Deputeti demokrat Luan Baçi ka kritikuar ashpër mënyrën e menaxhimit të seancave plenare, duke e cilësuar “të turpshme” situatën ku deputetët detyrohen të “lypin minuta borxh” për të folur për shqetësimet e qytetarëve. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Baçi denoncoi se koha e vënë në dispozicion për të diskutuar problematikat e zgjedhësve është e pamjaftueshme dhe shpeshherë anashkalohet.
Ai përshkroi një skenë dramatike në sallën e Kuvendit, ku me vetëm katër orë në dispozicion, deputetët negociojnë me njëri-tjetrin për të siguruar disa sekonda më shumë kohë fjale. “Jemi që të gjithë gati që kur bie gongu i famshëm, të themi: ‘Zoti kryetar, të lutem dhe 30 sekonda’,” u shpreh ai, duke shtuar se kjo situatë i detyron ligjvënësit të mos arrijnë të shtjellojnë siç duhet shqetësimet që sjellin nga zonat e tyre zgjedhore. Sipas tij, çështjet kalojnë formalisht, pa u kuptuar thelbi i problemit.
Luan Baçi: Jam në një linjë me zotin Leskaj, por për mos të mbivendosur, juve thatë që vetëm dy të hëna kanë kaluar. Në fakt, edhe data 27 tetor, që ka qenë ditë si kjo e sotmja, e dedikuar për zgjedhësit, absolutisht ju e kthyet në një seancë ku morët në raportim institucionet e pavarura që varen nga ju, në fakt, por që nuk varen nga qytetarët. Dhe nuk u zhvillua fare si seancë. Vijmë sot në një seancë të tillë dhe përsëri atë që tha dhe zoti Leskaj, janë katër orë në dispozicion dhe ne jemi të detyruar të negociojmë me njëri-tjetrin, me deputetët, për të marrë ndonjë minutë borxh, ose kur të dalin për të folur aty në foltore, jemi që të gjithë gati që kur bie gongu i famshëm, të themi zoti kryetar. Të lutem, të lutem dhe 30 sekonda. Dhe dëgjojmë në kor të gjithë kolegët tanë që lëre edhe një minutë të flasë, lërë edhe një minutë të flasë. Dhe juve pastaj si shpëtimtarë na jepni dhe një minutë kohë dhe ne duhet t'ju falënderojmë nga zemra pa masë në vazhdimësi se na dhatë dhe një minutë kohë për të folur. Kjo është e turpshme në fakt, që ne si deputetë të vijmë këtu në parlament dhe sinqerisht gjatë gjithë kohës negociojmë në grupin parlamentar me kolegët, minutat për të folur, sekondat për të folur, se nuk arrijmë dot të themi atë që duam. Kemi shqetësime që ne duam t'i ngremë, por në fakt nuk arrijmë të përçojmë me shpjegim të duhur për të kuptuar problemin që është. Po i kalojmë formalisht gjërat. Dhe tjetra, në çdo seancë, zoti kryetar, kemi pikën jashtë rendit të ditës, që është përsëri çështjet e zgjedhësve. Absolutisht, të paktën kemi, në këtë legjislaturë që kemi filluar, asnjë pikë nuk është respektuar se ju nuk e keni lënë asnjëherë që seancat të kenë vajtur në fund, edhe që janë jashtë rendit të ditës, pavarësisht se e keni ndërprerë seancat me ato rregullat tuaja, nuk na keni lejuar që në fund të kemi dhe ne problematikat që kemi për t'i shprehur, shqetësimet që kemi marrë nga zgjedhësit. Unë mendoj dhe propozoj që pika e fundit e rendit të ditës, që ne e kemi vënë, që është për zgjedhësit dhe themi që është nga më të rëndësishmet, të kalojë në pikën e parë të rendit të ditës të çdo seance. Dhe me informacionin që kam marrë nga deputetë shumë më të vjetër në parlament, kanë thënë që historikisht kështu ka qenë. Më mbrapa ka kaluar në fund. Pra të kalojë në pikën e parë, para se të fillojë çdo seancë e çdo jave, të kalojë në pikën e parë të rendit të ditës çështjet për zgjedhësit. Që si vetëm një ndërhyrje pastaj. Kjo është pro... ky është propozimi im. Besoj se më kuptoni, faleminderit.
© SYRI.net