Debati mbi efektet e liberalizimit të vizave ka rikthyer në qendër të vëmendjes çështjen e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës drejt vendeve të BE-së. Ndërsa një pjesë e opinionit ngre shqetësime për ikje masive, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu, e ftuar në ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV, tha se realiteti është krejt tjetër.
Sipas saj, liberalizimi i vizave është një sukses i qeverisë aktuale dhe rezultat i luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa qarkullimi i qytetarëve jashtë vendit është i përkohshëm dhe i shëndetshëm për një shoqëri që po integrohet me Europën. Kryeziu thekson se të rinjtë po kthehen dhe se masat sociale të qeverisë, si rritja e shtesave për fëmijët, po rrisin shpresën dhe standardin e jetesës në vend.
ARBËRESHË KRYEZIU: E para duhet ta përmendim një fakt shumë të rëndësishëm çfarë ka ndodhur gjatë kësaj qeverisjeje në Kosovë, që është liberalizimi i vizave, pra pas shumë vitesh të tëra. Dhe ju e dini që pengesat vazhdimisht kanë qenë mos luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar nga qeverisjet e kaluara. Dhe kjo ka qenë arsyeja pse Kosova ka vazhduar të mbetet e bllokuar, e izoluar deri në kohën kur gjatë kësaj qeverisjeje, pra gjatë këtij vjeçari të fundit edhe ndodhi liberalizimi i vizave pikërisht sepse u pa çfarë pati hapa konkret dhe lëvizje konkrete sa i përket pikërisht luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Republikën e Kosovës.
Dhe unë nuk do të thoja që kjo është çështje për të cilën ne duhet të shqetësohemi sepse vazhdimisht, sidomos prej kur ka hyrë në fuqi, domethënë liberalizimi i vizave, qytetarët e Kosovës lëvizin jashtë Kosovës dhe kthehen në Kosovë dhe unë mendoj që kjo është një mundësi shumë e mirë për të gjithë qytetarët të cilët tani kanë mundësi të lëvizin lirshëm qoftë të vizitojnë si turistë vende të ndryshme të Evropës, qoftë të vizitojnë familjarët e tyre që janë të shumtë e që jetojnë në shtete të ndryshme të Evropës dhe kjo nuk do të thotë që ata lëvizin sepse nuk shohin të ardhmen në Kosovë ose sepse nuk duan të jetojnë në Kosovë, sepse mendoj që është krejtësisht e kundërta e asaj çfarë po tentohet të pasqyrohet ose të paraqitet nëpër media nga persona të caktuar. Më lejoni vetëm ta përmendi që sot 400 mijë fëmijë të Republikës së Kosovës do të marrin shtesat me 50% rritje, pra shtesa që në Kosovë merren për herë të parë, sepse është masë që është dizajnuar nga ana e pikërisht Qeverisë Kurti.
Pra nuk ka ndodhur asnjëherë në të kaluarën. Edhe në të kaluarën fëmijë ka pasur vazhdimisht në Kosovë, por nuk ka pasur ndonjë vëmendje prej qeverive të kaluara që të ndajnë fonde të caktuara që shkojnë për fëmijët e Republikës së Kosovës. Kjo ka ndodhur gjatë kësaj qeverisjeje, kjo po ndodh sot për herë të parë pra me një rritje të radhës, dhe sigurisht që kjo rritje do të vazhdojë të theksohet edhe në të ardhmen sepse varësisht rritjes ekonomike që mund ta ketë Republika e Kosovës në vazhdimësi, kjo do të përkthehet edhe në rritje qoftë në shtesat për nënat leona, qoftë në shtesat për fëmijët, qoftë në shtesat e tjera që jepen tek kategoritë e tjera në Republikën e Kosovës. Prandaj nuk mendoj që është çështje për të cilën ne duhet të shqetësohemi.
Mua më vjen mirë që qytetarët tanë e kanë mundësinë të lëvizin, të shohin si duket jeta në vende të ndryshme të Evropës dhe ta kuptojnë që duhet të kthehen në Kosovë dhe të kontribuojnë në Kosovë. Pra vazhdimisht ka që dalin dhe që kthehen dhe ka vazhdimisht që zgjedhin të rikthehen në Republikën e Kosovës sepse e shohin që këtu ka të ardhme. Unë mendoj që kjo shpresë madje është rritur në masë të madhe në veçanti përgjatë këtyre pesë viteve të fundit të kësaj qeverie Kurti, pra e cila ka shkuar përtej mandatit të saj të plotë për shkak të zhvillimeve të fundit që i kemi pasur në Republikën e Kosovës. Dhe nuk dua ta shoh me kaq pesimizëm siç mundohen ta shohin e ta paraqesin një pjesë tjetër e politikanëve sepse unë mendoj që kështu nuk është situata reale. Unë mendoj që qytetarët e Republikës sot jetojnë në një Kosovë shumë më të mirë sesa që ka qenë dikur. Prandaj besoj që këtë e kuptojnë secili prej qytetarëve të cilët përgjatë këtyre pesë viteve të fundit ka prekur ose ka përjetuar çdo masë që është bërë në të mirën e tyre.
© SYRI.net