Të dhënat më të fundit nga INSTAT tregojnë një realitet tronditës për ekonominë shqiptare, ku për herë të parë në 30 vite, shteti është i vetmi sektor që mban në këmbë vetveten, ndërsa prodhimi, ndërtimi, tregtia dhe industria janë praktikisht në falimentim. Këtë analizë e bëri këshilltari ekonomik në Partinë Demokratike, Dorjan Teliti gjatë një intervsitë në Syri tv. Ai deklaroi se vendi ndodhet në një krizë të thellë, pavarësisht propagandës qeveritare për rritje ekonomike.
Sipas tij, të dhënat zyrtarizojnë atë që opozita e ka denoncuar prej kohësh: ekonomia shqiptare, megjithë potencialet e mëdha, po keqmenaxhohet dhe vidhet sistematikisht. “Po vidhen potencialet. Vidhet prona publike, vidhet prona private, abuzohet me paranë publike,” tha ai, duke theksuar se Shqipëria ka taksat më të larta në rajon dhe po përballet me një valë masive emigracioni, çka ka shkaktuar mungesë të fuqisë punëtore.
Eksperti ekonomik gjatë bisedës me moderatorin e Syri tv, Arnold Kariqi, e përshkroi situatën aktuale si një kthim pas në kohë, në modelin e ekonomisë së centralizuar të para viteve '90. “Shteti mban në këmbë veç shtetin e vet. Po pyetja është, kush do t'i mbajë në këmbë shqiptarët?” pyeti ai, duke shtuar se industria prodhuese dhe bujqësia ndodhen në recesion prej tre vitesh.
Një tjetër fenomen shqetësues i ngritur nga Teliti është kontradikta mes krizës ekonomike dhe bumit të çmimeve të pasurive të paluajtshme, të cilat janë në nivelet e qyteteve si Milano apo Roma. Ai argumentoi se kjo shpjegohet vetëm me fluksin e parave të pista nga krimi, korrupsioni dhe evazioni fiskal, të cilat po krijojnë një fasadë të rreme prosperiteti. “Ajo molla e cila shkëlqen nga jashtë, por që brenda ka krimbat që po e gërryejnë. Kjo është ekonomia shqiptare,” tha ai.
Duke folur për shtresat më vulnerabël, Teliti e cilësoi bonusin për pensionistët si të pamjaftueshëm dhe një masë që nuk adreson problemet reale. Ai tregoi se pensionistët jetojnë në kushte të vështira, duke numëruar çdo qindarkë dhe duke sakrifikuar edhe blerjen e ilaçeve. Sipas tij, zgjidhja e vetme është sigurimi i një minimumi dinjitoz jetik, duke propozuar një pension minimal prej 200 eurosh. “Ne si shoqëri dhe politika shqiptare kemi sot një detyrim paqësor: t’i sigurojmë pensionistëve minimumin dinjitoz etik,” përfundoi Teliti, duke bërë thirrje që qytetarët të reagojnë përballë kësaj situate alarmante.
Arnold Kariqi: Do të jemi tashmë në hapësirën e intervistës për t'u ndalur tek situata ekonomike në vendin tonë. Kam ftuar në studio këshilltarin për çështjet ekonomike në Partinë Demokratike, si edhe nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, zotin Dorian Teliti. Zoti Teliti, përshëndetje.
Dorjan Teliti: Faleminderit për ftesën, kënaqësi.
Arnold Kariqi: E nisim pak me të dhënat e fundit të ekonomisë në Shqipëri, sipas INSTAT, ku duken në fakt, jo sikur, por që janë tronditëse. Sipas të dhënave që analizohen, kontribuuesit në ecurinë ekonomike, për herë të parë në 30 vite, zoti Teliti, shteti mbahet në këmbë, shtetin e mban në këmbë ekonominë. Pra, prodhimi, ndërtimi, tregtia, shërbimet apo industria janë thuajse të falimentuara. Ku jemi? Se qeveria flet për rritje ekonomike, buxheti më i madh në histori.
Dorjan Teliti: Po pra, qeveria flet për rritje ekonomike, e njëjta qeveri e cila dhe para ca vitesh hapi shampanjë dhe na integroi në Bashkimin Evropian, po ja ku jemi sot. Hapi shampanjë, shpërndau dhe tortë, shpërndau dhe medalje, dekorata e kështu me radhë. Kështu që jo çdo gjë që thuhet përkon me realitetin. Ajo që ka ndodhur tashmë është zyrtarizimi nga INSTAT-i i asaj që ne kemi muaj e vite që e ngremë si shqetësim. Që ekonomia shqiptare, zonja dhe zotërinj që na ndiqni, është në krizë fatkeqësisht.
Kemi ekonomi që ka potenciale të mëdha, po nuk po shfrytëzohen ato potenciale, jo, përkundrazi, po vidhen këto potenciale. Vidhet prona publike, vidhet prona private, abuzohet me pronën publike dhe pronën private, abuzohet me paranë publike, paratë e buxhetit të shtetit. Jemi vendi me taksat më të larta në rajon. Jemi vendi që ka rini që largohet masivisht nga Shqipëria, kemi mungesë fuqie punëtore.
Po shohim tashmë Bangladeshas, Filipinas po vijnë në Shqipëri. Më duket vetja sikur jam 25 vite, 20 vite më parë në Itali kur isha student, që shikoja që vinin shqiptarët dhe punonin dhe punonin në Itali, tashmë po na vijnë emigrantë në Shqipëri, thua ti Shqipëria është bërë si Zvicra, si Gjermania apo si Italia përsa i përket mirëqenies. Përkundrazi, jemi shumë larg. Një ekonomi shqiptare që nuk performon, e cila sot, shteti mban në këmbë veç shtetin e vet.
Arnold Kariqi: Kryeministri i ka quajtur shqiptarët dembelë, nuk punojnë tha, nuk janë profesionistë e të tjera e të tjera.
Dorjan Teliti: Kush do, kush do t'i mbajë në këmbë shqiptarët? Kush po e mban në këmbë industrinë prodhuese? Askush, prandaj është në falimentim. Kush po e mban në këmbë bujqësinë shqiptare? Askush, prandaj është në falimentim. E thotë vetë INSTAT-i, ka tre vite që thotë, këto dy sektorë janë në recesion. Dhe të kthehesh ti në një realitet të para viteve '90, ku ekonomia e centralizuar, pra ku shteti mbante këmbë ekonominë, mbante këmbë shtetin, është jo këmbanë alarmi, po është skandali i skandaleve përsa i përket aspektit ekonomik. Po kjo ku reflekton? Reflekton tek mirëqenia e shqiptarëve. Një gjë është e sigurt: shtresa e varfër nuk blen, pas shtresës së mesme, as ajo nuk po blen. Këtu blejnë një grusht njerëzish, të cilët pjesën dërrmuese të parave të tyre, jo të gjithë, por pjesa dërrmuese e tyre, pra e tyre i kanë në format antiligjor. Dikush i ka nga evazioni, pra ekonomi gri, apo dikush i ka para krimi, korrupsioni, klientelizmi e kështu me radhë, para te zeza. Janë para që janë jashtë sistemit, sepse një vend i cili nga njëra anë ke INSTAT-in që zyrtarizon krizë ekonomike, krizë, po krizë. Të mbajë shtetin në këmbë nga shteti është krizë, dhe nga ana tjetër të jenë shitje me çmime të Milanos, me çmime të Romës, apo të Londrës apo të Mynihut, kjo është diçka e cila nuk shpjegohet në asnjë teori dhe as praktikën ekonomike të gjithë vendeve të tjera.
Kjo shpjegohet vetëm me një rast: ku fluksi i parave që janë jashtë sistemit, pra paratë e pista, paratë e padeklaruar, para që nuk ka ardhur nga djersa e ballit, që nuk ka ardhur nga mundi i biznesit, që nuk ka ardhur nga zhvillimi ekonomik normal i një vendi, janë vende të cilat destinohen të falimentojnë në periudhë afatmesme dhe afatgjatë.
Ajo paraja e pistë, ajo paraja e informalitetit, të kënaq disa muaj. Të jep atë shkëlqimin. Pra duket si një flluskë momentale. Ajo molla e cila shkëlqen nga jashtë, po që brenda ka krimbat që po e gryjnë atë. Kjo është ekonomia shqiptare. Në fasadë, mrekulli jemi. Të vjedh madje edhe ndonjë i huaj kur thotë këtu është bërë vend i lirë, vend me zgjedhje të lira, të ndershme, thua ti sikur jeton neve në parajsë. Ndërkohë nga ana tjetër, brenda, një ekonomi dhe një shoqëri e cila po grryen veten e vet, e cila po ha atë pak dhjamë që i ka mbetur kockës, po ku do shkojë, çdo gjë e ka një limit. Dhe limiti përfundimtar është dhe kjo deklarata e sotme, e zyrtarizuar tashmë nga vetë INSTAT-i, ku thuhet që praktikisht ekonomia shqiptare nuk mbahet më në këmbë nga sektorët prodhues, nga sektori i shërbimeve, nga sektori i turizmit, nga sektori i bujqësisë. Po mbahet në këmbë nga vetë shteti.
Shteti që mban në këmbë shtetin, është një strukturë praktikisht që mban në këmbë 200-300 mijë veta. Po 2 milionë shqiptarët e tjerë, kush do, kush do t'i mbajë në këmbë? Po mbahet në këmbë nga shteti, po mbahet në këmbë nga punësimet... Po pra, është një shtet i cili mban në këmbë 200-300 mijë veta që punojnë në shtet, administrata, ata që janë të lidhur, që marrin rrogën e tyre, e çojnë në shtëpi, bëjnë sikur s'po ndodh gjë. Janë tashmë, janë të mësuar fatkeqësisht me këtë komoditetin e rehatllëkut negativ, që nuk reagojnë, që thonë shyqyr që kam pak bukë në shtëpi, që kam dy para për të paguar faturën e energjisë, shyqyr të paktën ha se po i blej këto librat për fëmijën tim e kështu me radhë, dhe nuk shohin përtej kunjit të shtëpisë së vet. Nuk e kuptojnë që kur hapin derën e shtëpisë dalin në një realitet i cili është komplet ndryshe. Realitet papunësie, realitet migracioni. Realitet që ka vende pune, po s'ke rini të punësohet. Ke tabela bizneset kudo përpara, luteshin rinia dhe njerëzit që të punësoheshin këtu edhe 10 vjet më para. Nuk gjenin dot vende pune. Sot ti ke vende pune, po njerëzit kanë ikur. Po pse kanë ikur njerëzit? Kanë ikur se këtu pagat kanë qenë skandaloze dhe janë skandaloze. Këtu nuk ke siguri arsimore, përsa i përket sistemit arsimor. Këtu mos paç kurrë hall, mos të çoftë zoti te shëndetësia, se o ke mik, o ke pare, ndryshe nuk, nuk zgjidh dot gjë. Këtu shërbimet e përgjithshme janë në nivelet më të ulëta të mundshme. Këtu thith një ajër i cili është kancerogjen, 18 herë më i ndotur se normat e lejuara të OBSH-së.
