Haxhinasto: Institucionet shqiptare, tigra letre pa fuqi zbatuese

10:26, 29/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një analizë të performancës së institucioneve rregullatore në Shqipëri, ish-ministëri i Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto tha në ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV se evidentohet një problematikë kronike: ndërsa kuadri ligjor ekziston, aftësia dhe vullneti për ta zbatuar atë mbeten të mangëta.

Duke u bazuar në gjetjet e OECD-së, konfirmohet se institucionet, përfshirë Autoritetin e Konkurrencës, janë 'të dobëta në aspektin e zbatimit të ligjit dhe realizimit të detyrave funksionale'. Kjo paaftësi manifestohet në mosadresimin e problemeve në sektorë jetikë si ushqimet, karburantet dhe shërbimet spitalore, ku rekomandimet mbeten 'në proces' për një kohë të gjatë.

Edmond Haxhinasto: Është e rëndësishme që ne t'i japim jo vetëm mbështetje ligjore, që të kenë kapacitetet ligjore, por të kenë mundësi konkrete, praktike për të vepruar edhe për të pasur synime të qarta. Unë po lexoja dje një analizë që ka bërë OECD-ja dhe ajo ka një institucion shumë të specializuar, ndoshta institucioni më i specializuar që ekziston në gjithë hapësirën europiane dhe përtej, që ka të bëjë me kapacitetin administrativ të institucioneve dhe konkluzioni për Shqipërinë ishte që institucionet në Shqipëri, edhe ato që janë të pavarura, të themi, ose janë, pritet që të funksionojnë si të pavarura, i kanë kapacitetet ligjore, por janë të dobët në aspektin e zbatimit të ligjit dhe të realizimit të detyrave të tyre funksionale.

Në rastin e Autoritetit të Konkurrencës, unë do të thosha që ndonëse sfidat janë të jashtëzakonshme, pasi çështja nuk është teorike për gjetjet, për vështirësitë që ka tregu në Shqipëri, por është evidente, është diçka që e shikojnë të gjithë.

Shikojnë edhe statistikat që kanë të bëjnë me çmimet. Çmimet në Shqipëri për shumë mallra të konsumit janë shumë më të larta sesa në rajon. Janë, një pjesë e tyre janë deri në 70% të çmimeve mesatare të Bashkimit Europian, ndërkohë që të ardhurat e Shqipërisë janë ndër më të ulëtat e rajonit dhe s'po bëjmë fjalë, s'po e krahasojmë fare me ato të Bashkimit Europian.

Pra, ja ku është pasoja e mungesës së konkurrencës. Ja, është kostoja e jetesës që është nga më të lartat dhe ndërkohë në këtë hapësirë kemi vështirësi reale për autoritete të tilla për të vepruar. Unë i thashë dhe në komision që ju jeni ata që do qeveria të jeni, jo vetëm nëpërmjet kondicionimit që i bën me buxhete apo me infrastrukturë, pasi ata i ngritën edhe këto pretendime, por edhe me aspekte të tjera. Me aspekte ligjore për shembull, se ata kanë dy vjet që kanë sjellë një ligj në parlament, ligj i cili nuk trajtohet pasi është evidente, nuk ka interes, kjo mazhorancë, nuk ka interes që të forcojë kapacitetet e këtij autoriteti.

Për të shkuar pastaj më tej në aspektet konkrete që ju i përmendët edhe në paraqitjen tuaj. Ajo që vihet re, pavarësisht se raportoi për rezolutën e miratuar nga Kuvendi për në vitin 2023, pra për punën që do të bënte gjatë vitit 2024 ky autoritet, shikohej që nga rekomandimi, një pjesë e madhe e rekomandimeve janë akoma në proces. Që do të thotë që autoriteti nuk ka, nuk ka qëndrime konkluzive përsa i takon, çështjeve të rëndësishme siç është mungesa e konkurrencës në tregjet e ushqimeve, në sigurime, në spitale, në karburante, pra në energji dhe karburante, në turizëm e kështu me radhë.

Të gjitha këto zëra, pavarësisht se janë shumë të rëndësishme, në periudhën e kohës së raportimit, pra për vitin 2024, këto janë jo konkluzive. Autoriteti pretendon që ka nevojë për kohë më të gjatë, se pasi tregjet, sipas tyre, tregjet duan një diapazon kohor pak më të gjatë për të konkluduar përsa i takon fenomeneve antikokurencë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco