Partia Demokratike ka nisur turin e foltoreve me një takim në Njësinë nr. 9, ku drejtues dhe mbështetës të forcës politike zhvilluan bashkëbisedim me demokratët e zonës.
Gjatë këtij takimi, kreu i Forumit Rinor të PD-së, Besart Xhaferi, mbajti një fjalim të fortë politik, duke akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe keqqeverisje. Xhaferi deklaroi se në këtë betejë opozitare, Sali Berisha mbetet figura kryesore që sipas tij “do të inspirojë shqiptarët për ta çuar vendin drejt ndryshimit politik”.
Duke iu referuar zhvillimeve ndërkombëtare, Xhaferi përmendi edhe çështjen e raportuar të ish-përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, duke e përdorur rastin, siç u shpreh ai, për të theksuar se “drejtësia duhet të veprojë njësoj në çdo vend”.
Ai përsëriti akuzat ndaj anëtarëve të kabinetit qeveritar, duke përmendur çështje të tilla si pretendimet për korrupsion dhe abuzim me fondet publike. Sipas tij, “rastet e abuzimit me taksat e qytetarëve duhen ndëshkuar”, duke e krahasuar situatën me vendet e tjera të Evropës.
Xhaferi u ndal edhe te zgjedhjet e 11 majit, të cilat i cilësoi “farsë elektorale”, duke akuzuar mazhorancën për përdorim të administratës, fondeve publike dhe presioneve politike.
Në mbyllje të fjalës së tij, kreu i FRPD ritheksoi thirrjen për bashkim të demokratëve dhe të gjithë qytetarëve që ndajnë të njëjtën pakënaqësi ndaj qeverisë, duke deklaruar se misioni i opozitës është “çlirimi i vendit nga ajo që e quajti narkodiktaturë”.
Takimi është pjesë e një serie aktivitetesh që PD ka paralajmëruar se do t’i zhvillojë në të gjithë vendin në vijim të aksionit opozitar.
Xhaferri:
Kemi sonte këtu edhe kryetarin Berisha, kryetari i Partisë Demokratike, kryetari që ka udhëhequr betejat më të vështira që ka pasur demokracia shqiptare këtu e këto 35 vite. Dhe dhe në të njëjtën kohë, personi që i kemi të gjithë sytë, i cili do inspirojë të gjithë shqiptarët për ta rrëzuar Edi Ramën dhe për ta çuar tek vendi ku meriton. Edi Rama meriton të shkojë te shokët e tij dhe patjetër t'i bashkangjitet sot edhe shoqes së tij më të ngushtë, Federica Mogherinit, e cila u arrestua edhe sot.
Po e përmend Federica Mogherinin, megjithëse është një rast në Bruksel. Po e përmend edhe për Gjykatën Kushtetuese që të kuptojë që drejtësia në çdo vend të botës bën detyrën e saj dhe duhet të ndalojë ata që kapen në flagrancë.
Njerëzit që kapen duke vjedhur në zyrë janë ata që duhen ndaluar menjëherë. Dhe rasti i Belinda Ballukut është një rast që nuk është i vetmi në Evropë, as i vetmi në botë. I kemi deklaruar raste të ngjashme në Rumani, në Itali, në Gjermani, në Angli dhe kudo tjetër. Kush vjedh taksat e qytetarëve, meriton të shkojë në burg dhe i gjithë kabineti i qeverisë Rama 1, Rama 2, Rama 3 dhe së fundmi i anonimëve të Rama 4, janë një bandë hajdutësh që kanë vjedhur paratë, ju kanë larguar fëmijët nga shtëpitë tuaja dhe mbi të gjitha kanë vrarë shpresën në një ekonomie që mund të sjelli zhvillim për shqiptarët dhe ka lindur ekonominë që ka sjellur zhvillim vetëm për narkotrafikantët dhe klientët e qeverisë.
Ajo që patjetër ne na thërret misioni sot, është të bëhemi të gjithë bashkë në një kauzë. Edi Rama mos ta shijojë asnjë ditë më tepër farsën elektorale që vodhi në 11 maj. Atë farsë që e dimë që të gjithë si e kemi hequr mbi kurriz, dhe të gjitha sulmet që erdhën nga buxheti shtetëror, nga administrata shtetërore, nga patronazhistët, nga bandat kriminale, nga mediat, po në të njëjtën kohë, të cilat vetëm i bënin veri dhe fresk një kryehajduti që 12 vjet ka vjedhur dhe ka shantazhuar këdo, dhe sot pretendojnë që problemi jemi ne.
Ne s'kemi qenë kurrë problemi. Ne jemi shërimi dhe zgjidhja e halleve të shqiptarëve dhe këtë gjë do e tregojmë duke qëndruar dhe duke sjellur përsëri shpresën tek shqiptarët. Kështu që zoti Berisha keni detyrën së bashku me të gjithë ne të çlirojmë Shqipërinë nga narkodiktatura.
© SYRI.net