Bozdo - Çelës: Grupet e krimit të organizuar i pastrojnë paratë rehat në mes të ditës, në mes të dynjasë, pa i hyrë gjemb në këmbë

15:35, 27/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjatë raportimit të Prokurorit të Përgjithshëm, Olsi Çela, në Kuvend, deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, zhvilloi një diskutim me kreun e Prokurorisë lidhur me luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar në vend.

Në fjalën e tij, Bozdo reagoi pas përgjigjeve të dhëna nga Çela, duke theksuar se situata ekonomike dhe financiare në Shqipëri po dëmtohet rëndë nga aktivitetet e paligjshme të grupeve kriminale.

“Zoti kryeprokuror iu referua mediave si raportues. Ju them që nuk janë media, është raporti i DASH që e ngre si rrezik kryesor për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare pastrimin e parave. Grupet e krimit të organizuar i pastrojnë paratë rehat në mes të ditës, në mes të dynjasë, pa i hyrë gjemb në këmbë në Shqipëri,” – u shpreh Bozdo.

Ai përmendi gjithashtu raportin e financuar nga GIZ dhe Ministria e Jashtme norvegjeze, sipas të cilit në Tiranë gjatë viteve 2016–2019 janë investuar 1.6 miliardë euro të pajustifikuara në sektorin e ndërtimit.

Po ashtu, sipas tij, raportet e antimafias italiane dhe një investigim i Rai3 tregojnë se nga 3.7 miliardë euro të investuara në ndërtim, vetëm 800 milionë janë të justifikuara përmes sistemit bankar.

“Janë 2.9 miliardë euro që shkatërrojnë ekonominë shqiptare dhe kullat i kemi këtu në mes të ditës. Krimi lulëzon, pastrimi i parave lulëzon, ekonomia shkatërrohet, shqiptarët ikin, euro po bie, eksportet janë rrënuar dhe turizmi po e pëson,” – vijoi Bozdo.

Deputeti demokrat i kërkoi Çelës të veprojë më vendosmërisht dhe të marrë nisma konkrete për ndjekjen penale të rasteve të dyshuara për pastrim parash, duke theksuar se shumë investime në pasuri të paluajtshme lidhen me persona me precedentë penalë ose familjarë të tyre.

Në fund të fjalës së tij, Bozdo falënderoi Prokurorin e Përgjithshëm për pranimin e disa problematikave në sistem, por kërkoi që çështjet e abuzimeve dhe arrogancës në drejtësi të trajtohen seriozisht:

“Ju falenderoj për faktin që njohët arrogancën e prokurorit që arrestoi avokatin mbrojtës në seancë, dhe shpresoj që kësaj çështjeje t’i jepet drejtim njëherë e mirë.”

Bozdo:

Zoti kryeprokuror iu referua mediave si raportues. Ju them që nuk janë media. Është raporti i DASH z.kryeprokuror, që e ngre si rrezik kryesor për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare pastrimin e parave, se grupet e krimit të organizuar i pastrojnë paratë rehat në mes të ditës, në mes të dynjasë, pa i hyrë gjemb në këmbë në Shqipëri, duke shkatërruar ekonominë shqiptare, duke e çuar euron në nivelin më të ulët të pajustifikuar dhe duke sjellë sfidën më të madhe ekonomike dhe shoqërore për Shqipërinë në këto ndoshta 35 vite.

Këtë e thotë gjithashti edhe raporti i financuar nga Gizi dhe ministria e Jashtme norvegjeze për flukse të paligjshme të parave, ku gjen se, vetëm në Tiranë, në vitet 2016-2019 janë 1.6 mld euro të investuara në sektorin e ndërtimit të pajustifikuara.

Këtë e thotë gjithashtu edhe antimafia italiane dhe emisioni investigativ i Rai3, kur thotë se nga 3.7 mld euro në 4 vitet e fundit të investuara në Tiranë në sektorin e ndërtimit, vetëm 800 milionë euro janë të justifikuara se janë paguar dhe kredituar nëpërmjet sektorit bankar. Janë 2.9 mld euro që shkatërrojnë ekonominë shqiptare dhe kullat i kemi këtu në mes të ditës.

Pra, çështja është shumë më tepër e nxehtë, se sa fakti që ju nuk keni të dhëna.
Ju thatë që, ne praktikisht kemi bërë diçka. Unë ju them që, praktikisht krimi lulëzon, pastrimi i parave lulëzon, ekonomia shkatërrohet, shqiptarët ikin, euro po kap nivelet e fundit, eksportet shqiptare janë rrënuar, turizmi shqiptar po e pëson, bujqësia shqiptare nuk është konkurrusse nga kjo, dhe jo vetëm nga kjo, sepse ju duhet të bënit mirë punën tuaj.

Pyetja e dytë që ka lidhje pikërisht me këtë: si pastrohen këto para?

Ka dhjetëra e dhjetëra raste, z.kryeprokuror, ku raportohet nga media se si të afërm, vëllezër, motra, farë e fis, të njerzve që kanë precedentë penalë, të dënuar për krim të organizuar, pjesëtarë në organizata mafioze gjejnë mënyra për të investuar në pasuri të patundshme në Shqipëri. Dhe ju them që ju vërtetë nuk keni statistika për këtë, ose keni pak statistika, por rastet që ju ndiqni, vetëm ato që thotë media, pa kërkuar ndonjë linjë prioritare direktivë nga ana juaj, janë dhe shumë, shumë herë më tepër.

Ju falenderoj për faktin që njohët arrogancën e prokurorit, i cili bëri një gjë të paparë duke arrestuar avokatin mbrojtës aty në seancë, dhe shpresoj që kësaj çështjeje t’i jepet drejtim njëherë e mirë.

Faleminderit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco