I ftuar në emisionin Kafe Shqeto në Syri TV, aktivisti politik Juxhin Gjoni u shpreh se arrestimi i ish-Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini, ka shkaktuar tronditje në Bruksel, duke nxjerrë në pah cenueshmërinë e institucioneve europiane ndaj korrupsionit.
Ai theksoi se, Mogherini është përfshirë në një aferë korruptive të lidhur me një tender për Akademinë Diplomatike në Kolegjin e Europës, çka sipas tij tregon se edhe zyrtarët më të lartë të BE-së mund të korruptohen për çështje në dukje të vogla.
Gjoni nënvizoi gjithashtu se ky rast ngre pikëpyetje të forta mbi integritetin e zyrtarëve të tjerë europianë, sidomos atyre që sipas tij kanë mbajtur qëndrime tepër favorizuese ndaj qeverisë shqiptare. Duke iu referuar figurave si Marta Kos dhe aleatëve të tjerë politikë të kryeministrit Edi Rama, ai argumentoi se një lidhje ideologjike nga e kaluara e tyre e përbashkët krijon një rrjet mbështetjeje që ndikon si në politikën e brendshme, ashtu edhe në proceset e integrimit europian.
Pjesë nga deklarata:
Federica Mogherini ka qenë një personazh shumë i njohur dhe shumë interesant gjatë viteve që Juncker ka qenë komisioner i Bashkimit Europian. Ishte, mund të themi, ministrja e jashtme e Bashkimit Europian dhe ishte një person që gjithmonë ka qenë pro zgjerimit të Bashkimit. Por çfarë ndikimi ka? Duhet të shohim që Mogherini, duke qenë një person që ka pasur diplomacinë europiane, ka pasur inteligjencën e Bashkimit Europian, në qoftë se mund ta themi kështu, Secret Services të Bashkimit Europian, është kapur në një aferë korruptive nga Kolegji i Europës dhe ka një ndikim shumë të madh, që tregon se edhe politikanët e nivelit të lartë mund të korruptohen për gjëra shumë të vogla.
Mogherini u arrestua nga tenderi që shpalli Bashkimi Europian për akademinë diplomatike, dhe tregon që të gjithë njerëzve u pëlqen, siç thonë grekët, “të vënë gishtin në mjaltë”.
Dëgjoni, ashtu si Mogherini, edhe Marta Kos, por edhe Edi Rama vijnë nga një sistem politik komunist. Të gjithë kanë qenë pjesë e komunizmit dhe të gjithë kanë një gjë të përbashkët: ideologjinë e tyre. Prandaj edhe shohim që gjithmonë e ndihmojnë njëri-tjetrin. Dhe për mua, problemi kryesor i këtyre njerëzve, sidomos i Marta Kos dhe i Mogherinit, është që janë politikanë në detyra të larta të Bashkimit Europian. Janë ata që duhet faktikisht të udhëheqin kombet europiane, por janë njerëz që nuk janë votuar. Janë njerëz të emëruar.
Edhe zoti Rama gjen rastin me këta njerëz, që e ndihmojnë ideologjikisht, nëse mund të them. Besojmë se edhe korruptohen, por nuk mund të themi diçka kur nuk kemi prova, që e ndihmojnë atë në politikën e brendshme dhe në politikën shqiptare.
Dëgjoni, ata gjithmonë kanë pasur, sidomos tani pas luftës, pas pushtimit të Rusisë në Ukrainë për herë të parë, që Bashkimi Europian të ketë interes t’i mbajë këto vendet e vogla afër. Pra, gjithmonë kanë thënë që Shqipëria po shkon mirë, Gjeorgjia po shkon mirë, Moldavia po shkon mirë. Por ne të gjithë, nga këto vende, e dimë sa mirë shkojnë vendet tona. Në Gjeorgji ka mbi dy vite që bëhen protesta, po ashtu edhe në Serbi.
Këtu në Shqipëri, po, opozita bën protesta, por nuk janë aq të fuqishme sa në vendet e tjera. Pra kjo s’do të thotë që vetëm sepse burokratët thonë që këto vende shkojnë mirë, edhe është e vërtetë. Ashtu u intereson atyre për momentin, që të kenë këto vende afër. Sapo të mbarojë lufta, e kam parë disa herë, do të shihni që politika do të ndryshojë, ashtu siç ka qenë ndryshuar edhe më përpara. Kanë qenë gjithmonë kritikë ose nuk flisnin për zgjerimin e Bashkimit Europian.
© SYRI.net