'Rama po shet Shqipërinë'/ Dogjani: Bashkimi, armiku më i madh i diktaturës, me Berishën, fundi i regjimit është pranë

20:40, 02/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një takim me anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike në njësinë nr.9,  ish deputeti i Partisë Demokratike Asllan Dogjani, lëshoi akuza të rënda ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar situatën aktuale politike si një diktaturë.

Dogjani e nisi fjalën e tij duke falënderuar anëtarët e strukturave të PD-së në njësitë 8 dhe 9 për punën e tyre gjatë fushatës zgjedhore, duke i quajtur ata "heronjtë e Partisë Demokratike". Ai theksoi se përballja në zgjedhje nuk ishte e lehtë, pasi përballë kishin "shtetin, banditët, paranë dhe kriminelët, me në krye Edi Ramën". Sipas tij, kryeministri nuk bëri një luftë për të përmirësuar jetën e qytetarëve, por "bëri luftë vetëm ndaj opozitës".

Duke e përshkruar regjimin si një diktaturë, Dogjani deklaroi se kryeministri po përdor propagandën dhe frikën për të përçarë dhe për t'i detyruar qytetarët dhe opozitën të largohen nga Shqipëria.

"Ndërkohë që vjedhin miliona, ai përditë bën luftë si e si t'i fusë frikën opozitës, qytetarëve shqiptarë, t'i detyrojë të ikin", u shpreh ai.

Në fjalën e tij, Dogjani bëri thirrje për unitet dhe rezistencë, duke theksuar se demokratët nuk janë skllevër dhe nuk do të ulin kokën përpara hajdutëve dhe kriminelëve. Ai u shpreh se momenti aktual kërkon më shumë bashkim se kurrë, pasi sipas tij, "rrezikohet Shqipëria, rrezikohemi ne të shpërbëhemi si komb".

Ai theksoi se përparësi mbetet përballja me qeverinë.

"Ne kemi më shumë për t'u bashkuar se për t'u ndarë," pohoi Dogjani. Fjalimi i tij u mbyll me një mesazh optimist, duke u shprehur i bindur se me Sali Berishën dhe me mbështetjen e qytetarëve, "qeveria i ka ditët e fundit". Fjala e Dogjanit u pasua nga një përgëzim i Sali Berishës, i cili e vlerësoi fushatën e tij si një "fushatë model" dhe "shumë të veçantë".

Dogjani:

Mirëmbrëma të gjithëve. Mirëmbrëma doktor Berisha. Faleminderit që keni ardhur në takim me banorët e njësisë nëntë, anëtarët e Partisë Demokratike.

Unë në fakt nuk e kisha në mend me fol se thashë të flasin qytetarët, anëtarët e partisë, por meqënëse ma sollën mikrofonin, do t'ju them edhe unë dy fjalë. Në radhë të parë dua t'ju falenderoj ju me mirënjohje të thellë çdo anëtari, pjesë e strukturës së Partisë Demokratike të njësisë nëntë, me të cilën në zgjedhjet e 11 majit unë kam qenë me një pjesë të tyre dhe keni bërë një punë të jashtëzakonshme.

Keni bërë një punë të mrekullueshme dhe unë jam dëshmitar që bashkë me ju kemi trokitur derë më derë dhe si rezultat i punës tuaj, ne arritëm që të dilnim mirë në njësinë nëntë. Unë e kam thënë dhe në vende të tjera, në takime të tjera, që vetëm ju, se po të ishte në një vend tjetër të botës, në këtë lloj diktature, ne do të ishim përgjysmuar ose do të kishim shkuar shumë e shumë më pak. Por ju jeni heronjtë e Partisë Demokratike dhe jua them me shpirt, dhe keni mirënjohjen time më të thellë.

Ne pamë se u përballëm me një fushatë që kishte përballë shtetin, banditë, para, kriminelë, me në krye Edi Ramën, i cili bëri, në 12 ditë nuk bëri luftë për të përmirësuar cilësinë e jetës apo për qytetarët shqiptarë, por bëri luftë vetëm ndaj opozitës. Dhe për këtë jemi të gjithë dëshmitarë. Ashtu siç shohim përditë sot e kësaj dite, çfarë bën ky njeri? Ndërkohë që vjedhin miliona, gjithë qeveria ka hyrë në burg, ai përditë bën luftë si e si t'i fusë frikën opozitës, qytetarëve shqiptarë, t'i detyrojë të ikin, të largohen nga Shqipëria.

