Nga salla e Kuvendit janë lëshuar akuza të rënda ndaj sistemit të drejtësisë në vend, i cili u cilësua si një "Republikë e prokurorëve" dhe një "eksperiencë e zbërjes së sistemit gjyqësor".
Gjatë fjalës së tij të ashpër, Mediu theksoi se supremacia e prokurorisë është faktikisht dhe moralisht e gabuar, duke e krahasuar situatën aktuale me praktikat e regjimit komunist.
Sipas argumenteve të paraqitura, në sallën e gjyqit prokurori qëndron mbi gjyqtarin dhe i akuzuari konsiderohet i fajshëm pa përfunduar procesi, duke shkelur parimin thelbësor të prezumimit të pafajësisë.
Ky parim, siç theksoi Mediu, është zëvendësuar nga gjyqe popullore mediatike, ku prokurorët dhe gjyqtarët nuk i referohen më ligjit dhe Kushtetutës, por vendosin bazuar në opinionin publik dhe sondazhet.
Mediu tërhoqi paralele shqetësuese me periudhën e diktaturës, duke evokuar "drejtësinë në emër të popullit", ku armiku i radhës gjendet dhe gjykohet përmes presionit mediatik.
U theksua se, ngjashëm me atë kohë kur partia emëronte prokurorë dhe gjyqtarë besnikë, edhe sot sistemi i shërben qëllimeve politike. "E kemi provuar drejtësinë popullore të komunizmit, që filloi me burgosjen dhe vrasjen e deputetëve për të zhdukur opozitën," tha Mediu.
Ndër kritikat e tjera, u përmend se sistemi aktual ndjek praktika staliniste, ku fillimisht caktohet objektivi që duhet goditur dhe më pas ndërtohet akuza.
Gjithashtu u denoncua se parime si siguria juridike dhe parashkrimi i veprës penale nuk ekzistojnë më, pasi mjafton një prokuror apo një gjyqtar për të ndryshuar ose shkruar ligjin sipas dëshirës. Për më tepër, u pretendua se vendimet e Gjykatës së Lartë injorohen ose zhbëhen nga gjykatat e shkallëve më të ulëta.
Mediu preku dimensionin politik, duke argumentuar se arrestimet e liderëve të opozitës para zgjedhjeve kishin si qëllim të vetëm të largonin vëmendjen e publikut nga problemet reale si korrupsioni dhe krimi, duke fajësuar opozitën.
Në përfundim, Mediu bëri thirrje për rivendosjen e Kushtetutës, parimit të kontrollit dhe balancimit të pushteteve (check and balance) dhe funksionimin e një republike parlamentare ku drejtësia mbron qytetarin dhe jo pushtetin.
Mediu: Disa thonë jetojmë në Republikën e prokurorëve dhe këta idiotë të dobishëm janë në çdo media, duke trumbetuar me të madhe. Qëllimi është një, t'i japim prokurorisë edhe autoritetin e gjyqtarit, e cila nuk ndodhte të paktën formalisht as në kohën e diktaturës. Eksperienca unike që u tha këtu, e Shqipërisë, është eksperienca e zbërjes së sistemit gjyqësor në Shqipëri, e cila konsiderohet sukses nga mazhoranca, paçka se dhe vetë Evropa nuk e sugjeron që kjo eksperiencë unike, sukses shqiptar, të përsëritet në ndonjë vend tjetër. Zoti prokuror, më vjen keq që sot kemi një prokurori të përgjithshme e cila nuk ka asnjë autoritet përveçse administrimit dhe kjo është një eksperiencë po ashtu shqiptare. Për një vend i cili sipas kushtetutës është shtet unitar dhe flitet për decentralizim, llogjikë funksionimi i prokurorie njësoj siç mund të ishte në Itali apo edhe në vende të tjera që nuk kanë të njëjtin sistem kushtetues me ne. Në sallën e gjyqit, prokurori është mbi gjyqtarin.
Ai mund të bëjë si të dojë me ligjin penal. I akuzuari nuk ka të drejtë dhe ai është i paracaktuar i fajshëm, pa mbaruar gjyqi, dhe avokatët në proces nuk kanë as vlerën e tyre që i cakton ligji. Avokati edhe arrestohet siç ndodhi sepse kërkon të respektohet ligji. Ai mund ta fitojë gjyqin kur bën sekserin dhe jo të mbrojë me të drejtë të akuzuarin. Kolegë deputetë, Republika kushtetuese e çdo lloji dhe republika e prokurorëve nuk mund të bashkëjetojnë me njëra-tjetrën. Supremacia gjyqësore, supremacia e prokurorisë është faktikisht e gabuar, është moralisht e gabuar dhe përbën një fyerje dhe shkatërrim ndaj vetë sistemit, të vetëqeverisjes dhe Republikës parlamentare kushtetuese. Prezumimi i pafajësisë është zëvendësuar me gjyqe popullore mediatike në rrjetet sociale. Prokurori dhe gjyqtari nuk lexon më ligjin dhe kushtetutën, por sheh ç'thonë mediat dhe opinionet. Çdo ditë opinioni ushqehet me lajmin se kush hyri dhe kush doli nga SPAK dhe nga gjykata dhe kaq mjafton që të konsiderohesh i fajshëm, të procedohesh, të gjykohesh sepse pafajësia në sistemin tonë gjyqësor nuk konsiderohet drejtësi. Është e njëjta metodë si ajo e drejtësisë në emër të popullit. Gjendet armiku i radhës, kundërshtari, procedohet, gjykohet me opinionin mediatik, por me një kusht të vetëm, vetëm udhëheqësi, sundimtari, të mos pyetet, të mos gjykohet dhe të mos shqetësohet. Argumenti për të mbrojtur këtë situatë të papranueshme nuk është vlerësimi i fakteve dhe këtë nuk po e bëjmë as sot këtu. Por opinioni, thanë kolegët e mi, sondazhet, sepse ata mbështesin punën e drejtësisë. Për më tepër, kjo deklarohet me krenari, sepse tregojnë sondazhet që populli beson tek sistemi gjyqësor. Kolegë deputetë, drejtësia nuk është opinion.
