Partneri më i madh strategjik i Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë vlerësuar prej vitesh rolin e vendit tonë në rajon dhe më gjerë, ku përveç të tjerash, në urimet e tyre të përvitshme për Festën e Pavarësisë, në 28 Nëntor, kanë theksuar rëndësinë e zhvillimit demokratik dhe integrimit të plotë në Bashkimin Europian dhe atë Euroatlantik.
Në një vështrim të thjeshtë të këtyre urimeve për pavarësinë, që nga viti 2011 deri në vitin 2025, kemi shkëputur 3 prej tyre, atë të vitit 2011 kur Shqipërinë e qeveriste kryeministri Sali Berisha, të vitit 2015 kur Edi Rama kishte 2 vite që kishte marrë pushtetin dhe mesazhin e këtij viti, 2025, kur bën plot 13 vite si kryeministër.
Ajo që bie në sy është një evolim për keq i vlerësimit të zhvillimeve politike, ekonomike, rendit dhe sigurisë nga partneri jonë strategjik në këto 14 vite.
Në urimin e Pavarësisë nga DASH në vitin 2011 kur vendi qeverisej nga Berisha, ShBA e quante Shqipërinë një faktor stabiliteti në rajon, ku qeveria ndihmonte në ndërtimin e një të ardhmeje të begatë dhe të sigurt për shqiptarët.
Po ashtu edhe në urimin e vitit 2015, kur Edi Rama kishte 2 vite si kryeministër dhe Shqipëria akoma nuk ishte pushtuar nga kartelet e drogës nga përtej Atlantikut, DASH vlerëson sërish rolin dhe rëndësinë e vendit tonë për stabilitetin dhe sigurinë në rajon, si dhe zhvillimin e reformave për të arritur aspiratat euroatlantike.
Por si ka evoluar për keq urimi i DASH për Shqipërinë në ditën më të rëndësishme të saj, atë të Pavarësisë në 28 nëntor, nga 2015-a dhe 10 vite më vonë me Ramën kryeministër?
Urimi i sotëm i DASH ndahet qartësisht nga urimet e disa viteve më parë, ku diplomacia amerikane nuk uron më qeverinë e Shqipërisë, por vetëm popullin shqiptar, për vlerat dhe angazhimin e përbashkët për një të ardhme më të sigurt e të begatë.
Arsyeja se përse DASH ka nxirë Shqipërinë në këtë urim për 113 vjetorin e Pavarësisë, qëndron në faktin se kryeministri Edi Rama e ka dorëzuar vendin në duart e narko-trafikantëve nga Amerika Latine dhe deri te grupet mafioze më me famë që operojnë në trafikimin e drogës në Europë.
Ndryshe nga administrat amerikane e kaluar e drejtuar nga Joe Biden, Presidenti i ShBA, Donald Trump i ka hapur luftë të ashpër dhe të drejtëpërdrejtë karteleve të drogës, duke i sanksionuar ato edhe si organizata terroriste nëpër botë.
Pra një fakt i tillë për Shqipërinë e kthyer në një narko-shtet nga Edi Rama dhe të denoncuar nga lideri i opozitës, Sali Berisha edhe në konferencat ndërkombëtare të CDI-së, duke miratuar mbi 5 rezoluta kundër tij, nuk mund të kalojnë pa u vënë re nga partneri jonë më i madh strategjik, SHBA, të cilat në muajt e fundit kanë kërkuar një luftë dhe angazhim maksimal në këtë drejtim.
Më poshtë keni urimet e DASH në 28 Nëntor për Pavarësinë e Shqipërisë nga viti 2011 – 2025.
Urimi i DASH në vitin 2011 për Pavarësinë e Shqiëprisë:
Deklaratë për Shtyp
Hillary Rodham Clinton
Sekretare e Shtetit
Uashington, DC
25 Nëntor 2011
Në emër të Presidentit Obama dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, jam e kënaqur t’i uroj popullit të Shqipërisë ndërsa festoni Ditën e Pavarësisë më 28 Nëntor.
Të dy vendet tona ndajnë një histori të gjatë miqësie dhe bashkëpunimi. Sot, ne po e forcojmë këtë partneritet teksa punojmë krah për krah në NATO dhe inkurajojmë stabilitetin në rajon dhe në mbarë botën. Ne vazhdojmë të mbështesim integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe inkurajojmë udhëheqjen politike të Shqipërisë të punojë së bashku për të siguruar që vendi të ecë përpara. Populli shqiptar dëshiron një qeveri transparente, udhëheqje të përgjegjshme dhe institucione të forta demokratike që do të ndihmojnë në ndërtimin e një të ardhmeje të begatë dhe të sigurt. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë fort përkrah popullit shqiptar ndërsa punojmë së bashku për të arritur këto qëllime.
Ndërsa festoni këtë ditë të veçantë, dijeni se Shtetet e Bashkuara janë një partner dhe mik. I uroj të gjithë popullit të Shqipërisë çdo të mirë dhe pres me kënaqësi thellimin e partneritetit tonë në vitet që vijnë.

Urimi i DASH në vitin 2015 për Pavarësinë e Shqipërisë:
Deklaratë për Shtyp
John Kerry
Sekretar i Shtetit
Uashington, DC
25 Nëntor 2015
Në emër të Presidentit Obama dhe popullit të Shteteve të Bashkuara, u shpreh urimet e mia popullit të Shqipërisë ndërsa festoni 103-vjetorin e Pavarësisë më 28 Nëntor.
Që nga mbështetja e Presidentit Woodrow Wilson për pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, vendet tona kanë punuar me efikasitet së bashku për të ndërtuar një miqësi të qëndrueshme, e bazuar në vlera të përbashkëta dhe respekt të ndërsjellë. Si anëtare e NATO-s dhe mentore për vendet e Ballkanit që aspirojnë anëtarësimin, Shqipëria luan një rol jetësor në promovimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe në mbarë botën. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë shumë kontributet e Shqipërisë për sigurinë globale, nga Afganistani, Iraku dhe Ukraina, te lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe Koalicioni Global kundër ISIL-it.
Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara në mbështetjen e Shqipërisë teksa ndërmerr reformat e nevojshme për të arritur aspiratat e saj euroatlantike. Unë përgëzoj përpjekjet tuaja për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe pres me interes përparimin e vazhdueshëm drejt integrimit të plotë euroatlantik.
Ndërsa festoni me familjen dhe miqtë, Shtetet e Bashkuara ju urojnë një festë të gëzuar. Ne presim me padurim vazhdimin e partneritetit tonë të ngushtë për përparimin, begatinë dhe paqen në vitet që vijnë.

Urimi i DASH në vitin 2025 për Pavarësinë e Shqipërisë:
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë, të ndërtuar mbi angazhimin e përbashkët për një të ardhme më të sigurt e të begatë. Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë reciproke dhe ne e mirëpresim investimin e shtuar të Shqipërisë për sigurinë tonë të përbashkët.
Gjithashtu, partneriteti ynë me forcat ligjzbatuese shqiptare i bën qytetarët tanë më të sigurt teksa ne përballemi me kërcënimet që paraqiten prej grupeve kriminale ndërkombëtare, karteleve të trafikut të drogës, si dhe atyre që bashkëpunojnë me ta. Ne gjithashtu e vlerësojmë bashkëpunimin e ngushtë në adresimin e kërcënimeve kibernetike, si dhe përgëzojmë Shqipërinë për hapat e saj domethënës në sigurinë kibernetike.
Teksa shënojmë këtë ditë të veçantë, ne presim të zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë.

© SYRI.net