'Euroburokrate e korruptuar'/ Këlliçi për Mogherinin: Na e shiste Veliajn si model suksesi, sot akuzohet për korrupsion, tërheqtë këmbën për Kos!

'Euroburokrate e korruptuar'/ Këlliçi për Mogherinin: Na e shiste Veliajn si model suksesi, sot akuzohet për korrupsion, tërheqtë këmbën për Kos!

16:23, 02/12/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar sot pas raportimeve mbi ndalimin e ish-Shefes së Politikës së Jashtme të BE-s, Federica Mogherini, duke e konsideruar zhvillimin si një “konfirmim” të kritikave që ai thotë se ka ngritur prej kohësh.

Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi u shpreh se “koha është ilaçi më i mirë”, duke e lidhur hetimin e nisur nga Prokuroria Evropiane (EPPO) dhe Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) me akuzat që ai ka artikuluar ndaj Mogherinit për bashkëpunim politik me drejtues vendorë në Shqipëri.

Sipas Këlliçit, institucione europiane kanë njoftuar për arrestimin e Mogherinit në kuadër të një hetimi për një tender të dyshuar korruptiv në Kolegjin Europian, ku ajo mbante postin e rektores. Deputeti pretendon se tenderi në fjalë lidhej me një investim prej 3.2 milionë eurosh për blerjen e një godine për strehimin e diplomatëve të rinj nën trajnim.

Këlliçi rikujtoi se Mogherini, gjatë vizitave të saj në Tiranë, u shfaq shpesh pranë kryebashkiakut Erion Veliaj dhe kryeministrit Edi Rama. Ai i cilësoi këto dalje publike si “tallje ndaj shqiptarëve”, duke theksuar se opozita kishte denoncuar në atë periudhë fakte e prova të hajdutërisë së Veliajt dhe grupit 5D.

Deputeti bëri gjithashtu një lidhje mes hetimit të Mogherinit dhe procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke u shprehur se vendit nuk i duhen njerëz të tillë në rrugën drejt BE-s.

“Shqipërisë nuk i duhen njerëz si Federica Mogherini. Ata vetëm europianë e modele suksesi nuk janë”, shkroi ai, duke shtuar se “urimi i vetëm është: Tërheqtë këmbën për Kos!”.

Postimi i Këlliçit:

Koha është ilaçi më i mirë! 

Prokuroria Europiane (EPPO) dhe Zyra Evropiane kundër mashtrimit (OLAF) arrestojnë sot komunisten Federica Mogherini. 

Pas një karriere diplomatike, Mogherini ishte sistemuar në Kolegjin Europian, institucion ku mbante postin e rektores.
Ky institucion sipas Prokurorisë shpenzoi plot 3.2 milion euro në një tender korruptiv për blerjen e një ndërtese strehimi për diplomatët nën trajnim.

Mogherinin ne shqiptarët, sidomos banorët e Tiranës, e mbajmë mend shumë për keq, në momentet kur shfaqej krah të korruptuarit Erion Veliaj, duke na e shitur atë si model suksesi për të rinjtë. 

Personalisht e kam denoncuar këtë tallje ndaj shqiptarëve që më 6 shtator 2024, në një ndër protestat e organizuara para Bashkisë Tiranë. Në protestë denoncoheshin çdo javë fakte e prova të reja të hajdutërisë së Veliajt dhe grupit 5D, ndërsa Mogherini dhe ata që i mbanin ison, i bënin shqiptarët për idiotë! 

Kjo euroburokrate e korruptuar u shiste moral qytetarëve shqiptarë në mbështetje të një regjimi të kalbëzuar, duke e gjetur problemin përherë tek opozita shqiptare. Së fundmi e bëri këtë akt sërish në mes të Tiranës, vetëm para dy javësh, këtë rradhë krah Edi Ramës. 

Nuk e dimë nëse Mogherini ka marrë veset e bashkëpunëtorëve të vet shqiptarë, apo nëse modeli i Mogherinit, është synimi i integrimit europian të Edi Ramës.
Ama një gjë e dimë.

Shqipërisë në rrugën e saj nuk i duhen njerëz si Federica Mogherini. Ata vetëm europianë e modele suksesi nuk janë.
Urimi i vetëm është: Tërheqtë këmbën për Kos!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco