Farsa e 11 majit/ Logu: ODIHR faktoi se pushteti përdori çdo mjet për të manipuluar procesin zgjedhor

18:55, 23/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike në KQZ, Marash Logu, i ftuar në emisionin “Task Force” në Syri TV, reagoi pas publikimit të raportit të OSBE–ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se dokumenti konfirmon akuzat e opozitës për manipulim dhe intimidim gjatë procesit zgjedhor.

“Sigurisht që ne nuk habitemi, sepse ky raport nuk thotë asgjë më shumë sesa ne kemi thënë, kemi faktuar, kemi paraqitur prova, dëshmi, foto, video, dokumenta e me radhë gjatë gjithë kësaj periudhe për të vërtetuar dhe për të ndërgjegjësuar edhe më shumë qytetarët shqiptarë, të cilët tashmë janë të vetëdijshëm për cilësinë e zgjedhjeve që zhvillon Edi Rama dhe vartësit e tij”, u shpreh Logu.

Ai shtoi se raporti i OSBE–ODIHR vërteton edhe perceptimin publik për politizimin e institucioneve që administrojnë zgjedhjet. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe vetë anëtarët e tij u perceptuan si të politizuar. Kjo e mbyll debatin për KQZ-në, sepse një institucion që perceptohet si i politizuar nga partia në pushtet, nuk mund të quhet më administrator i pavarur i procesit zgjedhor,” tha Logu.

Duke iu referuar Kushtetutës, përfaqësuesi i PD-së theksoi se legjitimiteti i çdo institucioni politik buron nga zgjedhjet e lira dhe të barabarta, ndërsa raporti ka vërtetuar se ato nuk ishin as të lira dhe as të barabarta. “Nuk mund të ketë zgjedhje të lira nëse ke intimidim të qytetarëve, të nëpunësve publikë, komisionerëve, numëruesve apo blerje masive të votës nga grupe të strukturuara kriminale në mbështetje të partisë në pushtet,” theksoi ai.

Logu kritikoi gjithashtu gjuhën e përdorur nga OSBE–ODIHR, duke u shprehur se raporti nuk duhet të trajtojë Shqipërinë si një vend të botës së tretë, por të pasqyrojë realitetin e manipulimeve zgjedhore.

“Moti ishte i mirë, por zgjedhjet u vodhën,” vijoi ai.

Logu:

Sigurisht që ne nuk habitemi, sepse ky raport nuk thotë asgjë më shumë sesa ne kemi thënë, kemi faktuar, kemi paraqitur prova, dëshmi, foto, video, dokumenta e me radhë gjatë gjithë kësaj periudhe për të vërtetuar në fakt dhe për të ndërgjegjësuar edhe më shumë qoftë qytetarët shqiptarë, të cilët në një masë të madhe janë të vetëdijshëm tashmë për cilësinë e zgjedhjeve që ne zhvillojmë në Shqipëri, apo për cilësinë e zgjedhjeve që zhvillon Edi Rama dhe vartësit e tij, pavarësisht se ku ata ndodhen, në qeveri apo në institucione gjoja të pavarura.

Unë mendoj që përgjigjen më të mirë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e ka dhënë vetë raporti, kur thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe vetë anëtarët e tij u perceptuan si të politizuar.

Kjo e mbyll debatin sa i përket vetë KQZ-së, sepse një institucion i cili perceptohet i politizuar nga partia në pushtet, ka marrë fund roli i tij si administrator i pavarur i procesit zgjedhor.

Së dyti, sa i përket legjitimitetit, neni 1 i Kushtetutës sonë, që ka parimet themelore, thotë që sistemi qeverisës në Republikën e Shqipërisë bazohet në zgjedhje të lira dhe të barabarta. Janë pikërisht zgjedhjet e lira dhe të barabarta prej nga buron legjitimiteti politik, qoftë i parlamentit, ashtu edhe i qeverisë.

Tani, po t’i marrësh të dyja këto elemente, qoftë elementin e lirisë, qoftë elementin e barazisë, raporti i OSBE–ODIHR-it ka provuar në fakt që zgjedhjet nuk ishin as të lira dhe as të barabarta.

Nuk mund të konsiderohen zgjedhje të lira nëse ti ke intimidim të qytetarëve, intimidim të nëpunësve publikë, intimidim të komisionerëve, intimidim të numëruesve, intimidim të zgjedhësve para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor, intimidim deri në qendrat e votimit.

Nuk mund të ketë zgjedhje të lira nëse ti ke fenomenin e shitblerjes së votës të shtrirë masivisht në të gjithë territorin dhe ke organizata kriminale ose grupe të strukturuara kriminale, të cilat janë të angazhuara në zgjedhje, në mbështetje të partisë në pushtet.

Vijmë te elementi i barazisë, dhe ky element, mjafton të lexosh të gjithë konkluzionet e raportit për të parë që shteti na paraqitet jo më si një palë e paanshme dhe e paparashikuar në procesin zgjedhor, por na paraqitet…

Me gjithë respektin për ekspertizën e lartë të OSBE–ODIHR-it në fushën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, nuk mund ta trajtojnë Shqipërinë si një vend të botës së tretë.
Do të duhej që gjuha e përdorur në këtë raport të ishte ajo që ka ndodhur vërtet më 11 maj në Shqipëri, sepse nëse ti pranon dhe bie dakord me këto që janë shkruar në këtë raport, nuk flitet më për zgjedhje, nuk flitet më për legjitimitet demokratik dhe nuk mund të tregohet cinizëm duke na përshkruar motin e ditëve të zgjedhjeve.

Moti ishte i mirë, por zgjedhjet u vodhën.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco