Emërimi i Liburn Aliut si drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës ka ndezur debatet në rrjetet sociale dhe qarqet politike. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e konfirmoi publikisht lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku përgëzonte zëvendëskryeministren Belinda Balluku për zgjedhjen.
“Shumë i bukur lajmi për emërimin e Liburn Aliut në krye të Portit të Durrësit”, shkroi Kumbaro, duke e quajtur ish-ministrin e Infrastrukturës së Kosovës “një atdhetar dhe funksionar të sprovuar publik”. Ajo shtoi se Durrësi është “porta e përbashkët drejt Adriatikut për Shqipërinë dhe Kosovën”, duke nënvizuar rëndësinë simbolike të këtij emërimi.
Në vijim të reagimit, Kumbaro e cilësoi vendimin e Ballukut si “zgjedhje të goditur”, duke e uruar me fjalët: “Urime e me krahë të lehta”.
Por, vetëm pak minuta pas publikimit, postimi u zhduk nga faqja e saj, duke ngritur pikëpyetje për vërtetësinë e emërimit të Liburn Aliut. Ende nuk ka asnjë reagim zyrtar nga qeveria shqiptare apo nga vetë Aliu, një prej themeluesve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Zhdukja e postimit ka hapur një seri spekulimesh në rrjet, ndërsa mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një emërim të kryer, një komunikim të parakohshëm, apo për një gafë mediatike të Kumbaros.

© SYRI.net