Kryetarja e PD-së në Njësinë 9, Eda Grimçi, ka mbajtur fjalën e saj në foltoren e ngritur në këtë njësi, duke shpallur rindezjen e një beteje politike që, sipas saj, mund të jetë vendimtare.
Ajo denoncoi presionet, patronazhistët, oligarkët dhe institucionet e kapura nga qeveria, ndërsa shprehu mirënjohje për demokratët që prej 12 vitesh përballen me padrejtësinë pa u dorëzuar. Grimçi foli edhe për plagët e brendshme të PD-së, duke pranuar se partia është goditur jo vetëm nga kundërshtarët politikë, por edhe nga individë që e kanë përdorur për interesa personale.
Eda Grimçi: Sot nuk jemi mbledhur thjesht për një takim. Sot jemi mbledhur për të rindezur edhe një betejë, ndoshta atë përfundimtaren. Një betejë që e kemi nisur prej kohësh, por që kjo qeveri, me gjithë makinerinë e saj të patronazhistëve, të krimit të organizuar, të oligarkëve, të mediave të kapura dhe të institucioneve të uzurpuara, ka bërë gjithçka për ta shtypur. Dhe askush nuk e ka ndier peshën e kësaj beteje më shumë sesa demokratët. Faleminderit juve. Nuk do rresht kurrë t'ju falënderoj. Po-po juve që keni 12 vite që duroni padrejtësinë. 12 vite lodhje, 12 vite mërzi, 12 vite zhgënjim. 12 vite ku shteti ka funksionuar vetëm për një grusht njerëzish, të lidhur me pushtetin, ndërsa qytetarëve, demokratëve, u është kërkuar të heshtin, u është treguar grushti i terrorit. Dhe ju nuk u përkulët, nuk u shitët. Ju nuk u bletë me 50,000 lekëshin që Partia Socialiste u ofron qytetarëve sikur po u bën ndonjë nder, 50,000 lekëshin e mizerjes. Ju nuk u frikësuat nga patronazhistët që i dërguan derë më derë për t'ju survejuar, etiketuar dhe kontrolluar. Ju nuk u trembët nga presioni i administratës, nga kërcënimet me vende pune, nga telefonatat e militantëve të Partisë Socialiste që ju thoshin hapur, në çdo telefonatë, vota është punë, është interes, është kushti i vetëm për të jetuar. Jo, ju zgjodhët lirinë, ju zgjodhët Partinë Demokratike.
Me keqardhje të madhe, më duhet të pranoj këtu përpara jush që këto 12 vite s'kanë qenë vetëm betejë me Edi Ramën dhe me rilindjen e tij të rreme, me bandat e tenderave, me zgjedhjet që kanë rezultuar një pazar mes parave, drogës dhe pushtetit. Këto 12 vite kanë qenë edhe një betejë e padrejtë edhe brenda shtëpisë tonë. Po po, le ta themi hapur. Partia Demokratike është goditur nga brenda më shumë sesa nga jashtë. Dhe kush e ka goditur këtë parti? Ata që Partinë Demokratike e kanë parë shpesh si trampolinë. Ata që kanë ardhur këtu për interesa personale. Ata që kanë përfituar me vite me radhë, kanë marrë poste, kanë marrë privilegje, kanë marrë gjithçka. Dhe kur nuk morën dot më shumë, kur nuk i dolën llogaritë, kur nuk i llogariti më njeri për atë që kishin dhënë ose që pretendonin që kishin dhënë, ata vendosën të ikin duke sharë shtëpinë që i rriti.
© SYRI.net