Lideri i opozitës, Sali Berisha, nga foltorja e Selisë Blu, e cilësoi betejë të pashembullt seancën në Gjykatën Kushtetuese, që mori në shqyrtim kërkesën e Kryeministrit për masat që GJKKO ka vendosur ndaj Belinda Ballukut. Berisha tha se Kushtetuesja mori vendim për kalimin në gjykim të kësaj kërkese, pas presioneve të Kryeministrit Edi Rama, ndërsa kërkoi që seanca për shqyrtimin në themel të kërkesës të zhvillohet me dyer të hapura.
Më tej Berisha solli fakte të reja, sesi gjatë drejtimit të Ministrisë së Infrastrukturës nga Belinda Balluku, kostot e ndërtimit të rrugëve pësuan dyfishim. Ai përmendi rastin e Unazës së Madhe të Tiranës, që nisi të ndërtohej gjatë qeverisjes së djathtë me 5.7 milionë euro për kilometër. Por vijimi i punimeve gjatë qeverisjes socialiste, bëri që kostoja të trefishohej deri në 18 milionë euro për kilometër, ndërsa sipas Berishës, vetëm në Unazën e Madhe, abuzimi shkon rreth 250 milionë euro vjedhje.
Për këto abuzime, Berisha bëri përgjegjës Kryeministrin Edi Rama, duke kërkuar dorëheqjen e tij të menjëhershme.
Në fund Berisha deklaroi se Belinda Balluku ka vjedhur për llogari të Edi Ramës, ndërsa Arben Ahmetaj dhe Damian Gjiknuri, që nuk pranuan të bëhen bashkëpunëtorë të kryeministrit, nuk u zgjodhën më ministra të kabinetit.
© SYRI.net