Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, njëkohësisht edhe deputet i PD-së, ka komentuar në edicionin ‘Ora 19’ në SYRI TV raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, të cilat opozita i ka cilësuar si një ‘farsë elektorale’.
Gjatë bisedës me moderatoren Armela Ferko, Boçi u shpreh se raporti bind edhe publikun shqiptar se denoncimet dhe akuzat e bëra nga Partia Demokratike dhe kryetari i saj, Sali Berisha, kanë qenë ‘denoncime reale’.
‘Raporti i OSBE-ODIHR i jep një kartë shumë të fortë PD-së që të vazhdojë denoncimet e saj, lobimet jashtë Shqipërisë tek komuniteti ndërkombëtar që të qartësohet për situatën në Shqipëri dhe të ndërveprojë për të realizuar atë që të gjithë e kërkojmë, realizimin e votës së lirë, zgjedhje të ndershme dhe ruajtjen e parimeve dhe standardeve demokratike’, deklaroi Boçi.
Sipas tij, ky raport nuk është thjesht një konkluzion politik, por ‘një fuzion i argumenteve që ka bërë PD me të gjitha vëzhgimet që janë bërë nga vëzhgues të pavarur ndërkombëtarë’.
‘Të gjitha këto të përcaktuara në raport, si akuza ndaj mazhorancës për procesin zgjedhor, janë denoncime reale dhe konkrete të pasuruara me fakte konkrete dhe prova nga PD-ja, nga kryetari i PD-së, Sali Berisha,’ theksoi Boçi në SYRI TV.
Deputeti demokrat shtoi se publiku shqiptar e njeh mirë realitetin e zgjedhjeve, por kishte nevojë të dëgjonte nëse ndërkombëtarët ‘kanë sy të shohin dhe veshë të dëgjojnë’.
‘Publiku shqiptar e di shumë mirë se çfarë ndodh me zgjedhjet dhe ka dashur gjithmonë të dijë, nëse ndërkombëtarët kanë sy të shohin dhe veshë të dëgjojnë se çfarë ndodh në Shqipëri. Ardhja e këtij raporti i bind ata që, po paska dhe disa përtej nesh që jemi këtu brenda që e lexojnë të vërtetën e Shqipërisë, por që kanë dhe mekanizma që këtë të vërtetë ta rregullojnë apo ta përdorin si kartë për të realizuar edhe dëshirën dhe vullnetin e publikut shqiptar,’ deklaroi ndër të tjera në SYRI TV, deputeti Luçiano Boçi.
© SYRI.net