Këtu nuk ke, ke një pronë, nuk merr dot një çertifikatë pronësie po nuk dhe pare te hipoteka. Këtu paguan faturën e ujit, dhe paguan taksa për ujin, ndërkohë ti uji s'ke te, çezma e shtëpisë. Këtu paguan faturën e dritave, ndërkohë dritat ndërpriten dhjetëra herë, sidomos në zonat rurale. Këtu paguan, ke një buxhet prej 9.1 miliardë eurosh dhe ti nuk ke kanalet e ujitjes dhe të kullimit të hapura, mo zotëri. U përmbyt prapë, Shqipëria. Këtu u përmbyt Berati, qarku i Beratit, qarku i Fierit, qarku i Vlorës, qarku i Shkodrës, qarku i Korçës. Po si është e mundur, po të hapen kanalet?
Arnold Kariqi: Teliti këtu paguajnë shqiptarët 20 milionë euro kilometrin e rrugës... del, zv/kryeministrja me abuzime deri 5o milionë euro
Drojan Teliti: Po do vija deri aty, pra këtu çfarë, fiton sërish zgjedhjet qeveria. Do vija, do kthehem me të drejtë po do vija, pra këtu kemi çfarë i mungojnë shqiptarëve? Po për fat të keq ky grusht njerëzish, të cilët i marrin këto paratë e shqiptarëve dhe me SMS thonë, hiqja Dorianit, jepja Arnoldit. Se Arnoldi është më i gjatë se Doriani. Sepse unë kam gjetur gjuhën me Arnoldin. Dhe zhduken miliona, dhjetëra, qindra milionë euro, miliarda euro në hark kohor të 12 viteve, janë zhdukur praktikisht, me praktika klienteliste dhe korruptive, që tashmë janë vërtetuar dhe kanë dalë në komunikimet zyrtare se si janë ndërhyrë në këto tendera, dhe bëhet sikur s'ka ndodhur gjë fare. Madje mundohen të gjejnë artifica kushtetuese, në Gjykatën Kushtetuese apo në gjykata të tjera në të ardhmen, për të mbajtur në këmbë një sistem i cili në këmbë nuk mbahet dot më. Ore shqiptarët po ikin, shqiptarët nuk kanë, pjesa dërrmuese e shqiptarëve, nuk kanë bukë të hanë në shtëpia. Po erdhi dimri. Erdhi dimri. Pyeteni pak pensionistët me çfarë ngrohen në shtëpi. Batanija thonë ata, e përhershme. Batanijen kishim, batanijen kemi, rroftë batanija.
Ndërkohë kemi këtë krenarinë e madhe të dhënies së bonusit, i cili dje pata një takim me disa pensionistë në zonën time ku banoj, takim miqësor, banorë lagje praktikisht, të cilët thanë, njëri prej tyre tha, të gjitha i çova ata tek farmacia. Këtë muaj tha, do kemi ilaçe pak më tepër cilësore se ato që m'i japin me rimbursim që nuk bëjnë fare efekt. Të paktën një muaj tha, unë do blej ilaçe më të mira. Pse? Se fondi i rimbursimit të ilaçeve që kemi neve, ai i përhershmi, i zakonshmi, nuk të bën ty rimbursimin e duhur. Afërsisht 40% e ilaçeve rimbursohen sot. 60% paguhen nga xhepi. Dhe këtë nuk e themi ne, e thonë raportet e institucioneve ndërkombëtare, vlerësimet që ata kanë bërë. 60% e shëndetësisë ne e nxjerrim nga xhepi. 40% tjetër del po nga xhepi jonë, por me anë të taksave, me anë të tatimeve dhe të sigurimeve shoqërore dhe sigurimeve shëndetësore që neve paguajmë për sistemin shëndetësor. Jemi në një situatë alarmante, por që askush nuk po i jep drejtim. Dhe drejtimin do t'ia japin shqiptarët, do të reagojnë njerëzit. Çfarë bëjnë nëse shqiptarët nuk japin drejtim, se pastaj kalojmë për çështje do të kalojmë tek opozita se këtu për pak do thonë që fajin e ka dhe opozita që vjedh Balluku.
© SYRI.net