Gazetari Armand Shkullaku, i ftuar në emisionin “Çim Peka LIVE” në Syri TV, ka folur në lidhje me ndërhyrjet e hapura të kryeministrit Edi Rama ndaj drejtësisë dhe kapjen e plotë të strukturave të posaçme të hetimit, si SPAK. Shkullaku u shpreh se Rama jo vetëm që ushtron presion të drejtpërdrejtë mbi këtë institucion, por tashmë e ka kërcënuar publikisht, duke e përdorur si instrument politik për të mbrojtur vetveten dhe njerëzit e tij më të afërt në qeveri.
Sipas gazetarit, mënyra se si SPAK po vepron në rastin e Belinda Ballukut është dëshmi e qartë se drejtësia në Shqipëri është kthyer në një mjet selektiv, që shmang çdo hetim që mund të çojë te vetë Edi Rama. Ai theksoi se ndërkohë që për aferën e inceneratorëve janë ndëshkuar vetëm figura dytësore, si vartës apo bashkëpunëtorë të ish-ministrave, vetë skema dhe autorët kryesorë mbeten të paprekur.
Shkullaku tha se Rama ka shkuar deri aty sa ta kërcënojë SPAK-un me reforma të reja politike, duke treguar hapur se e kontrollon dhe e përdor për llogari të pushtetit të tij. Për Shkullakun, kjo është prova më e qartë se drejtësia e re ka dështuar të veprojë si e pavarur dhe se çdo hetim serioz për korrupsionin dhe krimin në nivelet më të larta ndalet pikërisht te një emër: Edi Rama.
Pjesë nga deklarata:
Rama e ka kërcënuar publikisht SPAK-un. Mblodhi grupin e PS-së dhe i kërcënoi me heqje rrogash, duke thënë se do të marrim aq mandate në zgjedhjet e tjera, sa me ato mandate do të bëjmë një reformë të re të SPAK-ut sipas kritereve të BE-së.
Ne jemi në pikën që të gjithë këtë strukturë, heronjtë e fëmijëve tanë, i shikojmë nëse do të arrijnë të nxjerrin dot këmbën jashtë rrethit që i ka vizatuar Rama. A e nxori? Sepse Bela ishte jashtë rrethit, ndërsa Veliaj ishte brenda.
Ndërkohë, po të shkojmë në gjenezë, cili ishte qëllimi për të cilin u ngrit SPAK-u? SPAK-u u ngrit dhe për këtë ka mbrojtje të veçantë – pikërisht për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Dhe unë, si shumë qytetarë të tjerë, pavarësisht informacioneve që mund të kemi, prisnim nga SPAK-u të vepronte për megaskandalin e shekullit: aferën e inceneratorëve me vlerë 430 milionë euro, për të cilët Rama gënjeu publikisht në Komisionin Hetimor. Ai tha: “Është ndërmarrje ndërkombëtare, pse hidhni baltë?”.
Ne nga SPAK-u donim dy gjëra të thjeshta:
Kush e inicioi dhe cilat ishin procedurat që prodhuan inceneratorët? Si erdhëm deri këtu? Kush e bëri tenderin, si u zhvillua ai, kush gjeti kompaninë që i mori të tre inceneratorët njëkohësisht? Pse u bë pa garë dhe pa garë ndërkombëtare? Dhe e dyta – kush qëndron pas gjithë kësaj skeme?
Ne e dimë, por SPAK-u thotë: “Shiko, deri tani kemi kapur djalin e Lefter Kokës dhe gratë e Arben Ahmetajt.” Këta kanë marrë disa lekë, por… ore, inceneratori si u bë? Kush e përzgjodhi firmën fituese? Sepse Rama, që përzgjedh edhe arkitektin e shtëpisë së një biznesmeni, nuk ka shans të marrë leje po të mos ia caktojë vetë arkitektin e huaj Rama!
Ky, për një projekt 430 milionë euro, tha: “Janë dy, kush janë këta? Janë Klodi dhe një vajzë 25 vjeç. Le ta bëjnë këta.”
Që këtu, SPAK-u ka dështuar.
© SYRI.net