Një ditë pasi ish-zyrtarja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, u arrestua për abuzime me fondet, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi hetimin e aferës për kampusin në Tiranë, duke akuzuar Mogherinin dhe kryeministrin Edi Rama se, për interesa korruptive, kanë fryrë kostot për studentët. Në konferencën me gazetarët, Berisha u shpreh se, ndryshe nga situata në Shqipëri, ku drejtësia nuk lejohet të veprojë ndaj Belinda Ballukut, në Bruksel drejtësia nuk u pengua.
Një ditë pasi rektorja e Kolegjit të Europës, Federica Mogherini, ra në pranga e dyshuar për abuzime me fondet e BE-së në vlerën e 3.2 milionë eurove, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri thirrje Brukselit zyrtar të hetojë marrëveshjen e saj me kryeministrin Edi Rama për ndërtimin e kampusit në Tiranë. Në konferencën për shtyp me gazetarët, lideri i opozitës akuzoi Ramën dhe Mogherinin se kanë fryrë kostot e jetesës për studentët e Kolegjit Europian, për interesa korruptive.
Lideri i PD-së bëri një krahasim me standardet e drejtësisë së BE-së, duke thënë se, ndryshe nga Brukseli, ku zyrtarët europianë arrestohen kur dyshohen për abuzime me paratë e taksapaguesve, në Shqipëri drejtësia pengohet të veprojë ndaj Belinda Ballukut, e cila akuzohet për shkelje të barazisë në tendera me vlerë mbi 210 milionë euro.
I pyetur nga gazetarët për turin e “Foltoreve” që po ndërmerr Ervin Salianji, kreu i opozitës i cilësoi ato si takime private që nuk kanë lidhje me Partinë Demokratike.
Lideri demokrat theksoi se PD mbështet disa kandidatura për postin e Avokatit të Popullit.
© SYRI.net