Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, mbajti një fjalim të ashpër sot në Komisionin e Ligjeve, ku diskutoheshin 6 pika të rendit të ditës për rezolutat e institucioneve të pavarura që do paraqiten të hënën në Kuvend, në seancë plenare.
Ligjvënësi opozitar theksoi se institucionet e pavarura kishin dështuar në arrestimin e qytetarëve me shkelje të të drejtave të njeriut, kurse raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet provoi konstatimin tronditës dhe alarmant të krimit zgjedhor, manipulimit të votës, moshetimit të bandave kriminale dhe bërjes njësh të shtetit me krimin.
“Nuk ka konstatim më tronditës se raporti i OSBE/ODIHR. Ai raport sot duhet të ishte një kambanë alarmi, por kjo nuk është çështja juaj, ky Komision duhet të hartojë një raport alarmant, sepse zgjedhjet nuk janë produkt i votës së lirë dhe kjo sipas raportit të pavarur të OSBE/ODIHR. Janë deputetë të kësaj shumice që kanë dalë nga zgjedhje jo të lira e të barabarta. Kemi bërjen njësh të shtetit me policinë dhe krimin. Keni unifikuar partinë me shtetin”, tha Blushi.
Më tej ai kritikoi edhe projektrezolutat e institucioneve të drejtësisë, duke i cilësuar si tallje, teksa vuri në dukje diferencat hetimore të një qytetari të thjeshtë dhe një anëtari të bandës kriminale apo zyrtari.
“Projektrezoluta që është sjellë këtu është tallje për mendimin tim. Sepse nuk është sjellë lidhja e krimit të organizuar dhe hetimi i tij. Më shqetëson edhe çështja e arrestimeve. Arrestohen persona dhe burgosen për një dozë hashash dhe lirohen ata që kapen me kamion droge”, u shpreh ligjvënësi.
Blushi trajtoi edhe problematikën e aferave korruptive të pushtetit, nga kryeministri Edi Rama deri tek Belinda Balluku, me inceneratorët, fondet e IPARD, rrugët, energjinë dhe më gjerë.
“A do flasim në Kuvend ndonjëherë për hallet e shqiptarëve, për vjedhjen e fondeve të IPARD-it. Pse nuk hetohen këto fonde se ku përfunduan, 140 milionë euro. Përfunduan ose te bandat kriminale, ose te njerëzit e pushtetit. Nuk jemi kundër që të hetohet edhe opozita, por të mos thërrasësh kryeministrin e vendit për të gjitha aferat, siç ishte ajo e inceneratorëve me përqindjet dhe fondet. Të mos thërrasësh njëherë Belinda Ballukun për ta pyetur dhe hetuar, a ka vend kjo, a ka moral. A ka ndonjë plan për të ndalur gjithë këtë gjakderdhje financiare”, nënvizoi ligjvënësi.
Blushi i bëri thirrje institucioneve të drejtësisë dhe veçanërisht SPAK-ut që të respektonte të drejtat e njeriut dhe konventat ndërkombëtare me arrestimet dhe paraburgimet. Ai hodhi dyshime se ato janë të varura nga kryeministri Rama.
“SPAK të respektojë gjatë hetimeve konventën e të drejtave të njeriut dhe të mos shërbejë si pistoletë në duart e Edi Ramës, sepse po shkel çdo ditë të drejtat e njeriut. T’i japë fund kthimit në vegël për shtetin dhe bërjen njësh me të. Ne themi se institucionet janë të pavarura, por në fakt janë të varura prej këmbësh”, përfundoi Blushi.
Në fund të fjalës së tij, kryetari Ulsi Manja kaloi për votim të 6 projektrezolutat e institucioneve të pavarura, të cilat kaluan me shumicë vote për seancë plenare ditën e hënë.
Rezolutat e votuara sot te Komisioni i Ligjeve:
Shqyrtimi i projektrezolutës së vlerësimit të veprimtarisë së Prokurorit të Përgjithshëm mbi gjendjen e kriminalitetit, për vitin 2024.
Shqyrtimi i projektrezolutës së vlerësimit të veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për vitin 2024.
Shqyrtimi i projektrezolutës së vlerësimit të veprimtarisë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për vitin 2024.
Shqyrtimi i projektrezolutës së vlerësimit të veprimtarisë të Komisionerit të Mbikqyrjes së Shërbimit Civil, për vitin 2024.
Shqyrtimi i projektrezolutës së vlerësimit së Departamentit të Administratës Publike, për vitin 2024.
Shqyrtimi i projektrezolutës së vlerësimit të veprimtarisë së Komisionit të Prokurimit Publik, për vitin 2024.
© SYRI.net