Çdo ditë këtë bën, këtë punë bën. Propagandë, frikë, përçarje. Po çfarë do të bëjmë ne? Do të përkulemi përpara këtyre hajdutëve? Do të ulim kokën? Ne nuk jemi skllevër të këtyre. Ne jemi qytetarë që duhet të jetojmë me dinjitet në vendin tonë. Ne nuk duhet të kemi frikë, jo ne këtu, por asnjë qytetar i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë. Ne nuk i kemi frikë hajdutët. Ne nuk kemi frikë kriminelët. Ne do të bëjmë gjithçka dhe të mos na përçajnë që të merremi jo u bë analiza, jo s'u bë. Çfarë analize? Gjithë, gjithçka të bënim ne përballë këtij shteti nuk mund të fitonim. Ne nuk hynim në luftë me armë. Ne kemi bërë gjithçka të fitojmë në një fushatë demokracie, po të quhet demokraci. Kjo nuk është demokraci miq.

Kjo është diktaturë. Dhe diktatura do përballje. Diktatura nuk do të merremi me njëri-tjetrin. Sigurisht që do merremi edhe me analizën. Pavarësisht, sigurisht që ne kemi gabimet tona. Dhe ne do t'i diskutojmë patjetër. Sigurisht që partia duhet të hapet. Sigurisht që duhet të shkojmë te çdo qytetar siç shkuam në fushatë, kam shkuar unë derë më derë dhe kam marrë rreth 8000 vota.

Sigurisht që ne duhet të hapemi të shkojmë te çdo qytetar t'i japim shpresë, të marrim rininë, gruan. Duhet patjetër të afrohet. Dhe këto do ta bëjmë ne. Do të shkojmë në strukturë, do të shkojmë në seksion, grup seksion, duhet të hapim partinë. Marrim intelektualë, duhet t'i afrojmë partisë patjetër. Ama momenti shumë deciziv është tani. Se ne kemi më shumë për t'u bashkuar se për t'u ndarë.

Ne kemi shumë më shumë për të qenë bashkë përballë këtij regjimi se rrezikohet Shqipëria. Rrezikohemi ne të ikim, të shpërbëhemi si komb. Ligji që bëri për gjininë dhe më vjen shumë mirë dhe falenderoj doktor Berishën që tha do ta çojmë në Kushtetuese. Duhet çuar në Kushtetuese sepse prezumimi i pafajësisë është me Kushtetutë. Nuk ka ligj që del mbi Kushtetutën dhe ai ligj duhet rrëzuar. Se ne nuk mund të dalim kundër shumicës së qytetarëve shqiptarë. Edhe njëherë, nuk dua të zgjatem shumë sepse dua t'ju lë ju që të flisni.

Unë do t'ju falenderoj shumë me mirënjohje për gjithçka që keni bërë, por miq është koha të ngremë kokën, mos ta ulim kokën dhe nuk duhet të kemi frikë as nga hajdutët, as nga maskarenjtë, as nga banditët, as nga kriminelët, as nga këta të cilët e kanë poshtëruar Shqipërinë. E kanë shitur Shqipërinë. Edi Rama ka shitur sovranitetin e këtij vendi. Edi Rama për karrigen e tij e ka shitur Shqipërinë, e ka shitur kudo.

Vetëm për karrigen e tij bën gjithçka. Ai është një kriminel ndaj shqiptarëve dhe një llapirës ndaj ndërkombëtarëve. Prandaj bashkë bëhemi dhe unë jam i bindur që me Sali Berishën këtu, me ju, me çdo qytetar të Tiranës, këta i kanë ditët e fundit dhe për shkak se i kanë ditët e fundit, bëjnë këtë sulm të madh ndaj Partisë Demokratike, jo s'janë bërë zgjedhjet, jo s'janë bërë analiza, jo kështu jo ashtu. Jo jo. Këto do t'i bëjmë. Këto do merren me veten. Ama të bashkuar, mbajeni mend që ai nuk e çon vitin tjetër. Këtu do të jemi. Bashkë do të jemi sepse i ka ardhur fundi. Shumë faleminderit që më dëgjuat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco