Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është thirrur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), pas regjistrimit të saj si person nën hetim për shkelje të barazisë në tendera.
Burime nga organi i akuzës konfirmojnë se ftesa për paraqitje mban firmën e prokurorit të posaçëm Dritan Prençi, i cili ka kërkuar që Balluku të shoqërohet nga një avokat mbrojtës një veprim që nënkupton se ndaj saj mund të komunikohet zyrtarisht akuzë penale.
Ende nuk dihet nëse zëvendëskryeministrja do të paraqitet në ambientet e SPAK-ut, ndërsa hetimet lidhen me një sërë procedurash të zhvilluara nga ministria që ajo drejton, përfshirë tenderat publikë në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë.
Rikutjojmë se Gazment Bardhi ka qenë ndër të parët brenda opozitës që ka denoncuar publikisht abuzimet dhe aferat korruptive të lidhura me emrin e Belinda Ballukut.
Ai ka publikuar më herët dokumente dhe kontrata që provojnë mënyrën se si janë shpërndarë fondet publike në projektet strategjike të qeverisë, me qëllim përfitimin e klientelës së ngushtë politike të mazhorancës.
Sipas Bardhit, dosjet për Ballukun në SPAK janë me dhjetëra, dhe një prej tyre ka hyrë tashmë në fazën zyrtare të hetimit. Bardhi paralajmëron se prokurori Dritan Prençi ndodhet nën presion të madh nga nivele të larta të pushtetit dhe nga eksponentë të lidhur me interesat e qeverisë.
LEXO EDHE: Belinda Balluku merret e pandehur? Gazment Bardhi 5 pyetje drejtuar SPAK
Ai ka ngritur pesë pyetje të drejtpërdrejta ndaj SPAK, duke kërkuar sqarime për:
statusin e hetimit ndaj Ballukut,
ndërhyrjet e mundshme nga Kryeministri Rama,
organizimin e aktiviteteve ndërkombëtare për shmangien e paraqitjes,
mbrojtjen e prokurorit të çështjes,
dhe transparencën e drejtuesve të SPAK për ecurinë e dosjeve të korrupsionit.
© SYRI.net