Deputeti i opozitës, Belind Këlliçi, lëshoi akuza të forta nga Kuvendi në drejtim të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, duke e akuzuar atë për zvarritje të qëllimshme të hetimeve dhe për shndërrim të institucionit, në një instrument politik në duart e qeverisë.
Kryefjala e Këlliçit ishte dosja e inceneratorit të Tiranës, për të cilën deputeti demokrat deklaroi se hetimet paraprake kanë hyrë në vitin e pestë, duke tejkaluar çdo afat procedural. Sipas tij, ky rast përbën një “precedent të tmerrshëm të kapjes së Prokurorisë së Posaçme”.
Deputeti pretendoi se arsyeja e vërtetë e bllokimit të hetimeve, lidhet me një dokument të firmosur nga vetë kryeministri Edi Rama, për një bonus prej 8% të pikësh, i cili, sipas Këlliçit, i hapi rrugën koncesionit edhe pse kompania fituese nuk ekzistonte në momentin e dhënies së tij.
“Kjo është arsyeja se pse nuk hetohet kjo dosje dhe luhet me afatet procedurale,” theksoi ai.
Këlliçi denoncoi edhe një tender aktual në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) për blerjen e transformatorëve. Ai u shpreh se tenderi me vlerë 700,000 euro mund të realizohej me vetëm 70,000 euro me çmimet e tregut, duke aluduar për një abuzim dhjetë herë më të lartë se vlera reale.
Gjithashtu, ai bëri një paralele me Greqinë sa i përket raportit të OLAF për fondet IPARD. Ndërsa në Greqi ky raport çoi në arrestimin e 37 zyrtarëve, në Shqipëri, sipas tij, prej dy vitesh që kur raporti është publikuar, “Prokuroria e Posaçme nuk lëviz as majën e gishtit”.
Në përfundim, Këlliçi e cilësoi task-forcën e SPAK-ut si “dështim” dhe “alibi për masakrën elektorale”, duke shtuar se ky institucion është kthyer në një “pushkë goditëse ndaj kundërshtarit politik të Edi Ramës”.
Zoti kryetar, do të doja që drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme të qëndronte në kuvend për të dëgjuar edhe komentet e deputetëve të opozitës. E përmendi disa herë çështjen e afateve procedurale dhe meqë e ka merak çështjen e afateve procedurale, ja rikujtojmë që dosja e inceneratorit të Tiranës ka tejkaluar tashmë vitin e pestë të hetimeve paraprake. Meqë flasim për afate procedurale, është një precedent i tmerrshëm i kapjes së Prokurorisë së Posaçme dhe mos hetimit të kësaj çështjeje, që është një çështje korruptive e gjithëpranuar botërisht tashmë, e cila ka një kleçkë.
Ka këtë dokument, bonusin 8% të pikëve të firmosur nga kryeministri piktor Edi Rama, një ndër të paktat firma që ka firmosur vetë Edi Rama, ku i ka hapur rrugën këtij koncesioni në një moment që kompania që fitoi kontratën nuk ekzistonte. Kjo është arsyeja se pse nuk hetohet kjo dosje dhe kjo është arsyeja sepse luhet me afate procedurale. E ndërkohë për afate procedurale, është një tender sot në në KESH që po zhvillohet për blerje transformatorësh, që nëse këta shkojnë dhe hetojnë ditën e sotme, ta nisin kryesisht këtë hetim që unë po ju them, do të zbulojnë që ai tender me një vlerë prej 700.000 euro, nëse shkon një qytetar i zakonshëm për të blerë transformatorët me çmim tregu, i blen me 1/10 me vetëm 70.000 euro.
Ndërkohë, u përmend këtu fondet e IPARD-it dhe raporti i OLAF-it, mjafton t'i kujtojmë se këtë vit, shteti grek nxori raportin e e OLAF-it dhe arrestoi 37 zyrtarë. Ndërkohë në shtetin shqiptar, ka dy vite që ka dalë ky raport dhe nuk lëviz as majen e gishtit prokuroria e posaçme. E sa për të folur për task-forcën e SPAK-ut, është dështimi dhe jo vetëm dështim, por është alibia e masakrës elektorale të 11 majit.
U përdor task-forca e SPAK-ut, e cila mua personalisht si drejtues politik, nuk më është përgjigjur në telefon publikisht para mediave, i kam telefonuar dhe nuk funksiononte linja e gjelbër. Të gjitha të tjerat mbeten po në kuadrin e çështjeve që janë në hetim, pyetje e papërgjigje dhe thjesht faktohet ajo që ne kemi kohë që themi, që ky organ është kthyer në pushkë goditëse ndaj kundërshtarit politik të Edi Ramës.
© SYRI.net