Qeveria përballet me një raport tejet kritik nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), i cili ka zbuluar një sërë shkeljesh, keqmenaxhimesh dhe mungesë transparence në administratën publike gjatë vitit 2024.
Kryetari i KLSH-së, Arben Shehu, prezantoi raportin vjetor në një mbledhje të përbashkët të Komisionit për Nismat Qytetare dhe atij të Ekonomisë, ku theksoi se auditimet e kryera kanë evidentuar probleme serioze në të gjitha hallkat e qeverisjes.
Sipas Shehut, gjatë vitit 2024 janë realizuar 159 auditime, nga të cilat kanë dalë 4378 rekomandime, përfshirë 993 masa disiplinore dhe 66 masa administrative. “Është konstatuar mosregjistrim i plotë i pasurive publike, mungesë dokumentacioni për pasuritë e paluajtshme dhe probleme serioze në regjistrimin e aktiveve, duke rritur rrezikun e tjetërsimit të pasurive shtetërore,” deklaroi kreu i KLSH-së.
Raporti evidenton gjithashtu një gjendje alarmante në disa bashki të vendit, ku mungojnë evidencat për detyrimet e prapambetura dhe llogaritjet e kamatëvonesave. Sipas Shehut, kjo situatë krijon pasaktësi të rënda në pasqyrat financiare dhe “rrezik real për rritje të borxhit vendor dhe penalitete të pajustifikuara që rëndojnë mbi buxhetin e shtetit”.
Një ndër gjetjet më të rënda lidhet me kontratat koncesionare, sidomos ato në fushën e shëndetësisë. Sipas raportit, janë konstatuar mangësi në monitorim, shkelje të kritereve të financimit dhe pagesa për shërbime të pakryera ose të kryera në vëllime më të ulëta se kontratat.
“Janë bërë pagesa për koncesione shëndetësore edhe kur niveli i shërbimit të kontraktuar nuk është përmbushur. Në disa raste, shpenzimet kanë tejkaluar buxhetet e miratuara dhe janë likuiduar në kundërshtim me përmbajtjen kontraktore, përfshirë edhe TVSH-në,” deklaroi Shehu.
Sipas raportit, sektori i shëndetësisë vijon të vuajë nga mungesa e inxhinierëve bio-mjekësorë, duke e bërë sistemin publik të varur nga shërbime të jashtme dhe me kosto të larta operative. Gjithashtu, janë evidentuar mangësi në shpërndarjen e pajisjeve mjekësore, që shpesh nuk përputhen me nevojat reale të popullsisë.
Në spitalet psikiatrike, KLSH ka evidentuar “mungesë qasjeje dhe kapacitetesh minimale për trajtimin e pacientëve me probleme të shëndetit mendor”.
Në përfundim, raporti i KLSH-së thekson se menaxhimi financiar i institucioneve publike mbetet problematik, ndërsa monitorimi i kontratave dhe administrimi i burimeve njerëzore kërkojnë ndërhyrje urgjente.
“Pa një reformim të thellë në qeverisje dhe përgjegjshmëri të llogaridhënies publike, rrezikojmë përsëritjen e të njëjtave shkelje çdo vit,” thuhet në raportim.
© SYRI.net