Drejtësia nuk është sondazh. Është provë, është vendim i bazuar në respektin e ligjit dhe të kushtetutës. Drejtësinë popullore e kemi provuar, të shoqëruar me thirrjet e turmave histerike, tradhtarët në litar. E kemi provuar drejtësinë popullore të komunizmit, që filloi me burgosjen dhe vrasjen e deputetëve për të zhdukur opozitën e asaj kohe. Vrau mbi 6.000 njerëz të pafajshëm, zhduku familjet më kombëtare, patriotike dhe internoi mbi 100.000 të tjerë. Prokurorë dhe gjyqtarët edhe në atë kohë i vendoste partia si sot, pavarësisht se nuk kishin idenë se çfarë ishte drejtësia, por i shërbenin qëllimit politik. Për shkak të një politike pa principe këtu mes nesh, pa principe, e përsëris, zemërimit dhe varfërisë së njerëzve i servirim çdo kohë popullit si ushqim politikanët. Këtë bënte edhe Enver Hoxha në çdo pesëvjeçar. Kaq mjafton që prokurori dhe gjykata të mos pyesin as për kodin penal dhe as për kodin e procedurës penale, por veprojnë siç duan. Korpusi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk frikësohen më nga mos respektimi i ligjit, por thjesht nga opinioni dhe nga politika. Së pari, ata përcaktojnë kush është i radhës për ta goditur, e targetojnë, e arrestojnë, e procedojnë dhe më pas i gjejnë dhe akuzën. Por kjo është një praktikë tërësisht staliniste. Së dyti, siguria juridike, prezumimi i pafajësisë, parashkrimi i veprës penale nuk ekzistojnë më, sepse mjafton një gjyqtar, mjafton një prokuror, ta ndryshojë ligjin ose të shkruajë ligj duke shkelur hapur kodin penal. Dhe nëse për aritmetikën e thjeshtë kur 2+2 duhet të bëjnë katër, ata thonë pesë dhe askush nuk mund ta ndryshojë qëndrimin e tyre. Së treti, vendimet e Gjykatës së Lartë zhbëhen nga gjykata e shkallëve të ulëta.
Vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë injorohen. Gjyqtari dhe prokurori nuk lexon dhe respekton ligjin por shkruan ligj. Së katërti, kushtetuta dhe kodi penal dhe kodi i procedurës penale në çdo demokraci kanë në themel qytetarin dhe jo shtetin. Tek ne ndodh e kundërta. Së pesti, në çdo sistem drejtësie gjyqtarët nuk mund të jenë nën kontrollin e prokurorisë, por kjo ndodh tek ne. Së gjashti, ajo që ndodhi me arrestimin dhe procedimin me urdhër politik liderëve të opozitës para zgjedhjeve kishte një qëllim dhe vetëm një qëllim. Kërkonte t'u thoshte shqiptarëve se problemi i tyre nuk ishte qeveria, nuk ishte korrupsioni, nuk ishte krimi, por opozita. Dhe prandaj ishte e justifikueshme të vazhdonin me krimin e organizuar, me shitblerjen e votës, me manipulimin e zgjedhjeve. Kur gjykatat besojnë se janë të paprekshme, ato të paktën janë moralisht të korruptuara. Pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute.
Në çdo demokraci gjyqësori është i thirrur të mbrojë drejtësinë, jo të sundojë atë. Churchill ka pasur një shprehje të bukur meqënëse dua ta mbyll dhe të mos zgjatem, t'i jap dy konkluzione të miat. Churchill thoshte: Viktima më qesharake është ai që ushqen krokodilin me shpresën se do të jetë viktima e fundit. Prandaj, të nderuar kolegë deputetë, kam një thirrje për ju. Nuk jam kundër pavarësisë së drejtësisë, jam 100% për një drejtësi të pavarur. Të rivendosim kushtetutën, parimin check and balance, mos ketë pushtet absolut në Shqipëri. Kushtetuta është shkruar për të mbrojtur qytetarin dhe jo gjyqtarët dhe shtetin. Të rivendosim një republikë parlamentare kushtetuese, t'i japim autoritetin parlamentit për t'i...
© SYRI.net