Neritan Ceka rrëfen si lindi pasioni për arkeologjinë: Babai na merrte me vete, gjithçka nisi në Apolloni

22:50, 02/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Emocioni i zbulimit arkeologjik është një ndjesi e papërshkrueshme, një moment i veçantë ku toka lëshon sekretet e saj shekullore. Për disa, ky është një profesion, por për të tjerë, si në rastin e politikanit dhe arkeologut të njohur Neritan Ceka, është një trashëgimi guximi dhe pasioni e përcjellë nga i ati, Hasan Ceka.

Në një rrëfim të tij, Ceka e përshkruan të atin si një “guximtar” të kërkimeve arkeologjike, duke shtuar me modesti se edhe vetë ndihet “super guximtar, ndoshta pak më shumë se babai”. Ky guxim, i kombinuar me një intuitë të mprehtë, rezultoi në një nga zbulimet më të rëndësishme në parkun e Apollonisë gjatë viteve ’60.

Në një ekspeditë masive ku merrnin pjesë rreth 30 arkeologë, 40 studentë dhe 200 punëtorë, ishte pikërisht intuita e Hasan Cekës që përcaktoi një pikë të saktë gërmimi. Nga thellësia e tokës nuk doli një, por plot 11 skulptura me vlerë të jashtëzakonshme. Njëra prej tyre, një portret i një figure që të kujton senatorët romakë, dallohet për tiparet e saj unike. Sipas Cekës, identifikimi i veprës është i qartë për një sy të stërvitur: veshja me togën karakteristike, stili i flokëve dhe veçanërisht teknika e realizimit të syve. Hapja e vrimave në beben e syrit me anë të një truele për të krijuar efektin e dritëhijes është një element tipik i artit romak.

Ky pasion për arkeologjinë ishte një thirrje personale për Neritan Cekën, pasi asnjë nga vëllezërit e motrat e tij nuk e ndoqi këtë rrugë. Kontakti i tij i parë i vërtetë me këtë fushë ndodhi pikërisht në Apolloni, gjatë verave të vështira të fundviteve ‘40, kur ishte vetëm një fëmijë. I rrethuar nga gurët dhe mbishkrimet antike që ende nuk dinte t’i lexonte, lindi “dashuria me shikim të parë” me profesionin që do të përcaktonte jetën e tij.

Ndërsa flet për të kaluarën, Ceka shpreh optimizëm edhe për të ardhmen, duke përmendur brezin e ri të arkeologëve të talentuar, siç është zbulimi i një varri në Strikçan të Bulqizës, si dëshmi se pasioni dhe guximi për të zbuluar të shkuarën vazhdojnë të trashëgohen.

Ceka:

Ka arkeologë që gjithë jetën nuk gjejnë asgjë. Por, siç thotë latini, fati ndihmon guximtarin. Dhe babai ka qenë një guximtar i kërkimeve arkeologjike.

Unë jam super guximtar. Domethënë jam dhe pak më guximtar se babai.

 Por dua të them që, natyrisht që kam dhe pasues në këtë drejtim, të guximit. Dhe jo, ka dhe të rinj fare. Mund të them ai që, më i riu është ai që gjeti atë varrin në, në Bulqizë, në Strikçan dhe tregon që kam pasues, pavarësisht se s'ka qenë nxënësi im direkt, por unë e konsideroj të këtij drejtimi. Këtu jemi në gërmimet e Apollonisë. Në këto gërmime ku ka qenë dhe një, një student i mjekësisë i quajtur Shaqir Krasta...

Pra ne kemi qenë rreth, kemi qenë rreth 40 studentë. Ka pasur 200 punëtorë, dhe 30 arkeologë. Jemi në gërmimet e viteve '58, '59, '60. Këtu jemi në '60, ku babai, përcaktoi një vend gërmimi, me intuitën e tij ku dolën 11 skulptura, jo një. Pra, kjo që shikojmë është njëra prej këtyre 11 skulpturave. Ka qenë një bashkëpunim në atë kohë.

Po pikërisht, ja e sheh që edhe ti që nuk je arkeolog kupton që është një, se duket nga toga, apo jo, nga mënyra, nga flokët. Syte që kanë vrimë, janë tiparet që lidhen me Romën. Vetëm romakët e bënin si teknikë të prodhimit... domethënë me, me një truelë bëjnë vrimat e bebes së syrit me dritë e hije.

Nuk na ka nxitur, por unë e kam pasur këtë prirje që më kujtohet që kam qenë vetëm shtatë vjeç kur...
Të tjerët nuk e kanë pasur pasion arkeologjinë dhe unë kam shkuar, e kam shoqëruar babain që pesë, gjashtë vjeç kur shkonte nëpër ekspedita, por kontaktin më të mirë me arkeologjinë e kam pasur pikërisht në Apolloni, ku ai merrte gjithë familjen në atë kohë. Në atë kohë të vështira, jemi në '48-ën, ku nuk ekzistonte asgjë, në korrik-gusht, dhe aty jam, po themi, dashuruar për herë të parë me arkeologjinë. Impresioni që pata kur pashë gurët, mbishkrimet, që nuk i lexoja dot...

Në qoftë se nuk do ishA bërë arkeolog, do isha bërë doktor. 
Ose aviator.
Në këtë foto është Artani që ishte inxhinier miniere i jashtëzakonshëm, shumë i mirë, njeriu që ka bërë për herë të parë tunelet që i ka bërë Kalt Gega, domethënë shpimin e tuneleve nga dy drejtimet, ose galeritë e, e Bulqizës. Edhe, është në qendër Shaban Demiraj, që ishte në atë kohë kryetar i Akademisë së Shkencave, gjuhëtar, shumë i mirë, domethënë nga pasuesi i Eqrem Çabejt dhe ka ardhur me rastin e 90-vjetorit të babait. Është babai atje, në 90-vjetorin e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco