigjemi me ikje, por me përballje.
Me të gjitha energjitë e tyre, kreativitetin, forcën e mendimit, rinia duhet të realizojë me çdo e mos sot, kushtet për të ardhmen që dëshiron nesër.
© SYRI.net