‘Deputetët nuk kanë staf’/ Berisha: Është i domosdoshëm krijimi i kushteve parlamentarëve për të përmbushur me dinjitet profesionin e tyre

10:43, 23/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjatë fjalës së tij, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, theksoi nevojën urgjente për të krijuar kushte më të mira për deputetët, duke u shprehur se aktualisht ata janë të papërkrahur dhe pa staf, çka e bën të pamundur përmbushjen me dinjitet të detyrës së tyre.

Berisha u shpreh se ky parlament është "skeletik", pasi deputetët nuk kanë mbështetje për të zhvilluar kontakte të vazhdueshme me zgjedhësit dhe për të mbështetur aktivitetin e tyre legjislativ.

Ai theksoi se është e domosdoshme të krijohen kushte më të mira për deputetët, duke përfshirë një transformim të punës parlamentare dhe një riorganizim të mbështetjes administrative, duke e vlerësuar si të gabuar rritjen e rrogave për deputetët, por duke kërkuar investime më të mëdha në stafin e parlamentit për të mundësuar funksionimin efikas të tij.

Fjala e tij:

Në këtë kuadër, një organizim, një transformim i madh i punës së parlamentit duhet të bëhet.

Ju jeni deputetë me duar në xhepa. Jeni njerëz pa asnjë staf çka e gjymton punën e parlamentit.
Jeni njerëz pa staf, qoftë për kontaktet e vazhdueshme me zgjedhësit, por jeni njerëz pa staf qoftë për mbështetjen e veprimtarisë tuaj në parlament.
Ky është një parlament skeletik ta quajmë. Kur imagjinoj se jepen 220 mijë rroga në administratë dhe këto, dhe sheh parlamentarët pa asnjë ndihmës, ose të paktën të zënë dy-tre së bashku një zyrë... kjo është si ta përthash parlamentin.
Ndaj dhe gjykoj se është e domosdoshme krijimi i kushteve parlamentarëve për të përmbushur me dinjitet profesionin e tyre.
Ishte e gabuar, ua them unë ju këtu, rritja e rrogave të deputetëve. Jo se kanë ndonjë rrogë, të themi, stratosferike. Por shumë më e drejtë do të ishte shpenzime edhe më të mëdha për stafe të parlamentit.
Për ta bërë parlamentin ai institucion që duhet të jetë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco