Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një mesazh urimi të shpërndarë në rrjetet sociale me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ka shprehur krenarinë dhe mirënjohjen e saj për ditën më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Osmani thekson se 28 Nëntori mbetet një moment i shenjtë për gjithë shqiptarët, pasi simbolizon jo vetëm shpalljen e pavarësisë në Vlorë në vitin 1912, por edhe rrugëtimin e përbashkët të kombit tonë drejt lirisë, dinjitetit dhe shtetndërtimit.
Osmani nënvizon se flamuri kuqezi, i ngritur për herë të parë 113 vjet më parë, vazhdon të jetë ura e bashkimit midis shqiptarëve në të gjitha trojet dhe diasporë, nga Vlora në Prishtinë, nga Shkodra në Shkup, e deri në Preshevë, Ulqin e mërgatën e gjerë.
Presidentja shton se çdo 28 Nëntor është rikujtesë e sakrificave të brezave që luftuan për identitetin dhe lirinë tonë, por edhe një zotim për të vazhduar drejt një të ardhmeje evropiane dhe më të begatë për gjithë shqiptarët.
Në urimin e saj, Osmani shpreh mirënjohje dhe respekt për të gjithë ata që dhanë jetën dhe mundin për idealin kombëtar, teksa uroi qytetarët që kjo ditë të sjellë krenari, unitet dhe besim në vlerat që na bashkojnë si komb.
Mesazhi i Presidentes:
113 vjet më parë, në Vlorë u ngrit flamuri që bashkon zemrat e gjithë shqiptarëve kudo që janë.
Sot, kur e ngremë përsëri këtë flamur kuqezi, nderojmë jo vetëm Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe sakrificën e gjithë kombit, nga Vlora në Prishtinë, nga Shkodra në
Shkup, në Mitrovicë, Preshevë e Ulqin, në mërgatë e kudo që rreh zemra shqiptare.
Ky flamur është historia jonë e përbashkët, simboli që na bashkoi në ditët më të vështira dhe që na udhëheq sot drejt një të ardhmeje evropiane.
Gëzuar 113-vjetorin e Pavarësisë!
Rroftë flamuri kuqezi!
Rroftë kombi shqiptar!
© SYRI.net