Elbasani shënon 113-vjetorin e Pavarësisë, PD Elbasan homazhe tek busti i Aqif Pashës

11:17, 25/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Qyteti i Elbasanit feston këtë të martë 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së vet si qytet, një moment historik i veçantë që e rendit Elbasanin ndër të parët që morën nismën për t’u shkëputur nga administrimi osman në vitin 1912.

Më 25 nëntor 1912, Elbasani u vetëshpall qytet i pavarur, duke marrë një vendim historik për administrimin e tij të brendshëm dhe politik, në një kohë kur Perandoria Osmane po humbiste kontrollin dhe forcat serbe po përparonin drejt territoreve shqiptare. Ky akt, i ndërmarrë nga 35 patriotë elbasanas dhe rrethinave, kishte si qëllim të krijonte një autoritet vendas të ligjshëm dhe të vënte pushtuesit e mundshëm para faktit të kryer.

Në një ceremoninë përkujtimore të organizuar në qendër të qytetit përfaqësuesit e Partisë Demokratike zhvilluan homazhe pranë memorialit kushtuar Aqif Pashë Elbasanit  e patriotëve elbasanas të vitit 1912. Ata nderuan kontributin e 35 patriotëve që shpallën Pavarësinë e Elbasanit më 25 nëntor 1912 dhe ngritën flamurin kombëtar në qytet.

Ky akt simbolik i PD-së vjen si pjesë e respektit ndaj rolit historik që Elbasani luajti në vitet e Pavarësisë, duke u vetëshpallur qytet i pavarur në një moment tensioni të madh.

Në atë kohë, nën udhëheqjen e Aqif Pashë Elbasanit, qyteti organizoi mbrojtjen, ngriti flamurin dhe shpalli administrimin e tij të pavarur, duke krijuar fakt të kryer politik në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco