VIDEO/ Leskaj kritikon kufizimin e kohës së fjalës në Kuvend: Po na hiqni të drejtën për të përfaqësuar zgjedhësit

16:39, 02/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, gjatë fjalës së tij në seancën plenare, ka kundërshtuar vendimin e Konferencës së Kryetarëve për kufizimin e kohëzgjatjes së seancës dhe të fjalës së deputetëve. Ai u shpreh se ky vendim bie ndesh me rregulloren dhe pengon përfaqësimin real të qytetarëve në Kuvend.

“Zoti kryetar, nuk e kuptoj pse vendosni katër orë. Neni 48 përcakton qartë kohën e fjalës së çdo deputeti. Ju po i privoni deputetët nga e drejta për të folur për problemet e zgjedhësve, për zhvillimet në zonat tona”, tha Leskaj.

Ai theksoi se distanca mes deputetëve dhe qytetarëve është rritur më shumë se kurrë dhe se Kuvendi duhet të shërbejë si tribunë për ngritjen e shqetësimeve të tyre. Sipas tij, minimalisht seanca duhet të zgjasë tetë orë, duke u dhënë deputetëve mundësinë të flasin 5–10 minuta secili.

Leskaj kritikoi gjithashtu edhe faktin se seancat e dedikuara për çështjet e zonave nuk po zhvillohen rregullisht: “Kanë kaluar dy-tre muaj pa u bërë një seancë e tillë. Po shkojmë në muajin e tretë dhe kjo është e para.”

Ai kujtoi se bashkitë e vendit zbatojnë 42 shërbime bazike dhe mbi 70% të legjislacionit, ndaj mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve dhe adresimi i problemeve lokale duhet të jetë prioritet i Kuvendit.

Leskaj i kërkoi kryetarit të Kuvendit që të rishikojë vendimin dhe t’i rikthehet funksionimit normal të seancave, në respekt të rregullores dhe të rolit të përfaqësuesve të popullit.

Leskaj:

Zoti kryetar, ashtu si dhe ju e theksuat, kjo seancë është një nga seancat më të rëndësishme gjatë zhvillimeve të punimeve të kuvendit. Tani nuk e kuptoj përse ju në konferencën e kryetarëve vendosni katërorë. Neni 48, pika tre, e ka të përcaktuar që në raste të veçanta, por ama pika një thotë çdo deputet për çështje të caktuar flet jo më shumë se 10 minuta.

Ju i privoni deputetët zoti kryetar për të folur për problemet e zgjedhësve, problemet e zhvillimeve në zonat tona, në bashkitë tona, në një kohë kur sot më shumë se kurrë ndihet ajo largësia e deputetëve nga zgjedhësit. Dhe mund të shkosh në zonë dhe pa dyshim ne shkojmë të gjithë, unë s'dua të paragjykoj asnjë, por në rast se shqetësimet e zgjedhësve tanë, të zhvillimit të zonave nuk ngrihen këtu në kuvend, nuk ka kuptim.

Minimalisht, zoti kryetar, kjo seancë duhet të jetë tetë orë dhe cilido deputet që dëshiron të flasë, të ketë mundësi të flasë pesë minuta, shtatë minuta, 10 minuta. Nuk jeni ju dhe konferenca e kryetarëve që duhet të përcaktoni ato. Dhe pastaj drejtuesit e grupeve, në veçanti drejtuesi i grupit të opozitës, vendoset në një pozicion disi jo të lehtë për të përcaktuar minuta tek deputetët.

Është e drejtë që e jep rregullorja e Kuvendit, është një e drejtë e përgjithshme për të folur deputetët, për të folur për zonat. Kujtoj këtu që në të 61 bashkitë e vendit, janë 42 shërbime bazike që implementohen në këto bashki dhe janë mbi 70% e ligjeve që zbatohen në bashki.

Ne vërtet kemi që jemi ligjvënës, por natyrisht duhet të shkojmë dhe në mbikqyrjen e zbatimit të këtyre ligjeve, por dhe të zhvillimit të zonës dhe problemet e qytetarëve. Mendoj që duhet ta korrigjoni zoti kryetar. Për më tepër, për më tepër që kam përshtypjen u bë rreth dy muaj, tre muaj që nuk është zhvilluar një seancë e tillë. Nuk është që duhet të zhvillohet një herë në muaj, kjo, ne po shkojmë në muajin e tretë të kuvendit dhe kjo është hera e parë që po zhvillohet. Faleminderit.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco