Në një intervistë të dhënë në edicionin e lajmeve të mesditës në Syri TV, gazetari Elkier Bushkolaj deklaroi se dëshmitë e ish-zëvëndëskryeministrit Arben Ahmetaj po konfirmohen njëra pas tjetrës nga hetimet mbi aferën e tunelit të Llogarasë. Sipas Bushkolajt, Ahmetaj, si një nga figurat kyçe të qeverisë për rreth një dekadë, “i njeh shumë mirë plagët e sistemit” dhe ka dhënë detaje të sakta për skemat korruptive.
Bushkolaj theksoi se Ahmetaj kishte paralajmëruar që në intervistat e tij për Syri TV se pas aferës qëndronin emra të njohur të politikës dhe biznesit, përfshirë edhe kryebashkiakun Erion Veliaj, i cili sot ndodhet në paraburgim. Sipas gazetarit, “të gjitha detajet që sot gjenden në dosjen e tunelit të Llogarasë janë pjesë e dëshmisë së zotit Ahmetaj”.
Ai përmendi edhe kompaninë “Gjoka”, e cila sipas tij mori përsipër punimet me një ofertë prej 140 milionë dollarësh, ndonëse tenderi parashikonte një vlerë prej 190 milionë dollarësh. “Pyetja që lind është: ku përfundojnë këto para?”, – u shpreh Bushkolaj.
Gazetari kujtoi gjithashtu deklaratat e mëparshme të ministres Belinda Balluku, e cila kishte folur për “grupe të strukturuara kriminale” në një skandal të ngjashëm me Ujësjellësin e Vlorës. Sipas tij, leximi i dosjes së Llogarasë tregon qartazi ekzistencën e një strukture kriminale të organizuar, ndërsa ngriti pyetjen nëse Balluku është apo jo pjesë drejtuese e saj.
Bushkolaj shtoi se, ashtu si në aferën e inceneratorëve, drejtuesit e dukshëm politikë mund të mos jenë kokat kryesore të skandaleve. Ai paralajmëroi se goditjet nga partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht nga Departamenti Amerikan i Shtetit, pritet të shënjestrojnë financat e grupeve kriminale, temë që sipas tij trajtohet shumë pak në Shqipëri.
Duke komentuar mungesën e reagimit të SPAK-ut për sanksionimin e biznesmenit Luftar Hysa nga SHBA, Bushkolaj kritikoi institucionin për standarde të dyfishta. Ai theksoi se “SPAK reagoi menjëherë ndaj deklaratave të Berishës, por hesht për një rast ku përfshihen partnerët tanë strategjikë”.
Gazetari kërkoi transparencë të plotë nga kryeministri Edi Rama lidhur me takimet e tij me Hysën, teksa theksoi mospërputhjet në deklaratat e tyre për arsyen e këtij kontakti. Bushkolaj kujtoi gjithashtu mungesën e transparencës për çështjen McGonigal dhe për përfoljet mbi një ligj të mundshëm të porositur lidhur me kriptovalutat.
Bushkolaj:
Kemi parasysh që është një njeri që i di shumë mirë hallet e kësaj qeverie, pasi për të paktën një dekadë ka qenë aty. Ka qenë numri dy në të gjitha drejtimet e kësaj qeverie, ka qenë njeriu që ka menaxhuar miliarda lekë. Edhe është një njeri që i di shumë mirë ku janë plagët, ku pikojnë këto plagë dhe se si kurohen këto plagë dhe dëshmitë e tij patjetër që duhet të shikohen me shumë vëmendje, qoftë edhe nga instancat ligjzbatuese, por dhe nga qytetarët shqiptarë për të kuptuar se çfarë po ndodh. Unë nuk kam dyshime fare që Arben Ahmetaj është njeri i korruptuar, por problemi është që në kushtet të cilat zoti Ahmetaj ka dëshmuar, në ato intervista për Syri televizion, qartazi e ka vendosur gishtin në plagë për hir të së vërtetës.
Se tha për Erjon Veliajn. Erjon Veliajn ne sot e kemi në qeli. Është i pari që e paralajmëroi aferën e tunelit të Llogarasë, sepse e dinte se kishte qenë vetë pjesë e marrëveshjes. Pavarësisht se tani flet në të tjera kushte dhe në të tjera rrethana. Dhe doli ekzaktësisht sikurse e tha zoti Ahmetaj. Të gjitha detajet që janë në dosje, janë pjesë e dëshmisë së zotit Ahmetaj. Mjafton të bësh krahasimin.
Intervista e tij për kolegun Çim Peka dhe të leximit të dosjes. Shumë korrekt domethënë, dinte çdo lloj detaji, që nga firma Gjoka që fitoi tenderin e parë dhe më pas u anullua dhe më pas fakti që firma Gjoka mori përsipër edhe realizimin e punimeve në shumën e 140 milionë dollarëve, kur ndërkohë tenderi ishte 190 milionë dollar. Pyetja që shtrohet në gjithë këtë histori është, këto para ku shkojnë ?
Sa nga këto para kthehen pastaj në në buxhetin e shtetit. Më bëri shumë përshtypje se po qarkullon dhe një video, është një video e zonjës Balluku kur u zbulua një skemë mashtrimi me çështjen e ujësjellësit të Vlorës, abuzime, faturash ose fatura abuzive. Dhe zonja Balluku aso kohe tha që këto tha, kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal.
