Në emisionin “Task Force”, gazetari Elkier Bushkolaj ngriti akuza të forta mbi lidhjet e dyshuara mes botës së krimit, korrupsionit dhe segmenteve të pushtetit, duke e cilësuar këtë periudhë si “momentin e artë” të SPAK-ut për të ndërmarrë veprime vendimtare.
Bushkolaj solli në vëmendje një episod nga hetimet për grupet kriminale të Elbasanit, ku një prej të dyshuarve kishte deklaruar se “nuk ia vlente të merrej me ngarkesa kokaine kur paratë që qarkullojnë te tenderat publikë janë më të mëdha”. Ai shtoi se një pjestar i të njëjtit grup “kishte përfituar tendera publikë ndërsa financonte edhe linja trafiku nga Amerika Latine”.
Gazetari e lidhi këtë me afërsinë që, struktura të caktuara të këtyre aferave mund të kenë me zyrën e kryeministrit. Duke iu referuar deklaratave publike të mëparshme të kryeministrit ndaj drejtësisë, Bushkolaj u shpreh se ky presion mund të ketë qenë “për këtë ditë”, duke nënvizuar se “kryeministri di shumë më tepër se qytetarët e thjeshtë”.
Ai kritikoi ecurinë e deritanishme të luftës kundër korrupsionit në nivele të larta, duke theksuar se “dosjet kanë patur mangësi drastike” dhe shpesh janë perceptuar si amnisti të të korruptuarve. Sipas tij, SPAK duhet tani të thërrasë për herë të parë një kryeministër për të dhënë shpjegime mbi çështje që lidhen me PPP-të e denoncuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj si “gjakderdhje financiare”, si edhe mbi funksionimin e karteleve të drogës.
Në vijim, gazetari i referohet mënyrës së komunikimit zyrtar të SHBA-ve për 28 Nëntorin, duke e cilësuar këtë vit “të pazakontë” për mungesën e mesazheve publike nga Uashingtoni – çka, sipas tij, përbën sinjal për tension në marrëdhëniet e qeverisë me partnerët strategjikë.
Bushkolaj rikujtoi se para dy vitesh ishte paralajmëruar hapja e zyrës fizike të DEA-s në Shqipëri, duke shtuar se koha e kaluar ka qenë e mjaftueshme “për të dokumentuar mënyrën se si segmente të institucioneve shtetërore kanë operuar si një organizatë e strukturuar kriminale për të lehtësuar pastrimin e parave”.
Sipas tij, pastrimi i parave nuk kufizohet vetëm te trafiku i drogës, por edhe te korrupsioni në sektorë si ndërtimi dhe turizmi, të cilët janë bërë “kanale kryesore të qarkullimit të kapitaleve të dyshimta”.
Bushkolaj:
Më kujtohet një, më kujtohet një episod në një nga dosjet e grupeve të Elbasanit që tha, ore tha me këto para tha që qarkullojnë në tenderat publikë tha, më duket nuk ia vlen fare të merrem me ngarkesa kokaine. Ndërkohë që një pjestar i po atij grupi kishte marrë dhe tendera publik, ndërkohë që nga ana tjetër financonte dhe rrugë nga Amerika Latine. Problemi është që këtu, në këtë histori jemi në paradhomën e Edi Ramës.
Normalisht kryeministri di gjëra shumë më shumë se sa ne dhe se sa qytetarët e thjeshtë. Se ajo thirrja para një viti karshi Ulsi Manjës që prokurorët e SPAK-ut të mos guxojnë të marrin telefonin, unë kam përshtypjen që është, është pikërisht për këtë ditë. Dhe është një momentum i artë i SPAK-ut për të përmbyllur një kapitull në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta që deri tani ka çeduar për hir të së vërtetës dhe nuk kemi një rezultat konkret. Pasi dhe dosjet, nëse i marrim dhe i shqyrtojmë të gjitha dhe i qëmtojmë të gjitha, kuptojmë që kanë mangësi drastike, që në gjasën më të madhe janë amnisti për politikanët e korruptuar.
Por tani është një moment i artë. Që për dy gjëra elementare, për këto PP-të korruptive që vetë zëvëndësi dhe paraardhësi, zëvëndësi i Ramës dhe paraardhësi i Ballukut, Ahmetaj, i cilësonte gjakderdhje financiare. Dhe për këto kartelet e drogës, kam përshtypjen që është momenti i artë që SPAK të thërrasë për herë të parë kryeministrin e vendit dhe për t'u shpjeguar përpara qytetarëve se këto i quajnë heronjtë e fëmijëve tanë, është një investim i madh.
Se është e vërtetë që ka kërcënime nga grupe kriminale, po mos të harrojmë që ka dhe mbrojtje. Se kemi Europolin, kemi Interpolin, kemi oficerët e Gardës që po trajnohen nga partnerët ndërkombëtarë për t'i ruajtur krerët e SPAK-ut. Nuk i ka munguar mbështetja ndërkombëtare nga instancat ligjzbatuese më të rëndësishme në këtë planet. Se në momentin që kreu i SPAK-ut thirret nga Departamenti Amerikan i Shtetit, do të thotë që mbrojtja dhe garancitë janë.
Problemi është, a është ndërhyrja e SPAK-ut në nivelin e këtyre garancive që i kanë dhënë partnerët ndërkombëtarë. Se nuk ka se si ta thotë më shqip ambasada amerikane. Nëse ti shikon urimin për 28 Nëntor, është njësoj sikur po shikon urimin për Nikaragua. Në kohën që kishte Manuel Noriegën në krye të vendit. E keni parë, Edi Rama publikon çdo vit mesazhe që vijnë për përvjetorin e urimit. Qoftë nga Trumpi, qoftë nga paraardhësit e Trumpit, çdo vit. E keni parë këtë vit? As në X, as në Facebook...
Edhe Presidenti Begaj që e ka detyrë publikimin, nuk e publikoi. Nuk e publikoi mesazhin. Situata është alarmante dhe situata kam përshtypjen që...
Situata është alarmante për qeverinë, patjetër. Sot po finalizohet ajo, ne para dy vitesh këtu kemi diskutuar për ardhjen e zyrës fizike të DEA-s. Kam përshtypjen që ka qenë koha e mjaftueshme që brenda dy vitesh të dokumentohet gjithçka se çfarë ka ndodhur. Mënyra se si institucionet shtetërore me urdhër apo pa urdhër kanë operuar si një organizatë e strukturuar kriminale për të lehtësuar pastrimin e parave.
Dhe nuk është vetëm pastrimi i parave të drogës. Ai është pastrimi i parave të korrupsionit edhe i parave të drogës. Qoftë në sektorin e ndërtimit, qoftë në sektorin e turizmit.
© SYRI.net