Kreu i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se Partia Demokratike nuk meritonte t’u dorëzohej armiqve të saj dhe se përpjekjet për bashkim kanë qenë hapi më i drejtë përballë tentativave të Edi Ramës për ta shkatërruar opozitën.
Ai tha se, edhe pse 333 ditët e arrestit shtëpiak i kishin lënë pak hapësirë veprimi, kishte një projekt politik, por asnjë projekt nuk mund të siguronte fitore të opozitës përballë një regjimi që manipulon zgjedhjet. Berisha theksoi se sulmet e Ramës, të mbështetura sipas tij nga rrjeti i George Soros, synonin jo vetëm eliminimin e tij politik, por edhe marrjen nën kontroll të PD-së, çka e shndërroi betejën e asaj kohe në një luftë për ekzistencën e partisë.
Ai shtoi se në kushtet e terrorit politik ndaj opozitës, rruga e bashkimit ishte e vetmja e drejtë, duke nënvizuar se PD nuk duhej dhe nuk mund t’i dorëzohej kurrë kundërshtarëve të saj.
Fjala e tij:
Për ty dhe të tjerë që e dinë të qartë. Sigurisht arrestimi im në shtëpi për 333 ditë ishte një kohë shumë e çmuar dhe unë nuk isha pa projekt. Unë kisha një projekt, i cili ju garantoj se edhe po ta zbatoja, përsëri me Edi Ramën zgjedhje nuk fiton opozita. Por do ta zbatoja, kisha një projekt.
Nuk mendoj se është bërë gabim që u bashkuam, nuk mendoj. Bashkimi ishte siç e patë dhe ju vetë kundërpërgjigje ndaj asaj përpjekje për zhdukjen e PD nga një bastard i xhelatëve të diktaturës, siç është Edi Rama.
Edi Rama pasi me Xhorxh Sorosin, bëri gjithçka që të më arkivonte mua në politikë, u vërsul pastaj që të kontrollonte PD me çdo kusht me ndihmën e shërbëtorëve të Soros.
Pra ajo betejë nuk ishte një betejë e thjeshtë, ajo ishte një betejë për ekzistencën e PD.
Sali Berisha kishte një rrugë tjetër, të rithemelonte një forcë politike të re, por nuk e meritonte PD kurrë atë. Nuk meritonte PD-ja të ja dorëzonte armiqve të saj këtë forcë politike. Jo.
Sepse sot edhe paraardhësi që pyeti, harron një gjë. Terrori politik ndaj opozitës nuk është një moment inkurajimi për qytetarët, përkundrazi, është një moment terrori për qytetarët dhe në këtë kontekst përpjekjet për bashkim ishin përpjekjet më të duhura. Dhe padiskutim që ato kishin një çmim, e pohoj, por nuk mund të pranoja kurrë që PD të transformohej në një parti jashtë idealeve dhe programit të demokratëve.
© SYRI.net