SYRI TV
Manipulimi i rezultatit të zgjedhjeve të 11 Majit si dhe përdorimi i drejtësisë kundër opozitës ka qenë objekt debate në Kongresin Amerikan. Eksperti I çështjeve ndërkombëtare, Edward Joseph raportoi në Nënkomisionin e Jashtëm të Kongresit se në Shqipëri ka rënë pluralizimi, me raportime për manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit dhe arrestimin e liderëve të opozitës nga një drejtësi jo e paanshme. Ndërkaq kryetari i këtij nënkomisioni, Keith Self kërkoi nga Uashingtoni që të rivlerësohet Reforma në Drejtësi, pasi problemet e krijuara janë më të mëdha se para 10 viteve.
Uashingtoni duhet të ngrejë pyetje lidhur me sundimin e ligjit, integritetin dhe efikasitetin e gjyqësorit, arrestimet dhe ndjekjen penale të liderëve të opozitës, si dhe rënien e pluralizmit politik…
Eksperti i njohur amerikan, Edward Joseph, në një dëshmi të fortë në Kongresin amerikan, kërkoi kthimin e vëmendjes të Shqipëria, pasi sipas tij pluralizmi politik ka rënë, e kjo duke përdorur drejtësinë. Joseph ishte një nga pjesëmarrësit në diskutimet në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara për çështjen e Ballkanit, dhe solli në vëmendje manipulimin e zgjedhjeve të 11 Majit, që nga keqpërdorimi i pushtetit nga Edi Rama, e deri tek blerja e votave dhe presionet ndaj votuesve.
‘Raporti i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e majit identifikoi një sërë ndërhyrjesh në procesin zgjedhor. ODIHR citoi raportime për frikësim, keqpërdorim të burimeve publike dhe presion ndaj punonjësve publikë, raste frikësimi dhe blerje votash, si dhe probleme me sekretin e votës’.
Para kongresmenëve amerikan, Edward Joseph ngriti shqetësimin për mosfuksionimin e Reformës në Drejtësi, që sipas tij ka minuar besimin public.
‘Sundimi i ligjit mbetet një kërkesë thelbësore. Të dhënat sugjerojnë një stok të fryrë çështjesh të mbetura pezull. Këto vonesa minojnë besimin publik dhe të drejtën për proces të rregullt ligjor’.
Ndërkohë kryetari i Nënkomitetit për Evropën, Keith Self, dha alarmin mbi dyshimet për kapjen e drejtësisë, dhe kërkoi nga Uashingtoni që të veprojnë me një analizë se sa ka funksionuar reforma. Sipas Self, sot problemet janë edhe më të mëdha se sa para kësaj reforme.
‘Pas dhjetë viteve zbatim, është e arsyeshme të rishikohet nëse reforma në drejtësi po funksionon siç ishte parashikuar dhe nëse po ofron drejtësi të paanshme për qytetarët shqiptarë. Duhet të jetë shqetësuese për të gjithë fakti që ngërçi kombëtar i çështjeve gjyqësore është rritur nga rreth 16,000 çështje në fillim të reformës, në rreth 200,000 sot, duke lënë qytetarët të presin 8 deri në 15 vite për të marrë një vendim përfundimtar. Këto vonesa minojnë sundimin e ligjit’.
Shqipëria morri një vëmendje të veçantë gjatë diskutimeve në Kongresin Amerikan sa i takon çështjeve të drejtësisë në të cilat ndikojnë rrjete të pushtetit ekzekutiv, të cilat herë pas here sulmojnë ashpër deri në masa sigurie edhe liderët e opozitës. Ky lloj ndikimi për kongresin amerikan po e çon Shqipërinë drejt një minimi të demokracisë dhe sundimit të ligjit.
© SYRI.net