Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit në SPAK, në kuadër të masës së detyrimit për paraqitje. Lideri i opozitës denoncoi kreun e SPAK, Altin Dumani, duke e akuzuar se ka amnistuar krimet elektorale dhe ka marrë në mbrojtje gjyqtaren Irena Gjoka, e cila, megjithëse ka fshehur dënimin e marrë në Greqi dhe ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, vijon të qëndrojë në detyrë.
Nga SYRI TV
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte këtë të hënë në SPAK, për masën e detyrimit për paraqitje. Në përfundim, lideri i opozitës lexoi para gazetarëve mesazhin që i la kreut të SPAK, Altin Dumanit, të cilin e akuzoi se ka amnistuar krimet elektorale dhe ka marrë në mbrojtje kriminelë dhe gjyqtarë me rekorde.
Lideri i opozitës u ndal në fakte konkrete, duke akuzuar se shteti dhe drejtësia e kapur kanë favorizuar kriminelët për të kaluar tonelata droge nga porti i Durrësit, që sot kontrollohet nga klani i Troplinëve.
Berisha u ndal edhe te çështja e gjyqtares Irena Gjoka, duke thënë se kreu i SPAK, Altin Dumani, e ka marrë në mbrojtje dhe po përpiqet ta shpëtojë përmes hetimeve paraprake, pavarësisht se duhet të ishte shkarkuar nga sistemi i drejtësisë, kur u vërtetua se gjyqtarja ka fshehur dënimin në Greqi dhe ka falsifikuar formularin e vetëdeklarimit.
Kreu i Partisë Demokratike deklaroi se ai nuk po sulmon drejtësinë, por po denoncon krimin brenda sistemit gjyqësor.
© SYRI.net