Tani shtrohet pyetja, po në rastin konkret nga kjo dosje që ne po lexojmë për tunelin e Llogarasë të paktën, pa hyrë pastaj dhe tek pjesa e lotit të katërt të unazës. Qartazi jemi në kushtet e një grupi të strukturuar kriminal. Qartazi pra, nga leximi i dosjes është e qartë që jemi në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Pyetja që ne duhet të shtrojmë, a është zonja Balluku drejtuese e këtij grupi kriminal? Jo. Për këtë unë gjykoj që ne duhet të kthejmë sytë nga e shkuara. A ishte Erjon Veliaj për shembull dhe Lefter Koka në krye të aferës së inceneratorëve? Unë gjykoj që jo.
A ishte Erjon Veliaj për shembull në krye të aferës së asaj se çfarë ndodh me pastrimin e parave të cilës do t'i dalë boja shumë shpejt sikurse i ka dalë dhe këtyre aferave. Për shkak se goditja që po vjen nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nga partnerët, mesazhet e ambasadës, ne na orientojnë qartë. Për shembull, drejtuesit të ri të SPAK-ut që pritet të zgjidhet në SPAK, i është lënë një objektiv kryesor, goditja e financave të grupeve të drogës. Një temë për të cilën realisht flitet shumë pak në Shqipëri, por ndërkohë partnerët italianë, mediat italiane, partnerët belgë, mediat belge, partnerët anglezë, mediat angleze, të gjitha po flasin dhe në këtë histori ne kemi vetëm justifikimet e zotit Edi Rama që krim ka kudo. Po mor po, krim ka kudo. Kjo është e vërtetë.
Por problemi është që jo në të gjitha vendet, kryeministri i vendit firmos leje ndërtimi për krerë të grupeve të strukturuar kriminale të cilat janë në kërkim nga SPAK. Këtu është diferenca e krimit që ka kudo. Në çdo vend të botës, organizatat kriminale kanë peshën e tyre specifike, por nuk drejtojnë sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, sikurse ndodh këtu. A po ta bëj pyetjen, a po hetohet Edi Rama nga SPAK-u? Patjetër që po.
Ne kemi pasur gjithë kohën e nevojshme për të lexuar punën e SPAK-ut, përgjatë këtyre tre viteve. Unë po ju sjell vetëm një element shumë të thjeshtë, që është edhe shumë i njohur për publikun. Nëse u kujtohet konferenca kur zoti Berisha u pyet për çështjen e 21 janarit nga gazetarët, pra për faktin që ka shkuar apo nuk ka shkuar. Ne pamë një reagim direkt të SPAK-ut në kohë reale, pra prokurorët e SPAK bashkë me atë zyrën e propagandës që kanë atje, që shumë mirë bëjnë që e kanë, por që duhet të jetë shumë më efektive dhe të jetë në raport me interesat e qytetarëve dhe jo me interesat e SPAK-ut apo politikanëve të caktuar.
SPAK reagoi në kohë reale. Pra po ndiqte konferencën e liderit të opozitës dhe reagoi në kohë reale. Ndërkohë kishin kaluar 24 orë nga një lajm i bujshëm për Luftar Hysën. Një lajm që vinte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është aleati jonë kryesor. Që e takonte Rama kryeministri. Në të gjitha drejtimet. Po, që Ramën e takonte kryeministri, që ky biznesmen është i lidhur me kartelin Sinaloa, e shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot e kësaj dite ne nuk kemi një reagim nga SPAK për këtë çështje, për të kuptuar, ore ky njeri që partnerët tanë më të rëndësishëm, ata partnerë që kanë qenë në krye të reformës në drejtësi dhe që kanë finalizuar miliona euro nga reforma në drejtësi, SPAK, a do duhet të vihet në lëvizje për këtë? Për t'u thirrur, për të kuptuar, ore zotëri, çfarë pasurish ka ky njeri në Shqipëri? Çfarë lejesh i janë dhënë këtij? Se ndoshta është edhe biznesmen i rregullt dhe po i biem në qafë, po duhet të na thotë SPAK-u këtë. Se Departamenti Amerikan i Shtetit po na thotë tjetër gjë. Ndërkohë që interesat e qytetarëve shqiptarë dhe interesat e shtetit shqiptar në rastin konkret duhet t'i mbrojnë institucionet shqiptare që është SPAK-u.
Edhe mbi të gjitha të hidhet dritë zoti Rama që të kemi pak transparencë. Se Luftar Hysa thotë që Edi Ramën e kam takuar për promovimin e një libri për Shqipërinë. Ndoshta ka qenë ideja e tij për t'i bërë marketing Shqipërisë. Ndërkohë që zoti Rama thotë që më ka ardhur në zyrë për një çështje liçence. Pra kemi dhe deklarata kontradiktore. Ideja është që shqiptarët meritojnë të kenë pak transparencë. Për McGonigal-in nuk patëm. Për atë Dalemën që përflitet lart e poshtë që mund të kemi një ligj të porositur për të për çështjen e kriptovalutave nuk patëm transparencë.
© SYRI.net