VIDEO/ Kepi: Mogherini ka shkelur sekretin diplomatik për interesa klienteliste. Brukseli në krizë imazhi

18:01, 02/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një skandal i përmasave të mëdha ka tronditur institucionet europiane, pas arrestimit të ish-Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme, Federica Mogherini, dhe dy zyrtarëve të tjerë të lartë nën akuzat për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Operacioni, i drejtuar nga Prokuroria Europiane, vjen si rezultat i një hetimi për keqpërdorim të fondeve të BE-së në lidhje me Kolegjin e Evropës.

Sipas informacioneve të gazetares Alba Kepi përveç Mogherinit, nën masë ndalimi janë vënë edhe Stefano Sannino, aktualisht komisioner europian për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, si dhe menaxheri i Kolegjit të Evropës, emri i të cilit nuk është bërë ende publik. Të tre të ndaluarit do të mbahen në dispozicion të autoriteteve për 48 orë për t'u marrë në pyetje.

Pas këtij afati, sipas saj do të vendoset nëse masa e ndalimit do të konfirmohet ose do të zëvendësohet me një masë më të lehtë hetimore. Si Mogherinit, ashtu edhe Sanninos u është hequr mandati diplomatik europian.

Alba Kepi tha për TASK FORCË në SYRI TV se në qendër të akuzave qëndron një skemë e dyshuar korruptive që lidhet me ngjarje të viteve 2021-2022. Dyshohet se Mogherini, duke shfrytëzuar pozicionin e saj drejtues në krye të Kolegjit të Evropës që nga shtatori 2020, ka shkelur sekretin profesional duke informuar përfaqësues të këtij institucioni për një garë publike të financuar me fonde europiane. Kjo rrjedhje informacioni sipas Kepit dyshohet se i ka dhënë Kolegjit një avantazh të padrejtë për të fituar fondet në mënyrë klienteliste, duke minuar një garë të ndershme ku mund të merrnin pjesë edhe aplikantë të tjerë.

Sipas Kepit, hetimi, i cili ka nisur që në vitin 2021, ka kulmuar me një operacion të gjerë policor në orët e para të mëngjesit. Autoritetet kanë kryer kontrolle jo vetëm në dy selitë e Kolegjit të Evropës, por edhe në banesat private të të dyshuarve. Gjatë kontrolleve janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme dokumentesh, të cilat tashmë janë vënë në dispozicion të prokurorisë për ekzaminim të mëtejshëm.

Skandali merr një dimension edhe më të theksuar për shkak të përfshirjes së figurave kryesore italiane, çka ka nxitur spekulime për një “dorë italiane” në këtë aferë.

Kepi shprehet se përtej pasojave ligjore për individët, ngjarja ka shkaktuar një dëm të madh imazhi për Kolegjin e Evropës, një nga akademitë më prestigjioze në kontinent, e njohur për formimin e brezave të tërë të diplomatëve dhe zyrtarëve më të rëndësishëm europianë.

Kepi:

Aksioni i jashtëm i Bashkimit Europian. Pra është shërbimi apo seksioni apo organi i Bashkimit Europian që menaxhon aktivitetet e jashtme të Bashkimit Europian. Është organi i cili jep fonde për të menaxhuar projekte të tilla siç është Kolegji Europian.

Dimë se janë, përveç Federica Mogherinit janë arrestuar apo vënë nën masë ndalimi, pasi pas konsultimit që kam pasur me kolegët belgë, më kanë thënë se ata janë 48 orë, duhet të qëndrojnë në dispozicion të Prokurorisë Europiane për t'u marrë në pyetje apo për t'u prezantuar me një avokat mbrojtës derisa të sqarohet pozicioni i tyre. Brenda këtyre 48 orëve, o do të konfirmohet masa e ndalimit, pra ashtu siç ka dalë lajmi fillimisht, që janë ndaluar, pra janë nën masë privimi lirie, o do të kemi një masë më lehtësuese, nën hetim me kushtet që do të vërë prokuroria belge. Dhe përveç Federica Mogherinit, janë arrestuar dhe dy persona të tjerë, është Stefano Sannino, i cili aktualisht është komisioner europian për Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, dhe një person i tretë që thuhet dhe ende emri nuk është bërë publik, që është menaxher i shkollës, pra i kësaj akademie, Kolegji Europian.

Dimë se i është tërhequr mandati diplomatik europian si Federica Mogherinit, ashtu dhe Stefano Sanninos.
Dimë gjithashtu se përtej kontrollit që është bërë dy selive të të Kolegjit Europian, janë kontrolluar dhe banesat e tyre. Dimë gjithashtu që janë marrë në dispozicion të Prokurorisë Europiane mjaft dokumente që lidhen me gjithçka që ka ndodhur. Një operacion që ka nisur rreth orës 7:00 të mëngjesit, ku ka shokuar dhe ata persona të cilët ndoshta nuk janë përfshirë dhe nuk kanë ditur asgjë se çfarë ka ndodhur. Flasim për raste e episode që i përkasin vitit 2021-2022.

Për kronologji të ngjarjeve, Federica Mogherini merr drejtimin e Kolegjit Europian, pra ky, kjo shkollë, kjo akademi nën menaxhimin e këtij seksioni europian të aksioneve të jashtme, pra aktiviteteve të jashtme, e merr në shtator të 2020-ës. Hetimi i prokurorëve të pavarur të Bashkimit Europian nis në 2021-shin. Ashtu siç thamë dhe në kronikë, dyshohet se, duke pasur rol drejtues brenda institucioneve europiane, ka shkelur sekretin diplomatik profesional, të rolit institucional që ka brenda BE-së, duke informuar përfaqësues të Kolegjit Europian për këtë garë publike që bëhej me fondet europiane, në mënyrë që ata të përfitonin nga këto fonde në mënyrë krejt klienteliste. Pra duke ditur shumë gjëra përpara, për të fituar këto fonde duke shkelur këtë garë të ndershme që mund të ishte bërë dhe nga përfaqësues të tjerë të cilët kërkonin të hapnin një kolegj të tillë europian.

Pra në vija të përgjithshme kjo është ajo çfarë ka ndodhur.

Në fakt thonë se ndoshta dhe personi i tretë është italian. Ende nuk është konfirmuar. Faktikisht di nga kolegët belgë që ata e konsiderojnë Universitetin e Bruges, pra gjithçka që lidhet me atë akademi, mjaft prestigjioze. Një shkollë ku kanë dalë diplomatët dhe emrat më të rëndësishëm të diplomacisë europiane. Dhe komenti që bëhet është pikërisht se kjo gjë që ka ndodhur me Mogherinin apo italianin tjetër,  janë në njëfarë mënyre dëmtojnë dhe imazhin e kësaj akademie.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco