Në një fjalim të ashpër nga foltorja e Kuvendit, deputeti i opozitës, Ivi Kaso ka lëshuar akuza të rënda ndaj sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke e cilësuar reformën e shumëdiskutuar si një “dështim në themel” dhe një “simbol të kapjes së shtetit”.
Gjatë diskutimit për një sërë projektrezolutash për vlerësimin e institucioneve të drejtësisë, Kaso deklaroi se ato janë thjesht “fletushka lavdërimi” që maskojnë një krizë të thellë besimi, e cila e ka shndërruar drejtësinë në një aparat të kontrolluar politikisht.
Sipas ligjvënësit opozitar, bilanci i reformës pas nëntë vitesh është dramatik, duke renditur një sërë problematikash alarmante.
Kaso përmendi zvarritjen ekstreme të proceseve gjyqësore, me mbi 150,000 dosje të bllokuara nëpër gjykata dhe një kohëzgjatje deri në 15 vite për një gjykim të thjeshtë. Gjithashtu, u theksua se asnjë politikan i lartë në detyrë nuk është vënë para përgjegjësisë penale, ndërsa institucionet kryesore si Gjykata e Lartë dhe ajo e Apelit funksionojnë me “ritme qesharake”.
Kritika të forta iu drejtuan edhe institucionit kryesor të reformës, SPAK.
Deputeti Kaso argumentoi se SPAK, në vend që të ishte një instrument i balancuar i ligjshmërisë, ka krijuar perceptimin se funksionon me standarde të dyfishta. Sipas tij, ndjekja penale zhvillohet me intensitet të ndryshëm në varësi të profilit politik të personit nën hetim. “Emblematike mbetet vënia nën akuzë dhe ndjekja penale e motivuar politikisht ndaj liderëve të opozitës si Sali Berisha, Ilir Meta, Fatmir Mediu e të tjerë, përkundër gjumit mbi dosjet e skandaleve të panumërta të qeveritarëve,” u shpreh ai, duke shtuar se sistemi heziton përballë pushtetit, por shërben si armë ndaj opozitës.
Duke e çuar akuzën në një nivel edhe më të lartë, deputeti deklaroi: “Kur drejtësia ndëshkon sipas porosisë politike, atëherë kemi mafie me vulë shtetërore”.
Si dëshmi e degradimit të sistemit u përmend ngjarja tragjike e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, e cila, sipas deputetit, e ka damkosur imazhin e Shqipërisë si një vend ku as vetë gjyqtarët nuk janë më të sigurt. Po aq tronditëse, sipas tij, është edhe humbja totale e besimit të publikut, i cili nuk beson më “as te gjyqtari, as te prokurori dhe as te ligji”.
Në fund të fjalës së tij, Kaso njoftoi se Partia Demokratike nuk do të mbështesë rezolutat në diskutim, pasi ato tentojnë t'i japin legjitimitet një “dështimi historik”. Ai përfundoi duke theksuar se opozita mbetet e përkushtuar për një reformë të vërtetë, të bazuar në llogaridhënie dhe pavarësi, duke paralajmëruar se “një shtet që nuk jep drejtësi nuk është më shtet, por ngelet vetëm një strukturë mafioze”.
Ivi Kaso: Zoti kryesues i seancës, të nderuar kolegë deputetë. Sot Kuvendi i Shqipërisë po diskuton një sërë projektrezolutash që në dukje kanë për qëllim vlerësimin e institucioneve të rëndësishme të drejtësisë, por që në thelb janë një fletushkë lavdërimi për një sistem që ka dështuar në themel. Janë tekste burokratike, plot fjalë të bukura, por bosh nga çdo përmbajtje reale, që përpiqen të maskojnë një krizë të thellë besimi që e ka shndërruar drejtësinë shqiptare në një aparat të kontrolluar politikisht e jo në një pushtet të pavarur. E ashtuquajtura reformë në drejtësi, që u shit si projekti më madhor i tranzicionit, sot është shndërruar në simbolin më të qartë të dështimit institucional dhe kapjes së shtetit. Një reformë që u financua dhe dirigjua nga rrjete dhe individë që nuk kanë asnjë përgjegjësi para qytetarëve shqiptarë, me emra të njohur si George Soros dhe strukturat e tij politike në Tiranë, dhe që ka përfunduar duke asgjësuar balancat kushtetuese dhe duke vënë nën kontroll politik çdo hallkë të drejtësisë. Sot, pas nëntë vitesh, bilanci i reformës në drejtësi është dramatik. 15 vite duhen sot për një gjykim të thjeshtë në dy shkallë. Mbi 150.000 dosje janë të bllokuara nëpër gjykata.
Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë funksionojnë me ritme qesharake. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen nga qeveria. Asnjë politikan i lartë në detyrë, që ushtron përgjegjësi publike, nuk është marrë nën përgjegjësi penale. Presidenti shkel Kushtetutën me dy këmbët si ushtar i bindur i qeverisë. Vetë Gjykata Kushtetuese, nga ana tjetër, shkel parimet themelore të sigurisë juridike dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, siç është rasti i shkurtimit të mandateve të disa anëtarëve të saj, një procedurë kjo e padëgjuar më parë, që minon besimin edhe te kjo gjykatë. Korporatizmi na është kthyer dhe ulur këmbëkryq në ballë të vendit dhe institucionet e shumta të reformës kanë humbur çdo pavarësi reale. Nga ana tjetër, vendet bosh në gjykata e prokurori ngelet plagë e hapur mbi një sistem i cili është në kolaps dhe qytetarët e profesionistët e tjerë të ligjit nuk dinë ku të drejtohen e të qajnë një hall. Shteti mbështet drejtësinë vetëm në letër, ndërkohë që është i lumtur t'i lërë institucionet e drejtësisë në hall të vet, me pakt që këto të fundit ta kthejnë kokën nga ana tjetër. Është në sytë e të gjithëve se sot Shqipëria ndodhet në një gjendje alarmante. Një shtet që nuk jep drejtësi është një shtet që nuk ofron asgjë për qytetarët e tij. Në thelb, është drejtësia ajo që dallon shtetin nga organizatat e tjera, përfshirë edhe mafien. Sepse mafia ndëshkon sipas interesit, ndërkohë drejtësia duhet të ndëshkojë sipas ligjit. Kur drejtësia ndëshkon sipas porosisë politike, atëherë kemi mafie me vulë shtetërore.
Ngjarja e rëndë e vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, sapo kishte shpallur vendimin, është fotografia më tragjike e këtij sistemi të degraduar. Një ngjarje e paprecedent që ka bërë jehonë në çdo media ndërkombëtare dhe që e ka damkosur imazhin e Shqipërisë si vend ku as vetë gjyqtari nuk është më i sigurt për jetën e tij. Por edhe më tronditës është reagimi i qytetarëve. Një valë komentesh të ashpra, të dhimbshme, të zemëruara, që shprehin një ndjenjë të thellë mosbesimi ndaj çdo institucioni të drejtësisë. Kjo është prova e dështimit më të madh të reformës në drejtësi. Njerëzit nuk besojnë më as te gjyqtari, as te prokurori dhe as te ligji. Në qendër të gjithë kësaj ndërtese të brishtë që quhet reforma në drejtësi, qëndron institucioni më i përfolur dhe njëkohësisht më i rëndësishëm i reformës, që është SPAK-u. Në momentin e krijimit të tij u prezantua si institucioni simbol i ndarjes përfundimtare të politikës nga drejtësia, si garancia që korrupsioni në nivelet më të larta do të goditej pa kompromis dhe se askush, qoftë i pushtetshëm apo i thjeshtë, nuk do të qëndronte mbi ligjin. Por në praktikë, përvoja e viteve të fundit ka treguar një tablo shumë më komplekse dhe shpeshherë zhgënjyese. Në vend që të shndërrohej në një instrument të balancuar të ligjshmërisë, SPAK-u ka dhënë shenja të qarta të asaj që Komisioni i Venecias e kishte paralajmëruar që në fillimet e reformës, domethënë rrezikun e kapjes nga drejtësia, në mungesë të garancive reale për pavarësi.
Në çdo, në jo pak raste të bujshme, veprimet e këtij institucioni kanë krijuar perceptimin se ndjekja penale zhvillohet me intensitet të ndryshëm në varësi të profilit politik dhe personit nën hetim. Emblematike mbetet vënia nën akuzë dhe ndjekja penale e motivuar politikisht ndaj të gjithë liderëve dhe eksponentëve të opozitës, si Sali Berisha, Ilir Meta, Fatmir Mediu, Jamarbër Malltezi e kështu me radhë, si dhe masat e sigurisë të arrestit me burg të kërkuara ndaj tyre, përkundër gjumit mbi dosjet e skandaleve të panumërta të qeveritarëve, nga Edi Rama e poshtë, dhe ndjekja e çdo korrupsioni qeveritar në hetim në gjendje të lirë. thua se opozitarët pa asnjë pushtet janë në gjendje të ndikojnë hetimet, ndërsa qeveritarët në detyrë janë të padëmshëm për drejtësinë e re. Hetimet ndaj përfaqësuesve të opozitës, pavarësisht nga merita e tyre juridike, janë zhvilluar me një shpejtësi e ashpërsi të pazakontë, ndërkohë që dosjet që prekin nivelet e larta të qeverisjes mbeten të ngrira ose zvarriten përtej çdo afati të arsyeshëm. Ky perceptim, edhe nëse nuk është gjithnjë rezultat i qëllimit, por i mënyrës se si komunikohet dhe menaxhohet drejtësia, është thelbësisht dëmtues për besimin publik te reforma. Shembulli më i fundit i këtij dështimi është ai i Task Forcës për hetimin e krimeve zgjedhore, e cila u shpall me shumë bujë si mjeti për të garantuar integritetin e procesit elektoral. Ajo jo vetëm që nuk arriti të parandalonte asgjë, por ende sot, pas më shumë se gjashtë muajsh nga përfundimi i zgjedhjeve, rezultatet konkrete janë minimale.
Nuk u parandalua as kryeministri dhe qeveria që të përdornin buxhetin e shtetit dhe administratën publike sikur t'i kishin të babës. As lumenjtë e parave të pista të drogës dhe të korrupsionit të blinin pa hesap vota për partinë shtet. As banditët të silleshin si zotër të qendrave të votimit, në mes të ditës e faqe gjithë kamerave të mediave. Ende sot nuk ka asnjë hetim serioz e as ndonjë bilanc konkret ndaj rasteve të blerjes së votës, përdorimit të burimeve shtetërore apo shantazhit elektoral, fenomene të evidentuara publikisht nga organizata ndërkombëtare si ODIRI, në raportin përfundimtar të zgjedhjeve, të publikuar vetëm para pak ditësh. Në vend të kësaj, për të justifikuar ekzistencën e vet, Task Forca është kufizuar në ndjekjen e disa rasteve periferike, pa ndikim real në standartin e zgjedhjeve. Kjo krijon ndjesinë e një drejtësie statistikore, që synon më shumë të prodhojë raporte sesa rezultate. Është e dhimbshme të konstatohet se shpresa e madhe që qytetarët kishin te ky institucion është zbehur ndjeshëm.
Ky institucion, në fillim, në ngritje të tij, u perceptua gjerësisht si një rreze drite në errësirën e pandëshkueshmërisë. Ndërsa sot, për një pjesë të madhe të opinionit publik, ai shihet si një një strukturë që funksionon me dy standarde, që heziton përballë pushtetit, por trimërohet dhe shërben si armë ndaj opozitës. Nëse drejtësia e re dëshiron të rifitojë legjitimitetin e saj, ajo duhet të dëshmojë në praktikë atë që shpall në teori: pavarësi, paanshmëri dhe profesionalizëm të pakontestueshëm. Ajo duhet të jetë e guximshme jo vetëm me të dobtin, por edhe me të fuqishmin, jo vetëm me opozitën, por edhe me qeverinë. Vetëm kështu mund të arrihet që drejtësia të mos perceptohet më si instrument i pushtetit, por si themel i shtetit ligjor dhe si garant i demokracisë. Në fund të fundit, drejtësia e pavarur nuk është luks institucional, por oksigjeni i çdo demokracie.
Dhe kur ky oksigjen kontaminohet nga ndërhyrja politike, i gjithë sistemi rrezikon të mbytet. Në të njëjtën formë dhe institucionet e tjera të reformës, janë bërë pjesë e të njëjtës panoramë të trishtë të institucionalizimit të heshtjes. Në vend që të përmbushin rolin e tyre kushtetues si mekanizma kontrolli, llogaridhënie dhe mbikqyrje reale mbi sistemin e drejtësisë, ato janë shndërruar në struktura që prodhojnë formalitet e jo përgjegjësi. Të nderuar qytetarë që na ndiqni, sot përballë nesh ka rezoluta që kërkohen të miratohen pa debat, pa reflektim dhe pa përgjegjësi. Por nëse duam të ndërtojmë një shtet normal, duhet ta themi qartë. Drejtësia shqiptare nuk ka nevojë për rezoluta që e dekorojnë, por për reforma që e çlirojnë atë nga kapja politike. Ne nuk mund të pranojmë që Kuvendi të bëhet noteri i dështimeve të një reforme që ka shkatërruar besimin publik, që ka vonuar gjykimet, që ka mbajtur peng qytetarët dhe që ka zhdukur çdo ndjesi përgjegjësie te gjyqtarët dhe prokurorët. Drejtësia nuk është pronë e qeverisë, as e ambasadave, as e ndonjë fondacioni. Ajo është e gjithë qytetarëve shqiptarë.
Prandaj Partia Demokratike nuk do t'i votojë këto projektrezoluta, sepse ato tentojnë t'i japin një fasadë legjitimiteti një dështimi historik. Ndërkohë, ne vazhdojmë të jemi të përkushtuar për një reformë të vërtetë në drejtësi, të bazuar te përgjegjësia, meritokracia, balancimi i pushteteve dhe llogaridhënia reale, dhe jo te kapja dhe përdorimi politik. Sepse ne besojmë fort në një shtet... ne besojmë fort se një shtet që nuk jep drejtësi nuk është më shtet. Ai është dhe ngelet vetëm një strukturë mafioze. Faleminderit.
© SYRI.net