Avokati Altin Goxhaj, i ftuar në ‘A Krasta Show’ ka bërë një sërë akuzash të forta ndaj asaj që e cilëson si një “rrjet të padukshëm ndërkombëtar”, të ngjashëm me modelin e “deep state”. Ai pretendon se figura të njohura politike në rajon dhe në Europë veprojnë brenda një sistemi të strukturuar që riciklon pozicione dhe influencë, duke mbrojtur interesat e një establishmenti transnacional.
Goxhaj lidh këtë rrjet me projektet e financuara nga BE në Shqipëri, duke përmendur edhe çështjen e Kolegjit Europian në Tiranë, për të cilin thotë se ekzistojnë dyshime për korrupsion. Ai bën thirrje që këto projekte të hetohen nga institucionet europiane, ndërsa thekson se aktivistë dhe studentë shqiptarë kanë përgatitur dokumentacion për këtë qëllim.
Altin Goxhaj: Unë mund ta them me plot gojën që ekziston një rrjet i padukshëm, siç është deep state-i që ne themi për Amerikën, që ekziston në këtë, si të thuash, zonë kontinentale, Bashkimin Europian dhe pjesën e Europës. Dua të të kujtoj një detaj. Ish-kryeministri i Gjeorgjisë, më duket se quhet Saakashvili, nuk e mbaj mend mirë emrin, një nga njerëzit e Sorosit, u bë dhe një lloj këshilltari i Edi Ramës për një periudhë të caktuar kohe. Po ashtu u bë dhe një njeri i rëndësishëm në poste të larta ministrore të Ukrainës. Ka një network që lëviz kudo, që kushdo që ikën nga një pozicion, garantohet në një pozicion tjetër.
Dhe ky është një model i ruajtjes së establishment-it. Është një model i cili ekziston përtej nesh, më shumë se ne dhe mbi të gjitha për shumë e shumë palë. Këto palë nuk bien kurrë në tokë, prandaj dhe janë besnikë. Janë besnikë se e dinë që kanë garanci t'i shërbejnë network-ut të tyre, sepse gjithmonë do të jenë mbi ujë për shkak se dikush tjetër do t'ia zgjasë dorën që t'i pozicionojë në një moment të caktuar kur mund të jetë një, një vakum derisa të bëhen gati për një pozicion të ri. Pra, koncepti i Yuri Kimit, i Kosit, i kujdo tjetër, në thelb çfarë është? Është një network që i mban këta në kurriz të popujve, të kombeve dhe të interesave kombëtare. Është një rrjet i madh korruptiv me shumë para. Për shembull, Mogherini e ka rrogën 14,000 euro. 14,000 euro, ju e dini shumë mirë që nuk është një rrogë e vogël, sepse është vetëm rroga.
Mendo dhe ato pjesët e suporteve të tjera që ka një zyrtar i lartë, siç është Mogherini në pozicionin që ka. Logjika qëndron që në të gjithë këtë network, Edi Rama është një nga përfituesit për faktin se, prania e tij në familjen Soros dhe prania e tij në këto grupe që janë këtu, duke qenë se Shqipëria është miniera e artë më e madhe e Europës para Spanjës, dhe mund ta them, ju e mbani mend se si luftohesh në të gjithë Europën, nga çdo shtet, që të punësoheshin në ambasadat e tyre në Shqipëri, për shkak të pasurimit të menjëhershëm që mund të ndodhte, që ishte një minierë ari Shqipëria me vizat dhe me korrupsionin e asaj kohe. Kjo ka ngelur. Shqipëria sot, çdo para, çdo gjë që ne kemi, edhe unë paratë që i kam në xhep, dhe ti që ke para në xhep, kushdo që ka para në xhep, ato nuk kanë në bazë arin, por kanë kokainën dhe pastrimin e parave.
Pasi e vetmja ekonomi që ka Shqipëria, është pastrimi i parave dhe droga. Ne jemi një vend, si të thuash, që jetojmë mbi paratë e drogës. Këto para janë kesh, janë të gjitha format dhe është ëndërr të kesh një projekt në Shqipëri, siç është rasti i Mogherinit në Tiranë, te Qyteti Studenti. Ai është një nga projektet më korruptive dhe unë dua të kujtoj që dy aktivistë, dy studentë, Andrea Bregu dhe Aurel Kujtimi, kanë përgatitur një dosje pikërisht për këtë rastin konkret, se si po bëhet korrupsion këtu, me paratë e BE-së, me paratë e qeverisë shqiptare dhe më telefonuan sot që se si ata mund ta bënin që t'ia çonin zyrës së hetimit të Mogherinit, atje në Europë, pikërisht si një, si një element plus për të hetuar, për të hetuar, se si kolegji europian është një rrjet korrupsioni që bashkëpunon me palë të korruptuara për të prodhuar korrupsion.
© SYRI.net