Socialistët nuk do të propozojnë asnjë emër për kandidaturën e Avokatit të Popullit, ndërsa do të mbështesin një nga emrat që do të propozojë opozita. Kështu u shpreh kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ndonëse refuzoi të tregojë se cilin nga emrat e miratuar në komisionin e ligjeve do të mbështesë Partia Socialiste. Deklaratave të Ballës iu përgjigj kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili tha se nuk u zë besë, ndërsa shtoi se opozita do të përcjellë në Kuvend disa emra për Avokatin e Popullit. Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, i dërgoi një letër Kuvendit, ku kërkon që të respektohet tradita e nisur prej vitit 2012, se Avokatin e Popullit e zgjedh opozita.
Nga SYRI TV
Partia Socialiste është tërhequr nga propozimi për emrin e Avokatit të Popullit, ndërsa sipas kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, mazhoranca do të mbështesë një emër të propozuar nga opozita. Balla nuk pranoi të tregonte se cilin emër të opozitës do të mbështesin socialistët, ndërsa tha se vendimi, sipas tij, do të merret në grupin parlamentar të mazhorancës.
Deklaratave të kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste iu përgjigj lideri i opozitës, Sali Berisha, i cili u shpreh se nuk i beson deklaratave të Ballës, ndërsa shtoi se Partia Demokratike do të përcjellë disa emra në Kuvend për kandidaturën e Avokatit të Popullit.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i përcolli një kërkesë kreut të Kuvendit, Niko Peleshi, ku kërkon që mazhoranca socialiste të respektojë parimin që propozimi i emrit të Avokatit të Popullit të jetë ekskluzivitet i opozitës.
Për këtë arsye, Bardhi kërkon që socialistët të votojnë emrin që do të përzgjidhet nga opozita për kandidaturën e Avokatit të Popullit.
Grupi Parlamentar që përfaqëson pakicën parlamentare propozon deri në 6 (gjashtë) kandidatë të përzgjedhur prej tij, nga lista e kandidatëve që sipas komisioneve parlamentare përmbushin kërkesat e kërkuara nga Kushtetuta/Ligji.
Grupi Parlamentar që përfaqëson shumicën parlamentare të përzgjedhë nga lista e propozuar 3 (tre) kandidatë të pranueshëm sipas tij për votim.
Grupi Parlamentar që përfaqëson pakicën parlamentare, nga lista e përzgjedhur, propozon për emërim/zgjedhje 1 (një) kandidat. Seanca plenare voton me konsensus mes të gjitha grupeve parlamentare kandidatin e përzgjedhur sipas shkronjës "c" më sipër.
Për kandidaturën e Avokatit të Popullit, janë disa kandidatë të cilët kanë marrë konfirmimin në komisionin e ligjeve, ndërsa opozita pritet që emrat e gjashtë prej tyre t’i përcjellë Kuvendit me qëllim përzgjedhjen e kandidaturës finale që do të miratohet nga deputetët.
© SYRI.net