Berisha: Garantoj shqiptarët dhe miqtë tanë se do bëjmë çdo përpjekje për të rikthyer demokracinë dhe votën e lirë

Berisha: Garantoj shqiptarët dhe miqtë tanë se do bëjmë çdo përpjekje për të rikthyer demokracinë dhe votën e lirë

13:09, 25/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat, ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e marrë nga Asambleja e Përgjithshme e Internacionales Demokristiane (CDI), e cila miratoi një rezolutë për situatën politike në Shqipëri.

Berisha tha se vlerësimi i bërë nga Asambleja e CDI për gjendjen në vend tregon “shkallën e lartë të përgjegjësisë” dhe përbën një mbështetje të rëndësishme për opozitën dhe qytetarët shqiptarë. Ai shtoi se përveç kësaj rezolute, pesë të tjera janë miratuar më parë nga organizata të forcave politike të qendrës dhe qendrës së djathtë.

Sipas tij, këto dokumente përfaqësojnë një angazhim të qartë në mbështetje të betejës së opozitës kundër asaj që e cilësoi si “regjim pa standarde demokratike”.

“Shpreh mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë përfaqësuesve të forcave politike që votuan unanimisht këtë rezolutë,” u shpreh Berisha, duke theksuar diskutimet dhe shqetësimet që sipas tij u ngritën për gjendjen në Shqipëri.

Më tej, Berisha garantoi qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë se opozita “nuk do të tërhiqet para asgjëje”, duke përsëritur synimin për të vijuar përpjekjet për “rikthimin e demokracisë dhe votës së lirë”.

FJALA E BERISHËS:

Ju e shihni se çfarë shkalle të lartë përgjegjësie ka treguar Asambleja e Përgjithshme e CDI në vlerësimin e plotë dhe të gjithanshëm të gjendjes në Shqipëri.

Kjo rezolutë, së bashku me 5 rezoluta të tjera paraprake të miratuara nga organizatat ndërpartiake të forcave politike të qendrës dhe qendrës së djathtë, përbën një mbështetje të një rëndësie të jashtëzakonshme për opozitën shqiptare, për qytetarët shqiptarë, në betejën e tyre kundër këtij regjimi që është jashtë çdo lloj standardi demokratik, nuk ka asnjë legjitimitet, bashkëpunon me krimin dhe vjedh në mënyrë monstruoze qytetarët shqiptarë.

Unë shpreh edhe njëherë mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë përfaqësuesve të forcave politike që gjatë Asamblesë së Përgjithshme të CDI të mbajtur në San Paolo votuan me unanimitet të plotë këtë rezolutë.

Diskutimet që ata bënë me preokupimin më të madh për gjendjen në Shqipëri dhe garantoj shqiptarët, garantoj miqtë tanë, se përpjekjet tona nuk do tërhiqen para asgjëje dhe se qëllimi ynë për rikthimin e demokracisë dhe votës së lirë do të vazhdojë me çdo përpjekje, çdo sakrificë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco