Nga Elton Qyno
Prokuroria e Posaçme vë nën hetim Belinda Ballukun, zëvendëskryeministren dhe Ministren e Energjisë dhe Infrastrukturës.
Fletë-thirrja për Ballukun ka shkuar në adresë të Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës, mbi bazën e një shkrese që mban firmën e prokurorit të Posaçëm Dritan Prençi.
Syri.net mëson se zv/kryeministrja është thirur nga prokurori Dritan Prenci për tu marrë në pyetje në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet.
Mësohet se i është kërkuar të paraqitet pranë këtij institucioni nën prezencën e një avokati. Nga ana tjetër SPAK po kryen kontrolle ndërkohë te disa bashkëpunëtorë të Belinda Ballukut.
Burimet e gazetarit Elton Qyno bëjnë me dije se Balluku është marrë nën hetim për dosjen e 'Tunelit të Llogarasë' .
Ndaj numrit dy të qeverisë Rama, ka një sërë kallëzimesh penale, përfshirë edhe atë të tunelit të Llogarasë ku vlera e tenderit që u fitua nga një kompani turke u rrit me mbi 50 mln euro.
Nuk dihet nëse zonja Balluku do t’i përgjigjet fletëthirrjes së SPAK dhe në këtë pozitë të re përballë drejtësisë do të vijojë apo jo të qëndrojë në postet qeveritare apo do zgjedhë të largohet me dorëheqje e ta zhvillojë betejën e saj pa mburojën e Partisë Socialiste.
Belinda Balluku e ushtron detyrën e zëvendëskryeministres që prej korrikut 2022. Ndërsa atë të Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, që prej janarit të vitit 2019. Balluku ishte drejtuese politike e Qarkut Fier, ku në zgjedhjet e 11 majit fitoi 12 mandate.
© SYRI.net